“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Selefët ishin unanim në konfirmimin e Cilësive të Allahut

Alameh Muhammed bin Abdilah es-Subejjil 

Burimi: “Rasail fil-‘Akideti ued-Da’ueh”, fq. 6-7

Përgatiti: www.perlatmulsimane.com

Selefët ishin unanim në lidhje me konfirmimin e Cilësive të Allahut dhe në refuzimin e atyre të cilëve janë indiferent apo i mohojnë ato. Shembuj të tillë kemi shumë.

Bejhekiu dhe të tjerët transmetojnë se, el-Euzai ka thënë: “Ne jetonim dhe në mesin tonë ishin Tabiinët. Ndërsa e kishim zakon të thoshim: “Allahu ‘Azze ue Xhel është mbi Fronin (Arshin) e Tij, gjithashtu, besojmë në ato Cilësi që janë konfirmuar në Kuran dhe Sunnet.”

Imam Ahmedi ka thënë: “Obligim yni është që, Allahun ta përshkruajmë vetëm ashtu siç e ka përshkruar Ai Veten e Tij, ose siç e ka përshkruar i Dërguari i Tij salallahu alejhi ue selem. Asesi nuk guxojmë të dalim jashtë kufijve të Kuranit dhe Sunnetit.”

Nuajm bin Hammad – mësuesi i Buhariut – ka thënë: “Ai që e ngjason Allahun me krijesat ka dalë nga feja. Ai që mohon Allahun ashtu siç Ai e ka përshkruar Veten e Tij ka dalë nga feja. Nuk ka asnjë ngjasim apo krahasim me atë që Allahu e ka përshkruar Veten e Tij apo me atë që i Dërguari i Tij salallahu alejhi ue selem e ka përshkruar Atë. Allahu Subhanah nuk ka shok, askush nuk është si Ai dhe askush nuk është i barabartë me Të.”

Ebu Davud et-Tajalisi ka thënë: “Sufjani, Shu’beh, Hammad bin Zejd, Hammad bin Selemeh, Sheriik dhe Ebu ‘Auaneh nuk e kishin zakon as të përkufizonin, as të ngjasonin e as të krahasonin cilësitë e Allahut. Ata transmetonin hadithet e tilla pa thënë “Si ishin ato cilësi?” Në qoftë se ata pyeteshin, ata përgjigjeshin vetëm sipas transmetimit.”

Is´hak bin Rahojah ka thënë: “Ai që e përshkruan Allahun me ndonjë gjë duke i ngjasuar Cilësitë e Tij me ndonjë nga cilësitë e krijesave, ai nuk beson në Allahun e Plotfuqishëm!”

Prej fjalëve të Ebu Hanifes në librin e tij “El-Fikhul-Ekber” mes tjerash janë: “Ai nuk i ngjason asnjë prej krijesave të Tij.”

Pastaj, ai gjithashtu thotë: “Të gjitha Cilësitë e Allahut dallojnë nga cilësitë e krijesave të Tij. Ai ka dije por jo siç është dija jonë. Ai mundet, por jo siç mundemi ne. Ai sheh, por jo siç shohim ne.”

Kur Imam Maliku Allahu e mëshiroftë është pyetur në lidhje me mënyrën se si Allahu është ngritur mbi fronin e Vet, gjë e cila theksohet në ajetin:

 ثُمَّ اسْتَوَى عَلَى الْعَرْشِ

 “…e pastaj u ngrit mbi arsh.” 7:54

Ai u përgjigj: “Ngritja (el-istiua) është e njohur, por mënyra se si është e panjohur. Është e obligueshme që të besojmë në të, ndërsa të pyesim se si ka ndodhur kjo është bidat.”

Abdullah bin Nafi’ ka thënë: “Malik bin Enesi e kishte zakon të thoshte: “Allahu është mbi qiell, dhe dituria e Tij është çdo kund”.”

Ma’dan ka thënë: “Kam pyetur Sufjan eth-Theurin në lidhje me fjalët e Allahut Te’ala:

 وَهُوَ مَعَكُمْ

“Ai është me ju…” 57:4

Ai u përgjigj: “Kjo do të thotë: me diturinë e Tij.”

El-Khal-lal transmeton me një zinxhir që përbëhet vetëm prej imamëve se, Sufjan bin ‘Ujejneh ka thënë: “Rabi’ah bin Ebi Abdirr-Rrahman ishte pyetur se, si Allahu “është ngritur”, gjë e cila theksohet në ajetin:

 الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى

 “I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi arsh.” 20:5

Ai u përgjigj:“Ngritja (e Allahut mbi Fron) nuk është e panjohur, por mënyra se si është e pa kuptueshme. Mesazhi është prej Allahut, e përcjellë nga i Dërguari salallahu alejhi ue selem, kurse detyra jonë është që ta konfirmojmë ashtu siç është”!”

Është transmetuar se Ebu ‘Isa et-Tirmidhi ka thënë: “Allahu është mbi fronin e Tij, ashtu siç e ka përshkruar Veten e Tij në Librin e Tij. Dituria, Aftësia dhe Fuqia e Tij janë kudo.”

Fjalët e Selefëve (Allahu i mëshiroftë!) në këtë çështje janë të panumërta.

Shpërndaje: