Imam Ibn Kajim el-Xheuzijeh (v. 751)
Burimi: Et-Tibjan fi Aksamil-Kuran, fq. 224
www.perlatmuslimane.com
Ka dy arsye përse fëmija i porsalindur qan. Shkaku i parë është i fshehtë (gajb) dhe profeti ﷺ na ka treguar për këtë. Për këtë shkak mjekët nuk janë në dijeni. Dhe shkaku i dytë është i qartë.
Lidhur me shkakun e fshehtë, Allahu ka bërë që shejtani t’i shkojë çdo të porsalinduri prej njerëzve. Shejtani pret fëmijën që do të lindë, që kur të dalë nga barku i nënës, ta shoqërojë dhe të merret me të.
Kur fëmija lind, shejtani i drejtohet atij dhe e godet në bel nga zemërimi dhe armiqësia që ai ka ndaj prindërve të njerëzimit (Ademit dhe Havës) që nga kohërat e hershme. Si rezultat i kësaj fëmija qan. Nëse mjekët paganë dhe ateistë do të kishin besuar në Allahun dhe të dërguarin e Tij ﷺ nuk do të gjenin diçka që e kundërshton këtë gjë. Është konfirmuar në Sahihun e Muslimit nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
صياح المولود حين يقع نزغة من الشيطان
’’I porsalinduri qan për shkak të goditjes që i bën shejtani.’’
Bukhari dhe Muslimi kanë transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
ما من مولود يولد إلا نسخه الشيطان ، فيستهل صارخا من نخسة الشيطان ، إلا ابن مريم و أمه
“Nuk ka foshnjë të porsalindur veçse shejtani e godet atë në momentin e lindjes. Prandaj foshnja qan nga goditja që i bën shejtani dhe nuk i ka ndodhur kjo gjë vetëm se Isait (bin Merjem) dhe nënës së tij.”
Në një transmetim tjetër thuhet:
كل بني آدم يمسه الشيطان يوم ولدته أمه ، إلا مريم و ابنها
“Çdo pasardhës i Ademit, kur lind, preket (goditet) nga shejtani, përveç Merjemes dhe djalit të saj (shejtani i mallkuar nuk i ka goditur dot në momentin e lindjes).”
Në transmetimin e Bukhariut thuhet:
كل بني آدم يطعن الشيطان في جنبه بإصبعه حين يولد ، غير عيسى ابن مريم ، ذهب يطعن فطعن في الحجاب
”Çdo pasardhës i Ademit kur lind, goditet nga shejtani me 2 gishtat e tij në bel, me përjashtim të Isa bin Merjem. Shejtani dëshiroi ta godasë atë por dështoi dhe e goditi në pëlhurë (placentën, cipën mbështjellëse të fetusit).”
Lidhur me arsyen e qartë se përse qan fëmija i porsalindur, arsye të cilën nuk na e kanë treguar profetët e Allahut (alejhim salatu ue selam) ngase ajo është diçka e ditur në mesin e njerëzve, është fakti se i porsalinduri po lë një botë në të cilën ka jetuar deri më tani, është mësuar të jetojë në të dhe po kalon në një botë të panjohur për të. Me lindjen e tij, fëmija kalon nga ambienti i ngrohtë në barkun e nënës, në një atmosferë me ajër të ftohtë dhe të panjohur për të. Prandaj, ai ndjehet në ’’siklet’’ të madh për shkak se ka braktisur vendqëndrimin e tij të mëhershëm të cilin e ka njohur mirë.