“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Rikthimi i bashkëshortes

Imam Muvefekud-Din bin Kudameh el-Makdisi (v. 620)

Burimi: Umdetul-Fikh (1/105)
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Në qoftë se burri e ndan gruan e tij pasi ka pasur marrëdhënie seksuale me të pa asnjë kompensim dhe ka më pak se tre shkurorëzime, ai ka të drejtë ta kthejë atë, përderisa periudha e saj e pritjes ende nuk ka mbaruar. Allahu Subhanehu ue Te’alas ka thënë:

وَبُعُولَتُهُنَّ أَحَقُّ بِرَدِّهِنَّ فِي ذَلِكَ إِنْ أَرَادُواْ إِصْلاَحًا

“Burrat e tyre, nëse dëshirojnë mirësi dhe qetësi, kanë të drejtë t’i kthejnë gjatë këtij afati.” 2:228

Rikthimi bëhet në këtë mënyrë: burri i thotë dy dëshmitarëve: “Dëshmoni se unë e kam rikthyer gruan time pa përgjegjës të saj, pa dhuratë martese shtesë dhe pa pëlqimin e saj.”

Gjithashtu, nëse ai ka marrëdhënie seksuale me të, kjo konsiderohet rikthim i gruas.

Gruaja në periudhën e pritjes mund të shkurorëzohet përfundimisht nëse gjatë kësaj periudhe ata nuk kanë pasur marrëdhënie intime. Gjithashtu, ajo ka të drejtë të zbukurohet për burrin e saj, ta respektojë atë, ata mund të kenë marrëdhënie intime, mund të veçohen dhe mund të udhëtojnë së bashku.

Në rast se burri e kthen gruan e tij gjatë kësaj periudhe, asaj i numërohet ky si një shkurorëzim. E nëse ai nuk e kthen atë, ku pas përfundimit të periudhës ajo martohet me një burrë tjetër dhe më pas prapë shkurorëzohet dhe martohet me burrin e saj të parë, asaj i numërohen shkurorëzimet e mbetura me të.

Nëse ata nuk bien dakord nëse periudha e pritjes së saj ka mbaruar apo jo, fjalët e gruas kanë përparësi në rast se ajo betohet – gjithnjë duke pas parasysh se periudha e pritjes ka pasur mundësi që ka mbaruar.

Nëse periudha e pritjes ka mbaruar dhe burri pretendon se ai e ka rikthyer gruan e tij përgjatë periudhës së pritjes, kurse ajo e refuzon një gjë të tillë, në këtë rast fjalët e gruas kanë përparësi. Por në qoftë se burri ka prova për pretendimet e tij, atëherë fjalët e tij kanë përparësi. Nëse burri ka provuar pretendimet e tij, qoftë edhe pas martesës së saj me dikë tjetër, ajo i kthehet burrit të parë pavarësisht nëse bashkëshorti tjetër ka pasur marrëdhënie intime me të apo jo.

Shpërndaje: