Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Burimi: Err-Rraudah, fq. 182- 184
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Sunneti i pastër i Muhammedit salAllahu alejhi ue selem sqaron se çdo kush ka obligime ndaj asaj që i është dhënë në përgjegjësi. Ruajtës të njerëzve janë dijetarët, ruajtës i udhëheqësve është mençuria, ruajtës i njerëzve të mirë është devotshmëria, ruajtës i nxënësve është mësuesi i tyre, ruajtës i fëmijëve është prindi i tyre dhe ruajtës i gruas është burri i saj. Prandaj, çdokush është përgjegjës ndaj asaj që i është besuar për të qenë përgjegjës.
Mirëpo, njeriu që është detyruar më së shumti të jetë kompakt ndaj dikujt është të qenit i tillë ndaj udhëheqësit për shkak të përgjegjësisë që ata kanë ndaj njerëzve. Kur udhëheqësit nuk i kushtojnë kohë njerëzve dhe nuk i plotësojnë nevojat e tyre, veçse e kanë shkatërruar veten e tyre dhe i kanë shkatërruar të tjerët. Ka mundësi që shkatërrimi i një populli dhe çrregullimi i jetës së njerëzve në përgjithësi të jetë i lidhur me udhëheqësin e prishur.
Nuk ka mundësi që fuçia e udhëheqësit të realizohet në shtet nëse ndihmësit e tij nuk i binden, përveç nëse i dërgon atyre mbikëqyrës special. Gjithashtu, kjo nuk e luan rolin që ka, përveç nëse ky mbikëqyrës është miqësor dhe këshillues për të. Kjo nuk arrihet pa qenë ai i pastër në mendime dhe i ndershëm. Krijimi i këtij rrethi nuk bëhet përveçse me mirëqenie të lartë. Mirëqenia e lartë nuk arrihet përveç se me përmirësim të popullit. Populli nuk përmirësohet përveç atëherë kur drejtësia bie në vendin e vet. Prandaj, lirisht mund të themi se pushteti është në vendin e vet vetëm atëherë kur drejtësia është aty ku duhet të jetë, kurse humbja e pushtetit nuk shkaktohet përveç atëherë kur humbë drejtësia në vend.
Është obligim i udhëheqësit të ketë nën kontroll të gjithë punonjësit anembanë në mënyrë që mos të anashkalohet vlera e atij që është i sinqertë në punën që kryen, gjithashtu të mos neglizhohet mbikëqyrja ndaj atij që është i keq me njerëzit. E në qoftë se nuk e bën ai këtë, atëherë le ta dijë se nuk është kujdesur ndaj përgjegjësive të tij siç është i obliguar.
Udhëheqësi nuk duhet të qeshë shumë apo të rrijë i zymtë me ta. Të qeshurit e shumtë bën që të tjerët të mos e respektojnë dhe ia ul atij vlerën para tjerëve. Kurse të qenit i zymtë nënkupton mendjemadhësinë dhe arrogancën. Udhëheqësi nuk duhet të zemërohet sepse ai ka më shumë pushtet sesa që ka nevojë. Ai nuk duhet të gënjejë sepse askush nuk mund ta detyrojë atë të veprojë ndryshe. Ai nuk duhet të jetë koprrac sepse nuk ka arsyetim për mosdhënie dhe lakmi. Ai nuk duhet të shprehë urrejtje ndaj askujt ngase është i obliguar të mos krijojë armiq.
Udhëheqësi më i mirë është ai që nuk merret me gjëra të kota dhe më i keqi prej tyre është ai i zhyturi në gjëra të tilla, e që nuk është largpamës. Gjithashtu, udhëheqësi më i mirë është ai që i shëmbëllen shqiponjës kur i vërsulet gjahut të vet, e jo që i shëmbëllen gjahut kur i vërsulet shqiponja.
Ai është i obliguar që të ruajë pushtetin që ka, të jetë i devotshëm dhe të mbrojë interesat e popullit. Të gjitha këto duhet t’i ndërlidhë njëra me tjetrën sepse çdokush që është i fortë në këtë ka dikë që është edhe më i fortë se ai. Kur udhëheqësi nuk ia di dobësinë e udhëheqjes së vet që ka mbi të dobëtit, gjë e cila e shpije atë ta përdorë forcën ndaj tyre, atëherë kjo gjë ia sjellë atij shkatërrimin dhe përmbysjen. Prandaj, i dobëti dhe fjalëpaku janë më afër ngadhënjimit sesa i forti që mashtrohet pas forcës që ka. Ai nuk duhet ta ndëshkojë atë të cilin po ta ndëshkonte, mund edhe të pendohej për këtë akt ndaj tij në të ardhmen (për shkak të trazirave që mund të ndodhin më pas) dhe nuk duhet që t’i besojë atij ndaj të cilit ka gabuar dhe që e ka ndëshkuar pa të drejtë.
Udhëheqësi është si një zjarr, në qoftë se është i ulët, ai nuk sjellë dobi, nëse është shumë i lartë, dëmi bëhet i madh. Pushtetari më i mirë është si shiu nga i cili përfitojnë toka ku ai bie, ndërsa pushtetari më i keq është si zjarri që djegë tokat të cilat i kaplon.
Udhëheqësi i drejtë është më i dobishëm sesa shiu i bereqetshëm, ndërsa udhëheqësi zullumqar është më i mirë sesa vazhdimësia e fitneve.
El-Akhnef bin Kajs (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Udhëheqësi në lidhje me qytetarët është si shpirti në lidhje me trupin i cili nuk mund të jetojë pa të dhe si koka në lidhje me pjesët e trupit të cilat nuk kanë kuptim pa të.”