Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Likaul-Babil-Meftuh (57 B)
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: ”Ju folët në lidhje me Selefizmin. Nëse një person duket se është pasues i Selefëve, ka besim të shëndoshë dhe shumë vepra të mira. Mirëpo është në kundërshtim me Selefët kur është fjala për qëndrimin në lidhje me sunduesin – a përjashtohet ky nga Selefizmi dhe a është bidatçi? Ai mund ta ketë keqinterpretuar në mënyrën e tij, apo ai mund të …”
Përgjigje: ”Nuk ka dyshim se prej metodologjisë së Selefëve është të jesh i durueshëm edhe nëse të bëhet zullum, të lutemi për ta, të falim namazin e Xhumasë dhe të Bajramit pas sunduesit, ashtu siç e ka cekur Shejkhul-Islam Ibnu Tejmije (Allahu e Mëshiroftë!) në librin e tij el-Akideh el-Uasitijjeh: ”Ata – Ehlus-Sunne uel-Xhema’ah – besojnë se duhet shkuar në haxh, në xhihad dhe të falet Namazi i Xhumasë dhe i Bajrameve pas tyre, pavarësisht nëse ata janë të devotshëm ose mëkatar.” [1]
Imam Ahmedi dhe imamët e tjerë silleshin me sunduesit në mënyrën më koherente. Ata luteshin për ta që ata të udhëzoheshin dhe nuk i përhapnin dobësitë e sunduesve tek njerëzit e tjerë. Ata i këshillonin ata aq sa kishin mundësi. Është e gabuar të rrish i heshtur ndaj gabimeve dhe është gabim për t’i përhapur ato. E drejta është mesatarja, ashtu siç është edhe në të gjitha çështjet e tjera. Pra, rruga e mesme është më e mira:
وَالَّذِينَ إِذَا أَنفَقُوا لَمْ يُسْرِفُوا وَلَمْ يَقْتُرُوا وَكَانَ بَيْنَ ذَلِكَ قَوَامًا
“Edhe ata të cilët, kur shpenzojnë as nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur.” 25:67
Pyetësi: ”Personi i tillë, a del nga Selefizmi?”
Përgjigje: ”Nëse ai del nga Selefizmi apo jo, kjo është një gjë tjetër. Ne po flasim se nga metodologjia e Selefëve është të jesh i durueshëm ndaj tyre e të lutemi për ta, e jo nxitja e njerëzve kundër tyre, por qetësimi i situatës. I Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë:
“Bëhuni të dëgjueshëm e të bindur edhe nëse nëse ai ju rrah dhe ua merr pasurinë.”
Pyetësi: ”Por a përjashtohet ai nga Selefizmi?”
Përgjigje: ”Ai e ka braktisur metodologjinë e Selefëve në këtë çështje. Mirëpo, ai mund të jetë pasues i Selefëve në çështje të tjera. Kjo çështje është një nga më të rrezikshmet, për njerëzit e rëndomtë dhe për sundimtarët; – për të gjithë. Nëse njerëzit janë të mbushur me urrejtje kundër sundimtarëve, ata bëhen të këqij, e do të jenë të pabindur ndaj tij. Ata vetëm do ta kundërshtojnë atë, duke i parë anët e tij të mira si të këqija, i përhapin të këqijat e tij dhe ja fshehin të mirat.
Më shumë se kaq, nëse dijetarët do të nënvlerësohen, kapja për feje do të humbet. Kur lidhja e njerëzve me sunduesit shkatërrohet, humbet siguria. E kur lidhja e njerëzve me dijetarët shkatërrohet, do të humbet kapja për feje. Kujt do t’i besojnë njerëzit në çështjet fetare nëse ata nuk i besojnë dijetarëve? A ti besojnë injorantëve? Apo duhet që secili të marrë çështjen në duart e tij dhe t’i japë vetes së vet fetva? Kjo nuk është e mirë.”
______________________________
1) el-Akideh el-Uasitijjeh, fq. 129