Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Mexhmu el-Fetaua, vëll 1, fq. 64-65
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Dihet se Allahu nuk është i shkrirë me krijesat (pasi është lart mbi krijesat), por si t’i përgjigjemi atij që thotë dhe polemizon për këtë duke u argumentuar me zbritjen e Allahut të Lartësuar në qiellin e dynjasë?
Përgjigje: Personi që thotë se Allahu është kudo, në çdo vend, ky nuk beson fare se Allahu është lart mbi arsh, pasi ai në thelb beson se Allahu është kudo, por për të ndihmuar dhe për t’u argumentuar për të kotën e tij, ai kapet pas haditheve që tregojnë zbritjen e Allahut të Lartësuar. Ka mospajtim në mesin e selefëve se kur Allahu i Plotfuqishëm e i Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë, a zbret Ai nga arshi i Tij apo jo?
Dhe më e sakta tek Ehlu Sunneti është se kur Allahu zbret në qiellin e dynjasë, Ai qëndron mbi arsh. Zbritjen e Tij, pra mënyrën se si, ne nuk mund ta imagjinojmë pasi asgjë nuk është si Ai, në qenien eTij (dhatihi), në cilësitë e Tij (sifatet e Tij) dhe veprat e Tij, i pastër dhe larg nga të metat është Ai.
Ashtu sikurse besojmë se Allahu është lart mbi arsh pa e përshkruar dhe pa e ditur mënyrën se si qëndron lart mbi arsh, po ashtu besojmë se Ai zbret në qiellin e dynjasë, pa e përshkruar dhe pa e ditur mënyrën se si, pasi që Allahu vepron çfarë të dëshirojë Ai. Ai do të zbresë dhe do të vijë në ditën e kijametit dhe se qenia e Tij nuk është si qenia e krijesave. Zbritja e Tij nuk është si zbritja e krijesave, dituria e Tij nuk është si dituria e krijesave, fuqia e Tij nuk është si fuqia e krijesave, lartësimi dhe qëndrimi i Tij nuk është si lartësimi dhe qëndrimi i krijesave, zbritja e Tij nuk është si zbritja e krijesave.
Ehlu Sunneti thonë p.sh, Ai zbret por nuk thonë se si, por a do të thotë kjo se meqë Ai zbret në qiellin e dynjasë, detyrimisht Ai nuk mund të jetë më mbi arsh? Disa mendojnë se Ai gjatë zbritjes nuk qëndron mbi arsh dhe ky mendim ka një farë peshe por e sakta është se Allahu qëndron mbi arsh dhe zbritja e Tij është ashtu siç dëshiron Ai sepse Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka, dhe për t’i shpëtuar këtyre gjërave si futja në detaje (për çështjen e mësipërme), atëherë më e sigurta është braktisja e këtyre detajeve.
Rregulli bazë tek ne është: Besojmë në atë që na është transmetuar në mënyrë autentike prej Allahut (azze ue xhel). Dhe hadithet që pohojnë zbritjen e Allahut të Lartësuar janë të shumta (muteuatur). Ibnu Tejmijeh i ka shpjeguar këto hadithe duke refuzuar dyshimin në lidhje me çështjen e mësipërme dhe duke transmetuar medhhebin e selefëve për këtë çështje. Pra çështja e zbritjes së Allahut ka të njëjtin gjykim si cilësitë e tjera të Allahut, të cilat ne i besojmë pa i përshkruar, pa i përngjasuar dhe pa i mohuar ato.