Hafidh Ahmed bin Haxher el-Askalani (v. 852)
Burimi: Fet’hul Bari Sherh Sahih El-Bukhari, vëll1/fq. 110-111
Kitabul Iman, kap 36: “Frika e besimtarit se mos i asgjësohen veprat e tij ndërkohë që ai nuk e kupton këtë.”
Dhe ka thënë ibn ebi Mulejke: ”Kam takuar tridhjetë shokë të profetit ﷺ dhe të tërë ata frikësoheshin nga nifaku për veten e tyre dhe asnjëri prej tyre nuk thoshte se imani i tij ishte si imani i Xhibrilit apo Mikailit.” 1
Bukhari e ka sjellë këtë transmetim në formën mualak (pa zinxhir transmetimi midis tij dhe ibn ebi Mulejkes), ndërsa e ka sjellë me zinxhir të plotë transmetimi (në formën meusul) ibnu ebi Khajtheme në ”Tarikhun” e tij por në transmetimin e tij, numri i sahabëve prej të cilëve ibn ebi Mulejke e transmeton këtë thënie është tepër i lartë, po ashtu e ka transmetuar Muhamed ibn Nasr el Meruezi në një transmetim të gjatë në librin e tij ”El Iman”, dhe po ashtu Ebu Zurah ed-Dimashki në ”Tarikhun” e tij por me zinxhir tjetër transmetimi, teksti i të cilit është i shkurtuar siç është dhe këtu. Dhe prej sahabëve me të cilët është takuar ibn ebi Mulejke, më të njohurit prej tyre janë, Aishah dhe motra e saj Esma, Ummu Seleme, el-ebadile erba (d.m.th të 4 Abdullahët që janë Abdullah ibn Umer, Abdullah ibn Abbas, Abdullah ibn Amr ibnul As, Abdullah ibn Zubejr), Ebu Hurejra, Ukbe ibnul Harith, Misuar ibnul Makhrem, dhe prej këtyre sahabëve ai ka dëgjuar hadithe. Në moshë të vogël ai ka mbërritur sahabë akoma më të mëdhenj si Ali ibn ebi Talib, Sead ibn ebi Uekas. Ibn ebi Mulejke tha me bindje të plotë që sahabët frikësoheshin prej nifakut në veprat e tyre dhe nuk është transmetuar nga dikush tjetër diçka e kundërt, gjë e cila tregon sikur kjo të jetë ixhma e tyre. Kjo për arsye se tek besimtari mund të shfaqen vepra që mund ta cenojnë sinqeritetin e tij në adhurim dhe nga ana tjetër, fakti që besimtari frikësohet prej nifakut në veprat e tij, kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht ai ka rënë në nifak. Përkundrazi, ky lloj hiperbolizimi në thënien e tyre është tërheqje vëmendjeje dhe tregon devotshmërinë e sahabëve dhe frikën e madhe që kishin ndaj Allahut, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.
1 Imam Bukhari në “Tarikh el-Kebir” vëll5/fq. 137: Ka thënë Hasen ibnu Rabi, na ka transmetuar Abdul Xhebar ibnul Uerid, kunja e të cilit është Ebu Muhammed, Muhammed ibnu Seid i cili ka thënë: Ka thënë vëlla Jahja ibnul Jeman nga Sufjani, nga Ibn Xhurejxhi dhe ky nga ibnu ebi Mulejke: ”Kam takuar tridhjetë shokë të profetit ﷺ dhe të tërë ata frikësoheshin nga nifaku për veten e tyre dhe asnjëri prej tyre nuk thoshte se imani i tij ishte si imani i Xhibrilit apo Mikailit.”