Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Komenti i Akides Hamauije, kaseta nr 12
www.perlatmuslimane.com
Abu Abdurr-Rrahman es-Sulemi ka thënë: Na kanë transmetuar ata që na e lexonin Kuranin, Uthman bin Afani, Abdullah bin Mes’udi dhe të tjerët përveç tyre se: ”Pasi që i kishim mësuar përmendësh dhjetë ajete me profetin ﷺ, nuk shkonim më tej derisa të kishim mësuar kuptimin e tyre dhe të punonim me to dhe kështu që i mësuam të gjitha: Kuranin, diturinë dhe të punuarit me to.”
Duke u bazuar mbi këtë që u tha më sipër, si mund të jenë ata (sahabët) injorantë në lidhje me kuptimin e teksteve që kanë të bëjnë me cilësitë e Allahut kur ato përbëjnë çështjen më kryesore të fesë?
Përkundrazi, ne themi që përveç faktit që ato përbëjnë çështjen më kryesore të fesë, ato janë përmendur më shumë në Kuran. Vështirë se mund të gjesh në Kuran, ajet që të mos përmbajë ose një emër prej emrave të Allahut, ose një cilësi prej cilësive të Allahut. Atëherë nëse sahabët (radijAllahu anhum), e lexonin Kuranin tek i dërguari i Allahut ﷺ, dhe nuk shkonin më tej se sa dhjetë ajete derisa të kishin mësuar kuptimin e tyre dhe të punuarit me to, pa dyshim që kjo përfshin dhe kuptimin e ajeteve në lidhje me cilësitë e Allahut. Kush pretendon që ata (sahabët) nuk i dinin kuptimet e ajeteve në lidhje me cilësitë e Allahut duhet të sjellë argument i cili e mohon këtë (që përmendëm më sipër).