Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/sites/default/files/klmh_1428-9-10.mp3
Përktheu: Valdet Gashi
Muslimani duhet të mendojë dhe të marrë mësim nga ditët dhe netët se sa shpejt ato shkojnë. Ne sapo kemi përjetuar dhjetë ditët e para të Ramazanit. Le të shqyrtojmë veten. Çfarë kemi bërë këto dhjetë ditë? Çfarë kemi bërë dhe çfarë kemi humbur nga ajo që i takon këtyre ditëve? Le të shqyrtojmë veten dhe të kompensojmë veten për dhjetë ditët e ardhshme dhe dhjetë të fundit para se të mbarojë tërë muaji kështu që ne të mos dalim prej tij si humbës. Ne duhet të shqyrtojmë veten tonë.
Ne duhet të mendojmë për qëllimin tonë. Ne duhet t’i shikojmë mëkatet tona. Nëse ti fillon t’i numërosh mëkatet e tua nuk do të mundësh t’i numërosh. Por në qoftë se ti do të fillosh t’i numërosh veprat e tua të mira do ta shohësh se sa të pakta dhe të vogla janë. Je i obliguar që të pendohesh tek Allahu (azze ue xhel). Ti je në nevojë për pendim. Ti je në nevojë që të lutesh për falje.
Ti ke nevojë që t’i korrigjosh veprat e tua. Ti ke nevojë për jetën tënde në mënyrë që ajo të mos marrë fund kot. Jeta jote është kapitali yt. Parat nuk janë kapital. Ato zhduken dhe marrin fund. Jeta jote dhe orët e tua në këtë jetë janë kapitali yt. Kujdesu për kapitalin tënd dhe lufto në investimin dhe fitim e tij. M’u aty është fati dhe fatkeqësia në ditën e gjykimit.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Këmbët e robit nuk do të lëvizin në ditën e gjykimit derisa të pyetet për katër gjëra; për jetën e tij dhe se si ai e kaloi atë, për rininë e tij dhe se si ai e kaloi atë, për pasurin e tij, se si e ka fituar dhe si e ka shpenzuar atë dhe për diturinë e tij dhe se si e ka praktikuar atë.”
Allahu (xhele ue ala) ka thënë:
“A nuk ju dhamë Ne jetë mjaft të gjatë, sa që kushdo që donte të merrte këshillim, mund ta merrte atë? Edhe këshilluesi ju erdhi. Shijoni pra (të keqen e punëve tuaja)! Për dhalimunët (kufarët dhe keqbërësit) nuk ka asnjë ndihmës.” 35:37
Allahu (xhele ue ala) ta ka dhënë këtë jetën. Ti nuk e jeton atë që të argëtohesh, për të ngrënë dhe pirë si një kafshë. Ti e jeton atë për të vepruar në të dhe që të përgatitesh për jetën tënde të ardhshme. Përndryshe ajo vetëm se do të jetë një dëm për ty në jetën tjetër. Ti do të pyetesh për këto katër gjëra në ditën e gjykimit. Çka do të përgjigjesh?
Vetëm sa dëgjove pyetjet që do të shtrohen në ditën e gjykimit. Përgatiti përgjigjet e tua para se ato të shtrohen sikurse përgatiten nxënësit që studiojnë përgjatë programit mësimor.
Pastaj atyre ju tregohet se do të kenë provim. Prandaj ata studiojnë dhe e mësojnë atë fjalë për fjalë, sigurohen në lidhje me të dhe të përgatiten për t’iu përgjigjur pyetjeve. Kjo është në këtë jetë. Megjithatë, shumë pak njerëz mendojnë për llogarinë në ditën e gjykimit dhe çështjet e saj. Përjashtimi i vetëm janë ata që i udhëzon Allahu.