“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Sherhu es-Sunneh 21-31

Ebu Muhammed el-Hasen ibn Ali ibn Halef el-Berbehari (i lindur në v. 253 h)

Burimi: Sherhu es-Sunneh

Me komentet e imam Feuzanit marrë nga libri i tij “Itihaful karij bitalikati ala Sherhis Sunneh”, dhe të alameh Ahmed en Nexhmit nga libri i tij “Irshadu es Sarij”, dhe me komente të alameh Abdul-Aziz er-Raxhihit dhe disa dijetarëve të tjerë

www.perlatmuslimane.com

Imam Barbahari ka thënë:

[21] Besimi se xheneti është i vërtetë dhe se zjarri është i vërtetë dhe se ata të dy janë të krijuar. Xheneti është në qiellin e shtatë dhe mbi të është arshi, kurse zjarri është në thellësinë e shtatë të tokës. Ata të dy janë të krijuar. Allahu e ka ditur numrin e banorëve të xhenetit dhe kush do hyjë në të dhe po ashtu numrin e banorëve të zjarrit dhe kush do të futet në të. Ata të dy (xheneti dhe zjarri) nuk kanë për t’u zhdukur kurrë, por do të qëndrojnë bashkë me qëndrimin e Allahut të Lartmadhëruar përjetësisht në pafundësi. Ademi (alejhi-selam) ishte në xhenetin e përjetshëm e të krijuar, pastaj u nxor prej tij pasi shkeli urdhrin e Allahut.

Shpjegimi

Siç ka ardhur në hadithin e Ibn Abbasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy), se i dërguari i Allahut kur ngrihej për namazin e natës thoshte:

“O Zoti ynë! Vetëm Ty të takon falënderimi. Ti je Drita e qiejve dhe tokës. Vetëm Ty të takon falënderimi. Ti je Mbajtësi i qiejve dhe tokës. Vetëm Ty të takon falënderimi. Ti je Zoti i qiejve dhe tokës dhe çka ndërmjet tyre. Ti je i Vërteti, premtimi Yt është i vërtetë; fjala Jote është e vërtetë; takimi me Ty është i vërtetë, xheneti dhe xhehenemi janë të vërtetë, dita e fundit është e vërtetë…” Hadithin e ka nxjerrë Bukhariu (1120) dhe Muslimi (769) e teksti është i tij.

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) në ”Usulu es-Sunneh” thotë: “Xheneti dhe zjarri janë të krijuar dhe tashmë ekzistojnë, ashtu siç është transmetuar nga i dërguari i Allahut :

“Hyra në xhenet dhe pashë kështjellat.”

“Dhe pashë Keutherin.”

“Shikova në xhenet dhe vërejta se shumica e banorëve të tij ishin…”

“Shikova në xhehenem dhe vërejta… kështu dhe ashtu.”

Kush pretendon se ata të dy (xheneti dhe zjarri) nuk janë krijuar, atëherë ai është përgënjeshtrues i Kuranit dhe thënieve të të dërguarit të Allahut dhe unë nuk mendoj se ai beson në xhenetin dhe zjarrin.” Ashtu siç është te fjala e Allahut:

“Kështu pra bëri Ademi duke mos iu bindur Zotit të tij dhe duke gabuar. Pastaj Zoti i tij e zgjodhi atë (nga mëshira e Tij) dhe iu kthye atij duke e falur dhe duke e udhëzuar atë.” (Ta Ha: 121-122)

[22] Besimi në lidhje me Mesihu-Dexhallin.       

Shpjegimi

“Komisioni i Përhershëm për Kërkime dhe Fetva”, nr.7114 thonë:

“Dexhall rrjedh nga fjala dexhele që do të thotë të gënjesh (shumë) dhe të frikësosh, sepse ai do të pretendoi që është Zot dhe kjo është prej gënjeshtrave më të mëdha.

Ai tani ekziston, ndërsa sa i përket verbërisë së tij (në njërin sy) ajo është reale, pasi origjina tek fjalët është realiteti.

Dalja e Mesihu-Dexhallit është diçka e cila është vërtetuar nga profeti në shumë hadithe të sakta dhe muteuatire.”

Imam Albani thotë: “Nuk ka asnjë sprovë më të madhe se ajo e Dexhallit, kjo duke u bazuar në tekstin e qartë të hadithit:

“Nga Ademi deri tek kijameti, nuk ka sprovë më të dëmshme se sprova e Mesihu-Dexhallit.”

Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=Am2-NwMp73o

[23] Besimi në zbritjen e Isait birit të Merjemes ﷺ, i cili do të zbresë dhe do ta vrasë Dexhallin, do të martohet, do të falet pas prijësit prej familjes së Muhammedit ﷺ, do të vdesë dhe do e varrosin (Isain) muslimanët.

Shpjegimi

”Besimi në zbritjen e Isait birit të Merjemes ﷺ.”

Ashtu siç ka ardhur në hadithin të cilin e transmeton Hudhejfe ibn Esid el-Gafari (radijAllahu anhu), i cili ka thënë:

“Na erdhi profeti ﷺ, e ne ishim duke përkujtuar, e na tha: -Çfarë jeni duke përkujtuar? Thamë: -Po përkujtojmë kijametin. Tha: -Ai nuk ka për ndodhur derisa të shihni para ardhjes së tij dhjetë shenjat. E përmendi; Tymin, Dexhallin, kafshën, lindjën e diellit nga perëndimi, zbritjen e Isait birit të Merjemes…” Hadithin e transmeton Muslimi (2901).

”… i cili do të zbresë dhe do të vrasë Dexhallin, do të martohet.”

Shpjegimi:

Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri ka thënë:

311 – Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) transmeton se i dërguari i Allahut  ka thënë:

“Ibn Merjem ﷺ do të zbresë si gjykatës i drejtë. Ai do të thyej kryqin, do të mbytë derrin dhe të shfuqizojë xhizjen. Do të ketë aq shumë pasuri saqë askush nuk do t’i pranojë ato.” Transmeton Muslimi (242), Ahmedi (2/493), Ibn Hibani (6816) dhe të tjerë.

312- Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) transmeton se i dërguari i Allahut  ka thënë:

”Profetët kanë nëna të ndryshme por feja e tyre është një. Askush nuk është më afër me Isa bin Merjemin ﷺ se unë sepse nuk ka asnjë profet midis nesh. Ai ﷺ do të zbresë. Kur ta shihni atë, ju do ta njihni atë. Ai është me gjatësi mesatare të trupit dhe ai është i bardhë. Është sikur flokët e tij pikojnë edhe pse ato nuk janë të lagura. Ai do të thyej kryqin, do të mbytë derrin dhe do të shfuqizojë xhizjen. Pasuria do të shtohet shumë. Ai do të luftojë kundër njerëzve për çështjen e Islamit derisa Allahu të bëjë që të shfarosë të gjitha fetë përveç Islamit dhe të vras gënjeshtarin me një sy, Mesinë e devijimit. Pastaj do të ketë paqe në tokë. Luanët do të bredhin me devetë, tigrat me lopët, ujqit me delet dhe fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë. Askush nuk do të lëndojë dikë. Ai do të jetojë dyzet vjet. Pastaj ai ﷺ vdes dhe muslimanët do t’ia falin namazin e xhenazes.” Transmeton Ebu Daudi (4324), Abdurr-Rrezzaki (20.845) Ahmedi (2/406) dhe të tjerë. Albani ka thënë: Hadithi është autentik. (Sahih Sunen Ebu Daud (3/32)).

313 – Ata që do të luftojnë me Isain  janë umeti i Muhammedit . Isai ﷺ do të luftojë kundër jehudëve të cilët do të jenë me Dexhallin. Isai ﷺ do ta mbytë Dexhallin dhe muslimanët do të mbysin jehudët.

314 – Ibn Umeri (radijAllahu anhu) transmeton se i dërguari i Allahut  ka thënë:

”Ju do të luftoni kundër jehudëve dhe do t’i mbytni ata. Edhe gurët do të thonë: ”O musliman! Është një jehudi këtu. Eja dhe mbyte!” Transmeton Bukhariu (2222), Muslimi (2,921) Tirmidhiu (2236) dhe të tjerë.

”…do të falet pas prijësit prej familjes së Muhammedit ﷺ.”

Ashtu siç ka ardhur në hadithin të cilin e transmeton Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Hadithin e ka nxjerrë Muslimi (156).

”…do të vdesë dhe do e varrosin (Isain) muslimanët.”

Ashtu siç ka ardhur në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). E ka nxjerrë këtë hadith Ahmedi (2/406) me nr. 9270 dhe Daudi në Sunenin e tij (4324). Hadithin e ka saktësuar Albani në Silsiletu es-Sahihah 2182.

[24] Imani (besimi) është fjalë dhe vepër, vepër dhe fjalë, nijet dhe (punë, veprim) shtohet dhe pakësohet. Shtohet aq sa të dëshirojë Allahu dhe pakësohet aq sa nuk mbetet prej tij asgjë.

Shpjegimi:

Imam Ahmed ibn Hanbeli (rahimehullah) ka thënë në ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq.405-407

“Besimi përbëhet prej fjalës dhe veprës, ai shtohet dhe mangësohet”.

I dërguari ﷺ ka thënë:

“Besimtari me besim më të plotë është ai me moral të mirë.” Ebu Daudi (4682) dhe Tirmidhi (1162). I mirë sipas Albanit.

“Besimi është më shumë se shtatëdhjetë degë. Më e larta e tij është fjala “La ilahe ilAllah – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut”, dhe më e ulëta është të largosh diçka të dëmshme nga rruga. Turpi është gjithashtu një degë nga degët e besimit.” Muslimi (35).

[25] Më të mirët e këtij populli pas vdekjes së profetit të tij janë Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani. Kështu na është transmetuar prej Ibn Umerit se ka thënë: “Ne thoshim, ndërsa i dërguari i Allahut ﷺ ishte në mesin tonë, se njerëzit më të mirë pas të dërguarit të Allahut ﷺ janë Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani. Profeti ﷺ e dëgjonte këtë dhe nuk e kundërshtonte.” Pastaj njerëzit më të mirë pas këtyre janë Aliu, Talha, Zubejri, Sa’di, Seidi, Abdurr-Rrahman ibn Auf dhe Ubejdeh ibn el-Xherrah. Të gjithë ata ishin të denjë për të qenë kalifë.  E pas këtyre njerëzit më të mirë janë shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ, brezi i parë në të cilin ai u dërgua, pastaj Muhaxhirët e parë dhe Ensarët dhe ata janë që u falën drejt dy kiblave. E pas këtyre njerëzit më të mirë janë ata që e kanë shoqëruar të dërguarin e Allahut ﷺ ndonjë ditë, muaj apo vit, qoftë më shumë apo më pak. Duke kërkuar mëshirë për ta, duke i përmendur meritat e tyre si dhe duke mos i shfaqur të metat e tyre. Kujtoje secilin prej tyre vetëm se për mirë duke u bazuar në fjalën e të dërguarit të Allahut ﷺ:

“Kur të përmenden shokët e mi, përmbahuni (kini kujdes kur flisni).”

Ibn Ujejneh ka thënë: “Kush flet në lidhje me shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ qoftë edhe një fjalë të vetme, ai është pasues i epshit.”

Profeti ﷺ ka thënë:

“Shokët e mi janë porsi yjet. Cilindo prej tyre të pasoni, keni për t’u udhëzuar.”

Shpjegimi

Më të mirët e këtij populli pas vdekjes së profetit të tij janë Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani. Kështu na është transmetuar prej Ibn Umerit se ka thënë: “Ne thoshim, ndërsa i dërguari i Allahut ﷺ ishte në mesin tonë, se njerëzit më të mirë pas të dërguarit të Allahut ﷺ janë Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani. Profeti ﷺ e dëgjonte këtë dhe nuk e kundërshtonte.” Hadithin e ka nxjerrë Bukhariu (3655 dhe 3698). Ndërsa për sa i përket asaj se profeti nuk e ka urryer një gjë të tillë, këtë e ka nxjerrë Ibn Ebi Asimi në Sunneh (1193) dhe e ka saktësuar shejkh Albani (Allahu e mëshiroftë) në Dhilalul Xheneh.

”Pastaj njerëzit më të mirë pas këtyre janë Talha.”

Ai është Talha ibn Ubejdil-Lah ibn Uthman ibn Amr el-Kureshi et-Tejmij, njëri nga gjashtë anëtarët e marrëveshjes për paqe ndërmjet muslimanëve dhe idhujtarëve të Mekës dhe një nga pesë njerëzit që u bënë muslimanë përmes davetit të Ebu Bekrit. Ishte prezent në luftën e Uhudit dhe tregoi trimëri. U godit me një shigjetë në ditën e luftës së Devesë dhe vdiq në vitin 36 h., në moshën 64 vjeç.

”Zubejri”

Ai është Ez-Zubejr ibn el-Auam ibn Khuejlid ibn Esed el-Kureshi, Ebu Abdullahu. I afërm i të dërguarit të Allahut, djalë i hallës së tij. Njëri nga gjashtë anëtarët e shuras (konsultës). E pranoi Islamin që në moshë të vogël dhe ka marrë pjesë në të dyja shpërnguljet (në Habeshe dhe në Medinë). Është vrarë në luftën e Devesë në vitin 36 h., është varrosur në Basra.

”Sa’idi”

Ai është Sead ibn Malik ibn Uhejb el-Kureshi, ez-Zuhri, Ebu Is’hak ibn ebi Uekas. Njëri nga gjashtë anëtarët e konsultës. Ka transmetuar shumë hadithe nga i dërguari . Ka qenë një prej kalorësve më të mirë dhe i pari që ka gjuajtur me shigjetë në rrugë të Allahut. Ka qenë koka që hapi Irakun dhe ishte i njohur për pranimin e lutjes që ai bënte. Ka vdekur në el-Akik, në vitin 55 h. dhe u transportua në Medinë. Ai ka qenë i fundit që ndërroi jetë nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet.

”Seidi.”

Ai është Seid ibn Zejd ibn Amr ibn Nufejl el-Adaui. Është shpërngulur në Medinë dhe ka marrë pjesë në luftën e Uhudit dhe të tjerat pas saj. Nuk ka qenë në Medinë në kohën e luftës së Bedrit dhe nuk ka marrë pjesë në të. Ka vdekur në el-Akik në vitin 50 h., por thuhet edhe pas këtij viti.

”Abdurr-Rrahman ibn Auf.”

Ai është Abdurr-Rrahman ibn Auf ibn Abdu Auf ibn Abdul-Harith el-Kurashi ez-Zuhri, Ebu Muhammed. Njëri nga gjashtë anëtarët e konsultës. Ka hyrë herët në Islam para se i dërguari të hynte në shtëpinë e Erkamit. Ka marrë pjesë në të dyja shpërnguljet dhe në luftën e Bedrit e të tjerat pas saj. Vdiq në vitin 32 h., në moshën 72 vjeç. 

”Ubejdeh ibn el-Xherrah.”

Ai është Amir ibn Abdullah ibn el-Xherrah ibn Hilal el-Kurashi el-Fehri, i njohur me pseudonimin e tij dhe me emrin e gjyshit të tij. Ka qenë njëri prej të parëve në Islam. Ka bërë dy shpërnguljet dhe ka marrë pjesë në luftën e Bedrit e të tjerat pas saj. Ky është ai që hoqi dy ganxhat nga fytyra e të dërguarit dhe i ranë dy dhëmbë. Ka vdekur në vitin 18 h., në moshën 58 vjeç.

”E pas këtyre njerëzit më të mirë janë shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ, brezi i parë në të cilin ai u dërgua, pastaj Muhaxhirët e parë, Ensarët dhe ata janë që u falën drejt dy kiblave.”

 Allahu (i Madhëruar) thotë:

“Sa u përket besimtarëve të parë, prej Muhaxhirëve dhe Ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” (Et-Teube: 100).

Po ashtu profeti ka thënë:

 “Më të mirët e umetit tim janë brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre.” Bukhariu (2651) dhe Muslimi (2535), prej hadithit të cilin e transmeton Imran ibn el-Husejni (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

”E pas këtyre njerëzit më të mirë janë ata që e kanë shoqëruar të dërguarin e Allahut ﷺ ndonjë ditë, muaj apo vit, qoftë më shumë apo më pak. Duke kërkuar mëshirë për ta, duke i përmendur meritat e tyre si dhe duke mos i shfaqur të metat e tyre. Kujtoje secilin prej tyre vetëm se për mirë duke u bazuar në fjalën e të dërguarit të Allahut ﷺ: “Kur të përmenden shokët e mi, përmbahuni (kini kujdes kur flisni).”

