Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Që të dy prindërit duhet të merren me edukimin e fëmijëve

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: “El-Fetaua el-Kajjimeh lil-Usratil-Muslimeh”, fq. 149
Përmblodhi: Sad Abdul-Gaffar Ali
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Unë jam një grua që kam djem dhe vajza. Pasi që vajzat janë me mua shumicën e kohës, unë kam qenë në gjendje që t’i edukojë mirë ato. Ndërsa kur jemi tek djemtë, disa prej tyre tani më janë të rritur dhe nuk po mund t’i edukojë ata ashtu siç duhet. Babai i tyre punon gjatë gjithë ditës. Kur unë i them që të merret paksa me ta, ai fjalët e mia i merr me të keqe.

Prandaj, dua të di se, a jam mëkatare unë në lidhje me këtë gjë? Gjithashtu, do ishte mirë sikur t’i drejtoheshit me ndonjë këshillë baballarëve, që ata të merren më shumë më fëmijët e tyre dhe të lënë anash paksa punët e tyre ditore.

Përgjigje: Unë e falënderoj këtë grua që ka edukuar bijat e saj dhe që ka dhënë mundin e saj në këtë drejtim. Ndërsa shpresoj që edhe babai i fëmijëve tuaj të filloj të kujdeset për ta, duke të ndihmuar që edhe djemtë tuaj të jenë në rrugën e drejtë. Në rast se kjo ndodhë, atëherë kjo është e mirë për ju të dy, ngase do të përfitoni në të dy jetët dhe do të përfitoni edhe në jetën tuaj në varr. Allahu (Te ala) ka thënë:

قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

“Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” 66:6

Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:

“Kur njeriu vdes i ndërpriten veprat e tij, përveç tre gjërave: sadakaja e rrjedhshme, dija e dobishme (nga e cila përfitojnë njerëzit), ose një fëmijë i devotshëm që lutet për të.”

Transmeton Muslimi (1631).

Nëse babai edukon fëmijët sikurse ka urdhëruar Allahu dhe i dërguarit i Tij (salAllahu alejhi ue selem) ai do të fitojë shumë të mira nga kjo gjë. Fëmijët e tij do të luten për të kur ai është i gjallë dhe kur ai të vdes. Nëse prindi nuk e bën këtë dhe neglizhon edukimin e tyre, le ta dijë se ai është mëkatar. Në këtë rast, fëmijët e tij vetëm sa do të jenë barrë për të!

Ne shpresojmë se babai të fillojë t’i kushtojë rëndësi fëmijëve të tij sikur se ai i jep rëndësi fitimit të pasurisë, bile edhe më shumë se kjo. Pasuria vjen dhe shkon, ndërsa fëmijët janë pjesë e qenies njerëzore. Ata janë ata që vërtet do t’i sjellin atij dobi kur ai është gjallë dhe kur të vdes, atëherë kur ai ka nevojë më së shumti.

Shpërndaje: