Shejkh Abdurr.Rrahman el-Axhlan
Burimi: http://youtu.be/03lGlPGZss8
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “A është haram pirja e duhanit?”
Përgjigje: “Ai po pyet a është duhani haram? Kurse ne i themi pyetësit: A është duhani prej gjërave të mira-të pastra, apo prej gjërave të këqija?
Kjo është pyetja e parë.
Ndërsa pyetja e dytë: Duhani a është i dobishëm apo i dëmshëm?
Asnjë i mençur, nuk mund të thotë se duhani është prej gjërave të mira për shkak të papastërtisë që ai përmban dhe për shkak të dëmit që shkakton.
Gjithashtu, asnjë i mençur nuk thotë se, duhani bën dobi apo të thotë se, as nuk bën dobi e as dëm. Edhe ata që pinë duhan, thonë se ai është i dëmshëm. Dhe mjekët janë të një mendimi se ai është i dëmshëm. Sikurse të ishte vetëm njëra prej këtyre dy gjërave që i përmendëm, prapëseprapë do të ishte haram. Duhani është i keq.Ndërsa Allahu e ka cilësuar Profetin tonë (sal Allahu alejhi ue selem) duke thënë se ai na lejon neve gjërat e mira (të pastra) dhe na ndalon gjërat e këqija (të fëlliqura). Pra, duhani është i ndaluar edhe për shkak të fëlliqësisë që përmban.Gjëja e dytë është se, duhani është i dëmshëm. Dhe çdo gjë që është e dëmshme është e ndaluar edhe nëse nuk është i keq (fëlliqur).
Për shembull: Dheu, a është i fëlliqur? Përgjigja është: Jo. Allahu dheun e ka quajtur të pastër. dhe përdoret për pastrim në mungesë të ujit apo atëherë kur ndokush nuk ka mundësi ta përdorë ujin për arsye të justifikueshme. Dhe nuk është e drejtë që, dheun ta quajmë të fëlliqur, përderisa Allahu e ka quajtur të pastër. Mirëpo, dheu është i dëmshëm. Nëse ndonjë njeri ha dhe, a mund t’i themi atij se, mos e bëj këtë se ngrënia e dheut është haram? Ai do të na thotë: A është dheu i fëlliqur? Ne i themi: Jo, nuk është i fëlliqur, mirëpo ai është i dëmshëm. Pra, ngrënia e dheut është haram, sepse si i tillë është i dëmshëm.
Ndërsa tek duhani, janë bashkuar dy gjëra: E keqja (fëlliqësia) dhe dëmi që shkakton. Prandaj, pirja e duhanit është haram, dhe nuk mund të thotë asnjë njeri i mençur se duhani është i mirë (i pastër).
Është obligim për çdo mysliman, që të heq dorë nga pirja e duhanit. Ta shërojë vetveten duke u larguar nga pirja e duhanit gradualisht, të shoqërohet me njerëz të mirë, të prezentojë nëpër derse të ndryshme, të lexojë Kur’an. Gjithashtu, të largohet nga ndeja të kota, veçanërisht në ato vende ku pihet duhani.
Me marrjen në konsideratë të këtyre masave, me lejen e Allahut do të shpëtojë nga pirja e duhanit.
Gjithashtu, duhet ndihmuar veten duke bërë adhurime që të ofrojnë më afër Allahut, me agjërim (nafile), lexim sa më shumë të Kur’anit, të falë namaz nafile, të jetë i rregullt në xhami, të rrijë larg vendeve të këqija. Pra, me lejen e Allahut njeriu shpëton nga ai. Lënia e pirjes së duhanit, është shpëtim për trupin e tij, shpëtim i fesë dhe pasurisë së tij.”