Imam Abdurr-Rrahman bin Nasir es-Sa’di (v. 1376)
Burimi: El-Kaulul Sedid, Sherh Kitabu Teuhid, kapitulli 56, fq. 268
www.perlatmuslimane.com
Ebu Hurejra transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Nëse të godet diçka mos thuaj: ”Sikur të kisha bërë këtë apo atë nuk do të ndodhte kështu”, por thuaj: ”Ishte caktim i Allahut dhe Ai vepron atë që dëshiron”, sepse fjala: ”sikur” ia hap rrugën shejanit.” [Muslimi, hadithi nr 2664].
Dije se përdorimi i fjalës: ”sikur” ndodh në dy raste:
1 – Rasti kur është e ndaluar dhe qortohet përdorimi i kësaj fjale dhe
2 – Rasti kur pëlqehet dhe është e lavdëruar përdorimi i kësaj fjale.
Sa i përket rastit kur qortohet përdorimi i kësaj fjale, është kur robi bën diçka që nuk i pëlqen ose i ndodh diçka që nuk i pëlqen dhe prandaj ai thotë: ”Sikur të kisha bërë këtë apo atë nuk do të ndodhte kështu”, dhe kjo është prej punëve të shejtanit për dy arsye ndaj të cilave duhet të kihet kujdes:
E para prej tyre është se ajo hap derën e keqardhjes, pakënaqësisë dhe pikëllimit, derë e cila duhet të qëndrojë e mbyllur pasi që nuk ka asnjë dobi nga këto gjëra.
E dyta është se përdorimi në këtë rast i fjalës: ”sikur”, tregon edukatë të keqe me Allahun dhe pakënaqësi me caktimin e Tij, pasi të tëra çështjet dhe ngjarjet që ndodhin, si ato më të voglat dhe ato më të parëndësishmet e deri tek çështjet e mëdha dhe të rëndësishme, ndodhin me urdhrin dhe caktimin e Allahut. Çdo gjë që ndodh, patjetër që do të ndodhte dhe nuk mund të supozohet që ajo gjë nuk mund të ndodhte, prandaj në këtë rast thënia: ”Sikur të kisha bërë këtë apo atë nuk do të ndodhte kështu…”, me thënien e kësaj fjale, robi tregon një lloj kundërshtimi dhe një lloj dobësie në imanin e tij karshi urdhrit dhe caktimit të Allahut. Dhe nuk ka dyshim që robi nuk e plotëson imanin e tij dhe as teuhidin e tij përveçse me braktisjen e këtyre dy gjërave të lartpërmendura.
Përsa i përket përdorimit të lavdërueshëm të fjalës: ”sikur”, është atëherë kur robi shpreson dhe kërkon të mirën siç është thënia e të dërguarit të Allahut ﷺ:
”Sikur ta dija atë që mora vesh tani, nuk do ta kisha marrë kurbanin me vete dhe do ta kisha përfunduar gjendjen e ihramit me Umre.” [Bukhari 2505, 2506].
Ose thënia e tij në lidhje me njeriun që dëshiron të kryej vepra të mira si p.sh ku thotë:
”Sikur të kisha pasurinë e filanit, atëherë do të bëja me këtë pasuri si filani.” [Bukhari 7232].
Ose fjala e tij në lidhje me tregimin e Musait me Hidrin:
”Sikur vëllai im Musa të kishte duruar, Allahu do të na tregonte më shumë nga historia e tyre.” [Bukhari 3401, Muslimi 2380].
Pra nëse shprehja ”sikur…” thuhet duke dëshiruar të mirën, në këtë rast thënia e saj është e pëlqyer dhe e lavdëruar, ndërsa nëse thuhet duke dëshiruar të keqen, atëherë në këtë rast është e ndaluar dhe e qortuar. Pra përdorimi i shprehjes: ”sikur” është në varësi të kontekstit në të cilin përdoret. Nëse përdoret në kontekstin e mërzisë, pikëllimit, imanit të dobët në lidhje me urdhrin dhe caktimin e Allahut apo dhe kur dëshiron të keqen atëherë është e ndaluar dhe e qortuar, por nëse përdoret në kontekstin e shpresës dhe dëshirës për arritjen e të mirës, udhëzimit dhe orientimit, atëherë është e pëlqyer dhe e lavdëruar.