Kjo transmetohet nga një grup sahabësh.

a) Hadithi i Abdullah ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), të cilin e ka nxjerrë et-Tabarani në El-Muxhemul Kebir, 10-198, me nr.10448, el-Harith ibn ebi Usame në Musnedin e tij, 2/748, me nr. 732 -Zauaid, el-Lalekai në Sherhu Itikad, 1/126, me nr. 210, si dhe Ebu Nuijm në El-Hiljeh, 4/108, ku i dërguari i Allahut ka thënë:

“Nëse përmenden shokët e mi përmbahuni, nëse përmenden yjet përmbahuni, edhe nëse përmendet kaderi përmbahuni.”

b) Hadithi i Theubanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), të cilin e ka nxjerrë et-Taberani në El-Muxhemul Kebir (2/96, me nr. 1427). Hadithi i Abdullah ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata), të cilin e ka bërë hasen ibn el-Haxher në El-Fet’h (11/477) dhe e ka saktësuar Albani në Sahihul Xhami es-Sagir (545). Shih Silsiletu es Sahihah (34).

”Ibn Ujejneh ka thënë: “Kush flet në lidhje me shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ qoftë edhe një fjalë të vetme, ai është pasues i epshit.” Profeti ﷺ ka thënë: “Shokët e mi janë porsi yjet. Cilindo prej tyre të pasoni, keni për t’u udhëzuar.”

E ka nxjerrë Ibn Abdul-Berr në Xhamiu bejanu el-ilm (2/925 me nr. 1760) dhe të tjerë pos tij prej hadithit të Xhabir ibn Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Po ashtu transmetohet edhe nga sahabët e tjerë. El-Bezari në lidhje me këtë hadith ka thënë: “Kjo fjalë nuk saktësohet nga profeti”.  Ibn Hazmi në El-Ihkam ka thënë: “Ky njoftim është gënjeshtër, shpifje dhe e kotë”.  Ibn Kethiri ka thënë: “Këtë hadith nuk e ka transmetuar askush prej autorëve të gjashtë librave të Suneneve. Ai është daif”. Albani në Silsiletu ed-daifeh (1/78 dhe 84, me nr. 58-61) ka thënë meudu. “Shokët e mi janë si yjet, cilindo që të pasoni prej tyre keni për t’u udhëzuar.” [Meudu] Ed Daifeh 58. “Me të vërtetë që shokët e mi janë si puna e yjeve, ku fjalën e kujtdo prej tyre të merrni keni për t’u udhëzuar.” [Meudu] Ed Daifeh (61).

[26] Dëgjimi dhe bindja ndaj prijësve në atë që Allahu do dhe është i kënaqur. Kush vendoset prijës me konsensusin (ixhmanë) e njerëzve dhe pëlqimin e tyre, ai është prijësi i besimtarëve dhe nuk i lejohet askujt të kalojë ndonjë natë dhe të mendojë se nuk ka prijës, i devotshëm qoftë ai apo i shthurur.

Shpjegimi

”Dëgjimi dhe bindja ndaj prijësve në atë që Allahu do dhe është i kënaqur.”

Ashtu siç ka thënë profeti :

“Dëgjimi dhe bindja për muslimanin është në ato gjëra që ai do dhe urren, derisa nuk urdhërohet për shkelje të ligjeve të Allahut. Nëse urdhërohet për shkelje të ligjeve të Allahut, atëherë nuk ka dëgjim dhe bindje.”

E ka nxjerrë Bukhariu (7144) dhe Muslimi (1839) prej hadithit të transmetuar nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata).

”Kush vendoset prijës me konsensusin (ixhmanë) e njerëzve dhe pëlqimin e tyre, ai është prijësi i besimtarëve dhe nuk i lejohet askujt të kalojë ndonjë natë dhe të mendojë se nuk ka prijës, i devotshëm qoftë ai apo i shthurur.”

Duke u bazuar në fjalën e profetit :

“Kush urren diçka nga prijësi i tij, atëherë le të bëjë durim, ngase askush prej njerëzve nuk ka dalë ndaj prijësit sa një pëllëmbë dhe ka vdekur në këtë gjendje vetëm se ka vdekur një vdekje të kohës së injorancës.”

[27] Haxhi dhe lufta me prijësin janë të vlefshme, po ashtu edhe namazi i xhumasë pas tyre është i saktë. Fal pas saj gjashtë rekate duke bërë ndarje ndërmjet çdo dy rekatesh. Kështu ka thënë Ahmed ibn Hanbeli.

Shih ”Tabakat-ul-Hanabilah” (1/42, 241, 294, 311, 329 dhe 342). Ahmed ibn Hanbeli është imam Ahmed ibn Muhammed ibn Hanbel ibn Hilali esh-Shejbani, Ebu Abdullahu, imami i Ehlus Sunneh uel Xhema’ah, shejkhul Islam. Lindi në vitin 164 h dhe ka vdekur në vitin 241 h. Në librin Usulus-Sunneh të imam Ahmedit (Allahu e mëshiroftë) thuhet: “Po ashtu falja e namazit të xhumasë pas tij si dhe pas atij që ai e vendos si prijës është e lejuar dhe e plotë dhe përbëhet nga dy rekate. Kush e përsërit faljen e dy rekateve, atëherë ai është bidatçi, kundërshtues i argumenteve, kundërshtues i sunnetit. Muslimani nuk përfiton asgjë prej mirësisë së xhumasë nëse nuk e sheh të lejuar faljen e namazit pas prijësve, kushdo qofshin ata, të devotshëm apo mëkatarëve, pasi sunneti udhëzon që të fal me ta dy rekate, të besojë se ato janë të plota dhe të mos ketë në zemër dyshim në lidhje me këtë.”

[28] Kalifati është te Kurejshët derisa të zbresë Isai, biri i Merjemes ﷺ.

Shpjegimi

Ashtu siç ka thënë profeti :

“Ka për të vazhduar që kjo çështje të mbetet te Kurejshët edhe sikur të mbeten dy njerëz.”

E ka nxjerrë Bukhariu (3501) dhe Muslimi (1820) prej hadithit të Abdullah ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy ata). Ky është teksti i tij.

[29] Kush del kundër ndonjë imami prej imamëve të muslimanëve, ai është Kharixhij, ka devijuar, ka kundërshtuar muslimanët dhe ka kundërshtuar etheret, kurse vdekja e tij është vdekje e kohës së injorancës.

[30] Nuk lejohet lufta ndaj prijësve dhe rebelimi kundër tyre edhe nëse ata janë tiranë. Kjo bazohet në fjalën e të dërguarit të Allahut ﷺ drejtuar Ebu Dherrit: “Bëj durim edhe nëse është rob nga Abisinia.” Si dhe fjala e tij drejtuar Ensarëve: “Bëni durim derisa të më takoni mua te haudi.” Nuk është aspak prej sunnetit lufta kundër prijësit ngase sjell prishje të fesë dhe dynjasë.

Shpjegimi

”Nuk lejohet lufta ndaj prijësve dhe rebelimi kundër tyre edhe nëse ata janë tiranë.”

Transmetohet nga Umu Selemeh se i dërguari i Allahut ka thënë:

“Do të ketë (më pas) disa prijës dhe disa gjëra (të tyre) ju do i pranoni e disa të tjera do i konsideroni të këqija. Kush i urren ato gjëra, ai është shfajësuar dhe kush i ndalon ato (me vepër apo me fjalë), ai ka shpëtuar. Po (si bëhet) me atë që kënaqet me to dhe i ndjek ato?!” -A t’i luftojmë ata? -thanë sahabët. “Jo, përderisa ata falin namazin.” Muslimi.

”Kjo bazohet në fjalën e të dërguarit të Allahut ﷺ drejtuar Ebu Dherrit: “Bëj durim edhe nëse është rob nga Abisinia.”

 E ka nxjerrë Muslimi në Sahihun e tij, nr. 1837.

”Si dhe fjala e tij drejtuar Ensarëve: “Bëni durim derisa të më takoni mua te haudi.”

E ka nxjerrë Bukhariu (3148) dhe Muslimi (1059 dhe 1845) prej hadithit të Enes ibn Malikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Po ashtu e ka nxjerrë përsëri Bukhariu (4330) dhe Muslimi (1062) prej hadithit të Abdullah ibn Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

Shpërndaje: