Imam Muhammed Abdurr-Ra’uf el-Munaui (v. 1031)
Burimi: Fejdh-ul-Kadir (3/336)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Profeti ﷺ ka thënë:
“Tre njerëz i luten Allahut (azze ue xhel) pa u pranuar lutja. Njëri është burri që jeton me një grua të pamoralshme dhe nuk ndahet prej saj. Një tjetër është burri i cili i ka huazuar para një tjetrit pa dëshmitarë. Një i tretë është ai që i jep pasurinë e tij një personi mendjelehtë, ndërkohë që Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
وَلاَ تُؤْتُواْ السُّفَهَاء أَمْوَالَكُمُ
”Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë të cilën Allahu e ka bërë mjet jetese për ju.” 1,2
“Tre njerëz i luten Allahut (azze ue xhel) pa iu pranuar lutja. Njëri është burri që jeton me një grua të pamoralshme dhe nuk ndahet prej saj.”
Atij nuk i pranohet lutja kur ai lutet kundër saj, sepse ai e ndëshkon veten kur vazhdon të jetojë me të ndërsa e ka mundësinë për tu ndarë prej saj.
”Një tjetër është burri i cili i ka huazuar para një tjetrit pa dëshmitarë.”
Në qoftë se huamarrësi dhe huadhënësi luten, lutja e tij nuk pranohet, sepse ai neglizhoi dhe injoroi fjalët e Tij (te ala):
وَاسْتَشْهِدُواْ شَهِيدَيْنِ من رِّجَالِكُمْ
”Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj.” 3
”Një i tretë është ai që i jep pasurinë e tij një personit mendjelehtë…”
Do të thotë një person të cilit i mungon administrimi për shkak të mendjelehtësisë. Kjo vlen për të gjitha llojet e pasurisë në qoftë se ai e di se nuk është në gjendje për të administruar atë. Lutja kundër tij nuk i pranohet, sepse ai vetë e ka shkapërderdhur pasurinë e tij. Ai pra nuk ka asnjë justifikim. Allahu (te ala) ka thënë:
وَلاَ تُؤْتُواْ السُّفَهَاء أَمْوَالَكُمُ
”Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë të cilën Allahu e ka bërë mjet jetese për ju.”
1 4:5
2 Hakimi (2/302). Autentik sipas Albanit në ”es-Sahihah” (4/420).
3 2:282