Shejkhul Islam Ahmed bin Tejmijeh (v. 728)
Minhexh-us-Sunnen En-Nebeuijeh (2/56-57)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kanë ekzistuar shumë debate mes muslimanëve dhe nasarave rreth kësaj teme. Një ngjarje e njohur është kur muslimanët e dërguan Ebu Bekr bin Et-Tajib tek mbreti i nasarave në Kostandinopojë. Nasarat e nderonin atë dhe e dinin statusin e tij, prandaj kishin frikë se ai nuk do të binte në sexhde mbretit të tyre.
Prandaj ata i kërkuan që të hynte nga një derë e vogël, që të paktën të përkulej kur të hynte tek mbreti. Kur ai e kuptoi dredhinë e tyre, hyri nga prapa duke ia kthyer atyre prapanicën, në mënyrë që t’i takonte ata me prapanicën e tij. Nuk ndodhi fare ashtu siç kishin shpresuar ata.
Pasi e ulën dhe nisën të bisedonin me të, deshën të fyenin muslimanët dhe thanë: “Çfarë është thënë për Aishen, bashkëshorten e profetit tuaj?”
Ata donin që ai të hapte çështjen e lajmit të rremë (shpifjes), të cilin e përhapën edhe rafidat.
Ai tha: “Dy gra janë fyer dhe akuzuar padrejtësisht për imoralitet – Merjem dhe Aishah. Merjem ishte e pamartuar dhe erdhi duke bartur një fëmijë. Aishah ishte e martuar dhe nuk erdhi duke bartur ndonjë fëmijë.”
Nasarat mbetën pa fjalë. Fjalët e tij tregonin se pafajësia e Aishes -radijAllahu anha- është më e fortë dhe më e qartë se ajo e Merjemes, dhe se dyshimi rreth Merjemes ishte më i madh sesa ndaj Ashies. Nëse tashmë është e konfirmuar që ata që shpifën ndaj Merjemes ishin gënjeshtarë, atëherë është konfirmuar edhe më shumë se ata që shpifën ndaj Aishes janë gënjeshtarë.