Imam Ali bin Ala-id-Din bin Ebil-´Izz el-Hanefi (v. 792)
Burimi: Sherh Akideh et-Tahauijjeh” 1/329-330
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Të mos e ngjasosh Allahun me dikë dhe me diçka, do të thotë ta cilësosh Ashtu siç e ka cilësuar Ai Veten e Tij, duke mohuar (ngjasimin me krijesat) dhe konfirmuar (atë që ka ardhur në Kuran dhe Sunnet). Dhe ky është kuptimi i ajetit të parë të sures el-Ikhlas:
قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ
“Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!” 1:112
Gjithashtu, Ai ka cilësi të veçanta si askush tjetër:
اللَّهُ الصَّمَدُ {2} لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ
“Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.” 2-3:112
Dhe, askush prej krijesave nuk i përngjan Atij:
وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ
“Dhe askush nuk është i barabartë (as i krahasueshëm) me Atë!” 4:112
Ajeti i fundit, është përforcim i asaj që u tha në ajetet paraprake, ajet i cili konfirmon cilësitë e Allahut dhe mohon ngjasimin me cilësitë e krijesave.
Është me rëndësi të dihet se, as cilësitë e Allahut dhe as cilësitë e veprave të Allahut nuk i ngjasojnë askujt. Pra, Allahu është i veçantë në të dyja këto aspekte. Këtë gjë në formën më të përgjithësuar e mohon edhe ajeti tjetër, në të cilin Allahu (te ala) thotë:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ
”Asgjë nuk i përngjason Atij.” 42:11
Myslimanët janë ndarë në tre grupe në lidhje me këto shprehje:
Ata të cilët i mohojnë këto.
Ata të cilët i konfirmojnë pa asnjë dallim.
Ata të cilët konfirmojnë atë që ka ardhur në Kuran dhe Sunnet, duke mohuar përngjasimin me diç tjetër. Dhe këta janë Pasuesit e Selefëve.
Këta të fundit, nuk mohojnë në formë të përgjithshme dhe as nuk pohojnë ashtu, përveç nëse për këtë ka argument. Pra, në rast se diçka prej cilësive të Allahut konfirmohet, ajo ashtu pranohet, dhe nëse diçka mohohet mbetet e tillë dhe nuk është ndryshe.
Gjejmë se, disa nga të mëvonshmit kanë përdorur shprehje të përgjithshme duke lënë shumëçka të pakuptimtë (rreth besimit të saktë të tyre rreth çështjeve të cilësive të Allahut), ashtu siç edhe kanë vepruar në fusha të tjera. Dhe kështu, shumë prej tyre përdorin shprehjet të përgjithshme jo në kuptimin e vërtetë gjuhësor të cilin e ka. Prandaj, ata të cilët mohuan cilësitë e Allahut, kanë mohuar atë që duhet dhe atë që nuk duhet. E në të njëjtën kohë, për ata të cilët konfirmojnë cilësitë e Allahut, thonë fjalë të cilat në realitet ata nuk i thonë! Gjithashtu, ka prej të tjerëve (është fjala për grupin e dytë të lartpërmendur) që konfirmojnë cilësitë e Allahut, duke futur në këtë konfirmim diçka që në realitet është e padrejtë dhe që është në kundërshtim me thëniet dhe botëkuptimin e selefëve! Pra, nuk është për ne që të konfirmojmë apo të mohojmë për Allahun diçka për të cilën nuk kemi argument nga Kurani dhe Sunneti. Sepse, ne jemi pasues të argumentit dhe jo novatorë.
Prandaj, në këtë kapitull, është fjala në emrat dhe cilësitë e Allahut, duhet shikuar atë që ka konfirmuar apo mohuar Allahu për Vetveten e Tij dhe i Dërguari i Tij salallahu alejhi ue selem. Në rastin e tillë e konfirmojmë gjegjësisht mohojmë edhe ne. Gjithashtu, nuk i ngjasojmë cilësitë e Allahut me të askujt.