Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Prej dobive më madhështore që kam fituar në jetën time

Shejkh Abdurr-Rrezak bin Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Një person mund të thotë një fjalë në lidhje me një situatë të caktuar dhe Allahu (subhanehu ue teala) si shkak i kësaj fjale, mund të japë begati te krijesat. Nëpërmjet saj, Allahu (subhanehu ue teala) jep dobi tek krijesat. Madje ndonjëherë prej begatisë që Allahu jep në disa persona, është dhe fakti që Ai udhëzon përmes tyre pa thënë ata ndonjë fjalë. Një person e sheh atë dhe moralin e tij, adhurimin dhe devotshmërinë e tij, fetarinë dhe frikën që ai i ka Allahut, dhe ai ndikohet nga kjo duke qenë ky një shkak për udhëzimin e tij, edhe pse ai kurrë nuk ka folur me të.

Unë do t’ju tregoj një ndodhi që më ka ndodhur mua personalisht në lidhje me këtë çështje, në lidhje me një person prej të cilit kam përfituar një dobi të madhe që nuk do ta harroj kurrë në jetën time. Unë nuk fola me të dhe as nuk e dija se kush ishte ai, dhe as nuk patëm ndonjë bisedë me njëri tjetrin. Megjithatë, nuk e kam harruar atë dobi me të cilën Allahu më nderoi dhe ma dhuroi si shkak i këtij individi.

Jini të vëmendshëm! Unë nuk fola me të, as nuk e di kush ishte. Dhe nuk e di nëse është gjallë apo jo. Unë nuk e di emrin e tij dhe as nuk pati ndonjë bisedë midis nesh. Kur e përfitova këtë dobi, nuk më kujtohet që të kem folur me të, përkundrazi e ruajta në veten time. Dhe këtë e konsideroj nga dobitë më madhështore që kam përjetuar në tërë jetën time!

Në këtë xhami të bekuar (xhaminë profetike), unë falja namaz nate gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit duke lexuar tre xhuze e gjysmë. Në teslimin e parë (dy rekatet e para) lexova një xhuz të plotë. Po ashtu, në dy rekatet e tjera një xhuz të plotë. Në të 3, të 4, të 5, në secilin prej tyre, gjysmë xhuzi dhe pastaj në fund vitrin.

Një herë, një burrë nga Indonezia u fal para meje. Ai erdhi në xhami duke u mbështetur në paterica, njëra nga këmbët e tij ishte e amputuar, nuk mund të kujtoj nëse ishte e djathta apo e majta, ishte e amputuar që nga gjuri, ishte e amputuar që nga gjuri. Kështu që një natë prej netëve, ai u fal para meje. U fal para meje, drejtpërdrejt, nuk kishte midis tij dhe meje asnjë tjetër, siç është lexuesi tani para nesh. Ai u fal dhe ishte përpara meje gjatë asaj nate.

Unë po ua tregoj këtë dhe ju mund ta transmetoni këtë nga unë. Unë e pashë vetë këtë gjë me sytë e mi. Ai e fali tërë namazin e tij ku lexoi tre xhuze e gjysmë duke qëndruar në këmbë, pa paterica, duke qëndruar vetëm në njërën këmbë! Unë e dëshmova këtë me sytë e mi. Dhe Allahu është dëshmitar për këtë! Ai e fali tërë namazin e natës pa ndonjë patericë. Patericat ishin në dysheme ndërsa ai fali tërë namazin e natës në njërën këmbë!

Nga ajo natë, unë përfitova një dobi që e konsideroj prej dobive më madhështore në jetën time dhe ajo është se dobësia (paaftësia), nuk qëndron te gjymtyrët por ka të bëjë me zemrën. Dobësia nuk qëndron te gjymtyrët por ka të bëjë me zemrën. Dobësia është në zemrën e njeriut. Për shkak të kësaj, një individ mund të jetë shumë i fortë dhe i angazhuar në aktivitete sportive ekstreme që vetëm një pjesë e vogël e njerëzve janë në gjendje t’i kryejnë, por kur thirret ezani për namazin e sabahut, mbulesën e lehtë të shtratit me të cilën e ka mbuluar trupin e tij, nuk është në gjendje që ta ngrejë për t’u ngritur që të falë namazin.

Ku është forca që ai zotëron?! Ai nuk është në gjendje ta ngrejë atë! Ndërkohë, ai është në gjendje të vrapojë një distancë të gjatë pa u lodhur! Ku është ajo fuqi fizike dhe zhdërvjelltësi e trupit që ai posedon?! Ndërsa ai nuk është në gjendje të ecë disa hapa drejt xhamisë që është pranë. Ku është forca?! Ky është ai që është i dobët dhe i paaftë edhe nëse trupi i tij është i fortë!

Ndërkohë që shihni të tjerë që kanë trupa jashtëzakonisht të dobët e përkundër kësaj, forca e zemrave të tyre, forca e besimit të tyre i sjell në shtëpitë e Allahut (xhamitë) dhe bën që ata të jenë të nënshtruar ndaj Tij.

Kjo është një dobi e madhe të cilën po e tregoj megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë. Kjo është një dobi e madhe që e përfitova nga ky person kur isha i ri. E përfitova nga ky person kur isha i ri. Nuk e di kush është ai dhe as nuk e di nëse është gjallë apo jo, dhe me këtë rast unë e lus Allahun (azze ue xhel) që ta shpërblejë atë person me shpërblimin më të mirë.

Shpërndaje: