Nga Hakim ibn Hazim radijAllahu anhu: I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Shitësi dhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes (anulimin e shitblerjes) derisa të ndahen nga njëri-tjetri. Nëse janë të sinqertë dhe tregojnë realitetin, do u jepet bereqet në shitblerjen e tyre, e nëse gënjejnë dhe fshehin, iu zhduket bereqeti i asaj shitblerjeje.”
Transmeton Bukhari (2079) dhe Muslimi (1532).
Ky hadith përbën një parim bazë ku sqarohet se cila tregti është e dobishme dhe cila tregti është e dëmshme dhe se dallimi midis tyre qëndron në sinqeritetin dhe transparencën në shitblerje. Ai që është i sinqertë dhe sqaron të gjitha ato gjëra që nevojiten në lidhje me tregtinë, si për sa i përket përshkrimeve të nevojshme ashtu dhe prej defekteve apo dhe mangësive të objektit, kjo tregti do të jetë e dobishme për shkak të zbatimit të urdhrit të Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ. Kështu ai do të jetë i pastër prej mëkatit, në tregtinë e tij do të ketë bereqet, ai do të marrë shpërblimin dhe do t’i shpëtojë ndëshkimit në botën tjetër. Ndërsa ai që gënjen dhe i fsheh të metat e objektit si dhe fsheh ato gjëra prej cilësive që kanë lidhje me objektin, bashkë me mëkatin e tij bereqeti në tregtinë e tij do të zhduket. Dhe në momentin kur bereqeti do të largohet nga tregtia e tij, ai do të humbasë si këtë botë ashtu dhe botën tjetër.
1 Bukhari (2079) dhe Muslimi (1532).