Imam Abdurr-Rrahman bin Nasir es-Sa’di (v. 1376)
Burimi: el-Fataua es-Sa’dijeh, fq. 228-229
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: A është e vërtetë se një person që synon (bën nijet) ta prish agjërimin, e ka prishur atë?
Përgjigje: Po, kjo është e saktë. Kjo, për shkak se agjërimi përbëhet nga dy elemente;
1 – Qëllimi.
2 – Braktisja e çdo gjëje që e prish agjërimin. Nëse ke ndërmend të prishësh agjërimin, atëherë elementi i parë nuk ekziston më; element i cili është shtylla kryesore i të gjitha adhurimeve dhe pa të cilin veprat janë të pavlefshme.
Thënia se agjërimi është prishur do të thotë se ai nuk konsiderohet të ketë agjëruar. Disa e kanë keqkuptuar këtë dhe mendojnë se kjo do të thotë se ai konsiderohet sikurse të ketë ngrënë dhe pirë.
Prandaj nëse një person agjëron agjërim nafile dhe ka bërë nijet ta prishë agjërimin, i lejohet atij ta ndryshojë nijetin e tij para se ta ketë ndodhur diçka që e prishë atë. Mirëpo, shpërblimin e ka vetëm nga koha kur ai e ka vendosur të agjërojë.
Por në qoftë se ai agjëron agjërim të detyrueshëm dhe synon ta prish atë, agjërimi i asaj dite nuk i pranohet edhe nëse ai ndryshon nijetin para se ta prish atë sepse kushti i agjërimit të detyrueshëm është që nijeti të jetë prezent nga agimi deri në perëndim të diellit, ndryshe nga agjërimi nafile.
Këtu kemi një përfitim që duhet të theksohet. Ndërprerja e nijetit të një adhurimi është dy llojesh:
1 – Lloji i parë është atëherë kur nuk e dëmton adhurimin në fjalë dhe kjo është pas përfundimit të atij adhurimi. Nëse një person vendos ta ndërpres namazin, agjërimin, dhënien e zekatit, haxhin apo ndonjë adhurim tjetër pasi që ato të jenë kompletuar, kjo nuk e dëmton atë adhurim sepse ai veprim veçse është kryer dhe e ka zënë vendin e vet. Shembull i kësaj është që njeriu të vendos ta ndërpres nijetin e guslit, abdesit pas përfundimit të pastrimit në fjalë, pra në këtë rast pastërtia e tij nuk prishet apo nuk dëmtohet.
2 – Ndërprerja e nijetit gjatë kryerjes së adhurimit në fjalë. Shembull të kësaj janë ndërprerja e nijetit të namazit gjatë faljes së atij namazi, apo ndërprerja e nijetit të agjërimit atëherë kur është duke agjëruar apo ndërprerja e nijetit të të qenurit i pastër gjatë pastrimit. Në këtë rast adhurimi është i pavlefshëm. Pasi ta kuptosh këtë dallim në mes këtyre dyjave nuk do të ke më problem.