Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Paralajmërimi ndaj el-Burdah – Bin Baz

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 181-182

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Qëllimi i gjithë kësaj është që të parandalojë çdo gjë që i shpie njerëzit të neglizhojnë idhujtarinë. Të drejtuarit dikujt me ”zotëri” dhe teprime të ngjashme që përdoren sot, mund të përfundojnë në atë se ata të fillojnë të adhurojnë personin, t’i luten atij, t’i kërkojnë ndihmë, të pretendojnë se ai di të fshehurën dhe të ngjashme. Kështu veproi autori i poezisë ”el-Burdah” kur ai tha:

Ti krijesa më fisnike! Unë nuk kam askënd tjetër për t’iu drejtuar në rast të fatkeqësive pos teje.

Nëse ti nuk më nderon në Ditën e Gjykimit dhe nuk e kap dorën time, unë jam i dështuar.

Bujarisë tënde i përket kjo jetë dhe pasuritë e saj

dhe dijës tënde i përket ajo që shkruan në Pllakën e ruajtur dhe pena.

Ai e teproi deri në atë masë saqë ai tha se është profeti ﷺ ai i cili shpëton në Ditën e Gjykimit dhe se ai që nuk shpëtohet nga profeti ﷺ është i dënuar. Ky është një teprim i madh. Ai gjithashtu tha se profeti ﷺ e di se çfarë shkruan në Pllakën e ruajtur dhe në penë dhe se ai është i dijshëm për çdo gjë.

Prandaj, muslimani është i detyruar që të ruaj gjuhën e tij dhe të jetë mesatar kur flet, pavarësisht nëse është duke folur në lidhje me të dërguarin ﷺ apo dikë tjetër. Ai duhet t’u përmbahet normave Sheriatike ndaj të dërguarit ﷺ, ndaj njerëzve të drejtë dhe dijetarëve në mënyrë që të mos e teproj sikurse e tepruan jehudët dhe nasarat (të krishterët). Së fundi, ata filluan të adhuronin profetët e tyre, të mirët dhe dijetarët, dhe u kërkonin ndihmë atyre. Ata ranë në idhujtari të madhe që është mëkat i pafalshëm.

Shpërndaje: