Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Njeriu fetar nuk mund të fshihet pas terrorizmit

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: el-Likaush-Shehri (36) 

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Po na shqetësojnë neve dhe të gjithë ata që janë të kujdesshëm për fenë e Allahut, shpërthimet; ashtu siç e keni theksuar edhe në predikimin tuaj gjatë xhumasë. Gjë për të cilën janë shprehur edhe Kibar-ul-Ulemah (Dijetarët e mëdhenj). Megjithatë, ajo që po na brengosë më së shumti, janë sulmet ndaj praktikuesve të fesë nga ana e gazetave dhe mediave të ndryshme. Çfarë është këshilla juaj në lidhje me këtë çështje?

Përgjigje: Është e pritur që pas këtij incidenti, të këqijtë dhe sabotuesit t’i sulmojnë të udhëzuarit në fe. Këta njerëz shfrytëzojnë rastet në mënyrë që t’u jepet mundësia që të flasin për atë që ata duan. Kjo është një nga të këqijat që ka sjell ky shpërthim. Pra, nga dëmet e këtij shpërthimi është se njerëzit po i shohin të gjithë praktikuesit e fesë me të njëjtin sy. Megjithatë, ne e dimë se një person i cili me të vërtetë është fetar, nuk mund të bëjë këto veprime të egra. Dhe se muslimanët vërtetë të udhëzuar, qëndrojnë larg këtyre gjërave dhe po ashtu i dënojnë këto akte me zemër dhe me gjuhë. Por ata të këqijtë mundohen që të shfrytëzojnë çdo situatë dhe të flasin siç ata duan.

Allahu (Te ala) ka thënë në Librin e Tij:

”Ne e kemi krijuar njeriun dhe e dimë se çfarë  pëshpëritë ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se sa damari i tij i qafës. Dy engjëj i qëndrojnë atij nga e djathta dhe e majta, dhe për çdo fjalë që ai e thotë, e ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” 50:16-18

Megjithatë, ka një çështje tjetër që duhet theksuar. Ka njerëz të rëndomtë e injorantë që largohen nga të praktikuarit e fesë, duke u arsyetuar e duke thënë: ”Shikoni se çfarë po bëjnë praktikuesit e fesë apo fetarët!” Kjo është gjë e gabuar! Ata që kanë bërë këto akte, feja nuk është ajo që i ka nxitur. Nëse ata me të vërtetë do t’i ktheheshin argumenteve të Kuranit dhe Sunnetit, ata do të bindeshin se një akt i tillë është i ndaluar dhe se kjo nuk është fe e cila të ofron tek Allahu. Në fakt, kjo është armiqësi ndaj robërve të Allahut (Azze ue Xhel). Prandaj, njerëzit e rëndomtë nuk duhet ta marrin këtë si shkak për t’i larguar të bijtë e tyre nga praktika e Islamit e cila është e ndërtuar në baza të drejta.

Shpërndaje: