Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Sqarimi i përshkrimit të drejtë në Kuran dhe Sunnet rreth melaikeve

Muhammed bin Abdul-Vehab el-Akil 

Burimi: Mu’tekad Firakul-Muslimiin uel-Jehuud uen-Nesara uel-Felasifeti uel-Uethenijjiin fil-Melaiketil-Mukarrabiin”, fq. 16

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ajo çfarë aludon Kurani, Sunneti dhe konsensusi i muslimanëve, është se melaiket janë prej krijesave të Allahut të Lartësuar. Allahu i ka krijuar ato për ta adhuruar Allahun, për të njëjtin qëllim që i ka krijuar edhe xhinët e njerëzit; ata jetojnë, kanë mendje dhe flasin.

Bota e melaikeve është botë ndryshe nga bota e xhinëve dhe bota e njerëzve, edhe pse që të gjithë janë krijesa të Allahut, mirëpo ato janë krijesë e ndershme, e pastër, të cilën e ka zgjedhur Allahu në këtë botë që të jetë afër Tij, e që të realizojë të gjitha urdhrat e Tij, pa mundësi kundërshtimi.

Allahu ka bërë që melaiket të jenë të dërguarit dhe ambasadorët e Tij tek krijesat e Veta, që t’ua transmetojnë atyre shpalljen Allahut. Pa dyshim se ky është një nder i veçantë, këtë gjë e ka përmendur edhe Allahu i Madhëruar në Kuran: 

“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje, e të mos i kemi shpallur atij se: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje, pra më adhuroni!” E ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka lindur bir.” Lavdi i qoftë Atij! Ata (të cilët këta i quajnë fëmijët e Tij, si Isai – biri i Merjemes, Uzejri etj) janë vetëm robër e të nënshtruar të nderuar. Ata nuk flasin derisa të ketë folur Ai dhe ata punojnë nën Komandën e Tij. Ai (Allahu) di çfarë ka para tyre dhe çfarë ka pas tyre dhe ata nuk mund të ndërhyjnë përveç për ata me të cilët Ai është i kënaqur, duke qëndruar me nderim nga frika e Tij. Dhe nëse ndonjë prej tyre do të thoshte: Unë jam veç Atij (Allahut)”, një të tillë Ne do ta shpërblenim veçse me xhehenem. Në këtë mënyrë i shpërblejmë dhalimunët (keqbërësit mosbesimtarë e politeistë).” 1

Në këto ajete, Allahu sqaron realitetin e melaikeve, se ato janë krijesa të ndershme, të cilat i ka krijuar Allahu në mënyrë që ta adhurojnë Atë. Allahu i ka ngritur dhe i ka lartësuar, mirëpo me gjithë këtë pozitë që Allahu u ka dhënë, ato prapëseprapë mbeten vetëm krijesa që duhet të kryejnë adhurime. Ato nuk mund të dalin nga ky realitet, edhe nëse dikush pretendon diç më shumë për to, gjë e cila sjell dënimin me zjarr.

Ndërsa, në kapitujt e ardhshëm, inshaAllah do të sqarojmë realitetin e melaikeve dhe do të sqarojmë dallueshmërinë e botës së tyre me atë të xhinëve dhe njerëzve.


1 El-Enbija’ 21:25-29

Shpërndaje: