Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: El-Fetaua el-Kajjimeh lil-Usratil-Muslimeh, fq. 152-153
Përmblodhi: Sad Abdul-Ghaffar Ali’
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Si duhet që prindërit t’ua mësojnë fëmijëve të tyre Teuhidin?”
Përgjigje: “Ai do t’ua mësojë atyre teuhidin ashtu sikurse ua mëson të gjitha çështjet tjera në lidhje me fenë. Ndër më të mirat në këtë aspekt është libri “Thelathatul-Ususl” (Tre Parimet) i autorit Shejkhul Islam Muhamed bin Abdul-Vehabit. Është shumë e mirë në qoftë se ata këtë libër e mësojnë përmendësh duke iu shpjeguar lehtësisht, në mënyrë që ata ta kuptojnë atë. Libri është i bazuar në pyetjet dhe përgjigje dhe gjërat sqarohen qartësisht, thjeshtë dhe pa komplikime.
Pastaj ai ia tregon atyre mesazhin e Allahut për ta praktikuar përmbajtjen në atë libër të vogël. Shembuj të kësaj janë dielli. Kush e krijoi diellin, hënën, yjet, natën dhe ditën? Allahu. Allahu ka krijuar gjithçka. Në këtë mënyrë fëmija do të pijë nga burimi i natyrshmërisë së njeriut. Njeriu është krijuar për ta adhuruar vetëm Allahun.
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Çdo fëmijë lind në natyrë të pastër Islame, ndërsa prindërit e bëjnë nasrani, jehudë ose zjarrëputist.”
Transmeton Bukhari (4402).
Gjithashtu, prindërit duhet t’ua mësojnë fëmijëve marrjen e abdesit në formë praktike. Ai duhet të merr abdes në prani të fëmijëve. E njëjta gjë vlen edhe për namazin. Duke mos harruar në asnjë çast duanë ndaj Allahut që t’i udhëzojë ata.
Pos kësaj, babai duhet t’i shmanget të gjitha fjalëve që devijojnë fëmijët nga morali i pastër dhe të shmanget gjithashtu nga të gjitha veprimet e ndaluara kur ai është në prani të tyre. Ai nuk duhet t’i mësoj ata të gënjejnë, të mashtrojnë apo t’i bëj ata që të përvetësojnë karaktere të shëmtuara edhe në qoftë se ai vetë i posedon këto. Në qoftë se ai pi duhan, ai nuk duhet të pijë duhan në prani të tyre. Përndryshe, ata do të mësohen me pirjen e duhanit dhe do ta marrin të lehtë këtë gjë. Prindërit duhet ta dinë se çdo njëri në shtëpi ka një përgjegjësi ndaj banorëve të saj. Allahu Tabarak ue Te’ala ka thënë:
قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ
“O ju, që keni besuar! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri.” 66:6
Ne nuk i mbrojmë ata nga zjarri në qoftë se ne nuk i mësojmë ata që të veprojnë vepra të mira dhe t’i mësojmë që t’i braktisin mëkatet. I dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem e theksoi këtë dhe tha:
الرجل راع وهو مسؤول عن رعيته
“Burri është bariu i familjes së tij dhe ai është përgjegjës për ta.”
Prindi duhet ta dijë se që të jetë fëmija i mirë, është në avantazhin e tij në të dy jetët. Ata të cilët janë më së afërti me prindërit e tyre janë fëmijët e drejtë:
إذا مات ابن آدم انقطع عمله إلا من ثلاث صدقة جارية، أو علم ينتفع به، أو ولد صالح يدعو له
“Kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat e tij, përveç se tri gjërave: Sadakaja e rrjedhshme, dituria prej së cilës përfitohet ose pasardhës i devotshëm, që lutet për.”
Lusim Allahun që të na ndihmojë të gjithëve që t’i dalim zotë përgjegjësive tona.”