Imam Ibn Kajim El-Xheuzijeh (v. 751)
Zad-ul-Mead
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ai ﷺ kishte prejardhjen më fisnike ndër të gjithë banorët e tokës sepse paraardhësit e tij ishin më të nderuarit dhe më fisnikët. Për këtë kanë dëshmuar edhe armiqtë e tij.
Njëri prej tyre ishte Ebu Sufjani, i cili kur u pyet nga perandori romak, dëshmoi se Muhamedi ﷺ ishte nga njerëzit më fisnikë, nga fisi më fisnik dhe ndër më të nderuarit e fisit të tij.
Ai është Muhamedi, biri i Abdullahut, biri i Abdul-Mutalibit, biri i Hashimit, biri i Abdul-Menafit, biri i Kusejjit, biri i Kilabit, biri i Murrehut, biri i Ka’bit, biri i Lu’ejjit, biri i Ghalibit, biri i Fahrit, biri i Malikut, biri i En-Nedrit, biri i Kinanës, biri i Khuzejmes, biri i Mudrikes, biri i Iljasit, biri i Mudarit, biri i Nizarit, biri i Ma’addit dhe biri i Adnanit.
Deri te ky brez i përmendur njihen në mënyrë autentike dhe të sigurt paraardhësit e tij.
Të gjithë dijetarët e selefit janë të një mendimi në këtë çështje pa ndonjë mospajtim. Mospajtimet ekzistojnë vetëm lidhur me paraardhësit pas Adnanit. Megjithatë, nuk ka dyshim se Adnani është nga pasardhësit e Ismailit alejhis-selam.