Imam Zejn-ud-Din bin Rexheb el-Hanbeli (v. 795)
Burimi: Lata’iful-Me’arif, fq. 207
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Është konfirmuar tek Bukhari dhe Muslimi nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se profeti ﷺ ka thënë:
“Njeriu shpërblehet dhjetë herë deri në shtatëqind herë për çdo vepër. Allahu thotë: “Përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të. Ai e ka braktisur epshin e tij dhe ushqimin e tij, dhe pijen e tij për hir Timin.” Agjëruesi përjeton dy gëzime, një herë kur ai bën iftar dhe një herë kur ai do të takohet me Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se sa aroma e miskut.”
Bazuar në këtë transmetim agjërimi nuk përfshihet në veprat që shpërblehen shumë fish. Me fjalë të tjera të gjitha veprat shpërblehen nga dhjetë herë deri në shtatëqind fish ndërsa agjërimi nuk përfshihet nga ky shpërblim i kufizuar. Në të vërtetë Allahu (azze ue xhel) e shpërblen atë me një shpërblim të pakufizuar. Agjërimi megjithatë i përket durimit dhe Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
“Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë!” 1
Prandaj është transmetuar se profeti ﷺ e quajti Ramazanin “Muaji i durimit”. Në një hadith tjetër, profeti ﷺ ka thënë:
“Agjërimi është gjysma e durimit.”2
1 39:10.
2 Tirmidhi nr 3519.