Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Periudha e pritjes për gruan të së cilës iu ka zhdukur burri

Imam Muhammed bin Isma’il es-Sanani (v. 1182)

Burimi: Badhlul-Meuxhud fi Hukmil-A’mar ue Imraatil-Mefkud, fq. 282-286

Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Në kohën e Umer bin Khatabit (radijAllahu anhu) ndodhi që burri i një gruaje u zhduk. Umeri tha: “Ajo duhet të presë 4 vite, pastaj e mban periudhën e saj të pritjes katër muaj e dhjetë ditë.” Transmeton Maliku dhe Shafiu i cili fillimisht e kishte këtë mendim.
Transmetohet nga Mugire bin Shu’be se profeti ka thënë:

في المفقود لا تتزوج امرأته حتى يأتيها الخبر

“Gruaja e burrit të zhdukur nuk duhet të martohet (sepse ajo është gruaja e tij) derisa t’i arrij lajmi nga ai.”

Kështu është transmetuar nga Darakutni dhe ky transmetim është i dobët sipas Ebu Hatimit, Bejhekiut, Abdul-Hak-it, Ibnul-Kattanit dhe shumë të tjerëve.

Ibn Ebi Shejbe transmeton përmes Se’id bin Musejjib-it se Umer bin el-Khatabi dhe Uthman bin Afani (radijAllahu anhuma) kanë thënë në lidhje me gruan e burrit të zhdukur: “Ajo duhet të presë katër vjet. Pastaj ajo ka periudhën e saj të pritjes katër muaj.”

Transmeton Ebu ‘Ubejd nga Xhabir bin Zejd se ai ishte prezent kur Ibn Abbasi dhe Ibn Umeri (radijAllahu anhuma) diskutuan për gruan e burrit të zhdukur.

Ndër tjerash, ata thanë: “Ajo duhet të presë katër vjet. Pastaj, ajo ka periudhën e pritjes sikur të gruas që i ka vdekur burri.”

Prandaj themi se, këta katër sahabë janë unanim në këtë gjykim. Askush nuk ka thënë diçka tjetër përveç asaj që është transmetuar nga Abdurr-Rrazaku se Aliu (radijAllahu anhu) ka thënë: “Gruaja e burrit të zhdukur është grua që është sprovuar. Ajo duhet të durojë deri sa ajo të vdes apo t’i arrij lajmi për shkurorëzim.”

Është transmetuar se Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) ishte dakord me këtë gjë. Megjithëkëtë unë nuk e di nëse transmetimi i Aliut (radijAllahu anhu) është autentik.

Mendimin e Umerit e ka Maliku, Ahmedi dhe Is’haku, gjithashtu është transmetuar nga Ibn Mesudi dhe një grup i tebiinëve sikurse en-Nakhai, A’ta bin Rabaha, ez-Zuhrij, Mekhuli dhe esh-Sha’bij.

Sigurisht se, argumenti i Umerit (radijAllahu anhu) dhe i te tjerëve që kemi përmendur më lartë, se është e njohur që sheriati ndalon që sperma e dy burrave të gjendet në një grua në të njëjtën kohë. Shumica e dijetarëve thonë se shtatzënia e një gruaje nuk i kalon më shumë se katër vite. Kur të kaloj koha e zhdukjes së burrit të saj, bëhet e njohur se ajo nuk është shtatzënë dhe se nuk ka rrezik që sperma e dy burrave njëkohësisht të gjendet në të. Pos kësaj, ajo pret një periudhë pritjeje të gruas të së cilës i ka vdekur burri pikërisht sepse është e mundur që burri i saj të ketë vdekur.

Shpërndaje: