“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Nuk mund ta mësoj Kuranin përmendësh për shkak të obligimeve

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: http://binbaz.org.sa/mat/19454

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Unë dua që ta mësoj Kuranin përmendësh, por nuk mund ta bëj këtë për shkak të obligimeve jetësore. Çfarë më këshilloni?”

Përgjigje: “Nuk është i detyrueshëm të mësuarit e Kuranit përmendësh, por kjo është e rekomanduar. Nëse ke mundësi ta mësosh përmendësh Kuranin, falëndero Allahun, në të kundërtën, s’ka të keqe në këtë. Nuk ka asnjë dyshim se nxënia përmendësh është një nga dhuratat më madhështore të Allahut.

Besimtarit dhe besimtares, që iu mundësua mësimi përmendësh i Kuranit, pa dyshim se atyre iu është dhënë mirësi e madhe nga Allahu. Qëllimi i gjithë kësaj është të reflektuarit mbi Kuranin. Nëse ke mundësi ta mësosh përmendësh atë, kjo konsiderohet të jetë një dhuratë e madhe nga Allahu. Përndryshe, mjaftohu me leximin nga mus´hafi, me të reflektuar mbi të dhe në të kuptuarit e drejtë të tij. Kështu sepse qëllimi i shpalljes së Kuranit është që të punohet sipas tij. Ndërsa, të lexuarit e tij dhe të reflektuarit mbi të, është një mënyrë për ta kuptuar atë drejtë dhe një shtytje për të vepruar sipas porosive të tij.

Është obligim për meshkujt e femrat, që t’i kushtojnë rëndësi të madhe Kuranit dhe ta lexojnë atë, të reflektojnë mbi të, të veprojnë sipas tij, duke kryer obligimet e përcaktuara dhe duke u larguar nga ndalesat nga të cilat ndalon (Kurani). Po ashtu, të meditojnë mbi tregimet në lidhje me popujt e mëhershëm, të cilat u shkatërruan para nesh, në mënyrë që t’u shmangen veprimeve të tyre të këqija. Ne duhet të veprojmë sipas porosive të Kuranit, në mënyrë që ta arrijmë Kënaqësinë e Allahut dhe të shpëtojmë në dy botët. Allahu (subhaneh) ka thënë:

كِتَابٌ أَنزَلْنَاهُ إِلَيْكَ مُبَارَكٌ لِّيَدَّبَّرُوا آيَاتِهِ وَلِيَتَذَكَّرَ أُوْلُوا الْأَلْبَابِ

“Ky (Kuran) është një Libër i Bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’i këshilluar me të të zotët e mendjes.” 1

Allahu (subhaneh) thotë:

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَى قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا

“Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” 2

Allahu (xhele ue ‘ala) thotë:

إِنَّ هَذَا الْقُرْآنَ يِهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ

“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” 3

Pra, siç thamë, është obligim për të gjithë meshkujt e femrat besimtare, që t’i kushtojnë rëndësi të madhe Kuranit, ta lexojnë atë sa më shumë, të reflektojnë sa më tepër, të meditojnë dhe ta kuptojnë atë thellësisht. Përveç kësaj, duhet referuar librave të cilat e komentojnë Kuranin, për të përfituar prej tyre dhe duhen pyetur dijetarët në lidhje me gjërat që janë të paqarta dhe të veprohet sipas mësimeve të tyre. Qëllimi është të vepruarit, pra duhet të veprosh me bindje ndaj Zotit tënd, të kryesh detyrimet ndaj Tij dhe t’i shmangesh ndalesave të Tij. Kjo duhet të bëhet përgjatë të kuptuarit të drejtë dhe dijes, duke shpresuar në shpërblimin e Allahut dhe duke pas frikë prej ndëshkimit të Tij.

Ti shpërblehesh për çdo shkronjë që e lexon nga Kurani dhe çdo shpërblim dhjetëfishohet, ashtu siç është transmetuar në formë autentike nga i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem):

من قرأ حرفا من القرآن فله به حسنة، والحسنة بعشرة أمثالها

“Kush lexon një shkronjë nga Kurani, do të shpërblehet për të, dhe çdo shpërblim dhjetëfishohet.” 4

Kjo është një prej mirësive më të mëdha prej Allahut, se me leximin e Kuranit arrin mirësi të mëdha, arrin dije të dobishme dhe punë të mbara, gjë e cila është mirësia më e madhe e mundshme.”


1 Sad 38:29

2 Muhammed 47:24

3 El-Isra 17:9

4 Bukhariu dhe Muslimi

Shpërndaje: