Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Si t’i edukojmë vajzat tona në Sunnet?

Shejkh Sulejman er-Ruhejli
Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=TCNMDekvt1s
www.perlatmuslimane.com

Pyetësi thotë: Allahu ju shpërbleftë me të mira dhe ju begatoftë! Ne kemi vajza, si ti edukojmë ato në Sunnet?

Përgjigje: Nuk ka dyshim, o vëllezër, se edukimi i vajzave është një nga adhurimet më madhështore, nëpërmjet së cilës afrohesh tek Allahu. Atë që e ka begatuar Allahu me dy vajza dhe ai përkujdeset më së miri për to, shpenzon për to dhe për edukimin e tyre derisa ato të martohen, atëherë ai do të jetë me të dërguarin e Allahut ﷺ në xhennet.

Pse ky shpërblim? Kjo vetëm se për faktin që natyra njerëzore i kushton më tepër rëndësi edukimit të meshkujve sesa edukimit të femrave. Do t’ju jap një parim të rëndësishëm që dijetarët e përmendin. Ky parim thotë: “Nëse në natyrën njerëzore ndalesa për diçka është e dobët, atëherë sheriati i kushton më shumë rëndësi që kjo ndalesë të jetë edhe më e fortë”.

Që do të thotë, nëse natyra njerëzore nuk ka inkurajim për kryerjen e një vepre, atëherë sheriati e inkurajon më shumë kryerjen e kësaj vepre. P.sh, është në natyrën njerëzore që edukimi i meshkujve dhe përkujdesja për ta të jetë më e fortë, kjo është ajo që ndodh më së shumti te njerëzit.

Ndërsa për edukimin e vajzave, një gjë e tillë nuk ndodh (natyra njerëzore nuk anon aq shumë nga edukimi i vajzave siç ndodh me edukimin e meshkujve), pavarësisht faktit që – subhanAllah – vajzat janë më të mëshirshme me prindërit në krahasim me meshkujt (djemtë). Kjo është natyra e njeriut – subhanAllah -. Kjo është arsyeja që, nga ana fetare, inkurajimi për edukimin dhe përkujdesjen e vajzave është më i madh, dhe padyshim që edukimi nga ana fetare është ai që është më i rëndësishmi.

Disa njerëz u thonë bijave të tyre: “Do të të edukoj derisa ti të bëhesh nuse.”
Edukimi që kërkohet – dhe ky lloj edukimi është obligim – është që djali apo vajza të edukohet nga ana fetare. Dhe siç e kam përsëritur shumë herë, kjo kërkon që fëmija të edukohet, që ai të jetë i bindur dhe i kënaqur me këtë lloj edukimi. Kjo arrihet duke e edukuar që në moshë të vogël.

E edukon vajzën tënde –  e edukon në Sunnet – me dashurinë për Sunnetin. Gjëja e parë që duhet bërë është që në zemrën e saj të kultivosh dashurinë dhe respektin për të dërguarin e Allahut ﷺ, sa herë që ai të përmendet, ajo ta madhërojë (ta nderojë dhe respektojë atë ﷺ) ashtu siç është obligim nga ana fetare. Ta madhërojë fjalën e të dërguarit të Allahut ﷺ, dhe jo siç ndodh me disa muslimanë, që kur u thua për Sunnetin e të dërguarit të Allahut ﷺ, thonë: “Kjo është diçka jo shumë e rëndësishme, është prej degëzimeve dhe jo prej bazave të fesë.”

Fjala e të dërguarit të Allahut ﷺ është prej çështjeve jo themelore (apo është prej degëzimeve të fesë)? Atëherë, çfarë na mbetet neve? Ajo duhet ta madhërojë Sunnetin e të dërguarit të Allahut ﷺ në zemrën e saj. Kur të përmendet emri i tij ﷺ, ajo duhet të dërgojë salauate mbi të, ta nderojë dhe ta respektojë fjalën e tij ﷺ – siç është obligim nga ana fetare. Pastaj, duhet t’ia mësosh asaj Sunnetin e të dërguarit të Allahut ﷺ, në varësi të moshës që ajo ka (për të kuptuar). I mëson asaj ato që kanë të bëjnë me akiden, e mëson atë, dhe e kam thënë në mënyrë të përsëritur: “Ji i zellshëm që t‘ia mësosh asaj suren el-Fatiha para se t’ia mësojë ai që i mëson Kuranin apo mësuesi në shkollë.”

Pse? Sepse sa herë që fëmija yt lexon suren el-Fatiha, ti do të shpërblehesh; sa herë që falet, ti do të shpërblehesh. Mundet që ti të vdesësh, dhe fëmija që (ti) lë pas fal namaz – dhe ti shpërblehesh.

Mundet që t’ia mesojë fëmijes së saj dhe ti shpërblehesh edhe kështu. Dhe nëse mosha e saj i afrohet moshës në të cilën i bëhet obligim veshja e hixhabit, edukoje në atë mënyrë që ajo ta dojë hixhabin. Disa njerëz e edukojnë vajzën e tyre në atë mënyrë që ajo ta urrejë hixhabin. Për këtë arsye, çështja arrin deri aty sa që ndonjë shejtan prej njerëzve, vjen dhe i thotë: ‘Hixhabi nuk është obligim’, – dhe kështu ajo e heq hixhabin, prandaj duhet ta edukosh në atë mënyrë që ajo ta dojë hixhabin. Disa prindër, kur vajza e tyre arrin moshën 7 vjeçe, ia imponojnë me forcë asaj veshjen e hixhabit dhe i thonë: “Shiko vajzat e tjera të vogla të pambuluara me hixhab, luajnë të ulura”. Kjo nuk është e përshtatshme.

Ti vishja asaj hixhabin dhe thuaji: “Kur të dalësh në treg, vishe hixhabin; ndërsa kur je vetëm me vajzat e tjera të vogla, nuk ka problem që ta heqësh hixhabin’’, kështu që ajo dalëngadalë do të mësohet gradualisht me veshjen e hixhabit, e kam fjalën kur ajo është në moshën 7 vjeçe. Gradualisht ajo do ta dojë hixhabin. Ajo do të mbulohet me hixhab sepse Allahu është i kënaqur që ajo të mbulohet me hixhab. Kështu që, ajo duhet të edukohet derisa të arrijë moshën në të cilën i bëhet obligim veshja e hixhabit, dhe kur të ketë arritur në këtë moshë, ajo do të dëshirojë vetë të mbulohet me hixhab.

Por disa vëllezër – Allahu i udhëzoftë ata -, nëse vajza e tyre arrin moshën 10 apo 11, apo 12 vjeçare dhe ndërkohë ajo është e mbuluar me hixhab, ata i thonë asaj: “Ti akoma je e vogël, po ia vështirëson gjërat vetes tënde.” Jo! (Kjo nuk është korrekte). Madje edhe kur ajo është e rritur, i thonë: “Ti akoma je e vogël, luaj me vajzat e tjera.” Jo, vëllai im, sillu me të në mënyrën më të mirë që ajo ta dojë hixhabin dhe jo në atë mënyrë që ajo ta urrejë hixhabin.

Njëkohësisht, mundësoja asaj që të dëgjojë fjalët e dijetarëve që janë të përshtatshme për moshën e saj. Mos lejo që në jetën e saj ajo të edukohet me muzikën e këtij apo të atij, filania këndon, filania nuk këndon, por edukoje që ajo në jetën e saj të ecë me: “Ka thënë Allahu, ka thënë i dërguari i Allahut’’, dhe njëkohësisht duke mos ia vështirësuar  gjërat (e lejuara) në dynja.

Dhe unë e kam thënë shpeshherë rregullin: ‘Nëse dëshiron që dikush të të bindet dhe të kryejë ato vepra që ti i urdhëron, atëherë ji tolerant me të në gjërat e lejuara.’ ‘Nëse dëshiron që dikush të të bindet dhe të kryejë ato vepra që ti i urdhëron, atëherë ji tolerant me të në gjërat e lejuara.’ Sillu mirë me të, largoja vështirësitë, ji tolerant me të në gjërat e lejuara, edukoje me fe, në Sunnet. Do të gjesh në këtë gjë mirësi të madhe. Po.

Shpërndaje: