Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

A është dërguar profeti edhe tek xhinët dhe a do të japin xhinët llogari?

Alameh Muhammed bin Abdilah es-Subejjil 

Burimi: Rasail fil-Akidah ued-Dauah, faqe. 148-149

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “A e ka dërguar Allahu Muhammedin (salAllahu alejhi ue selem) tek xhinët, sikurse e ka dërguar tek njerëzit? A do gjykohen edhe xhinët për veprat e tyre ditën e gjykimit, kur dihet se Allahu thotë:

وَمَا كُنَّا مُعَذِّبِينَ حَتَّى نَبْعَثَ رَسُولاً

“Ne nuk dënuam asnjë popull, para se tu dërgojmë të dërguar!” 1

Përgjigje: “Xhinët janë krijesa të Allahut, të cilët janë përmendur në Kuran dhe Sunnet. Ata janë përgjegjës për veprimet e tyre. Besimtarët e tyre do të hyjnë në xhenet ndërsa jobesimtarët prej tyre do të hyjnë në xhehenem. Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56

Allahu (xhele ue ala), tregon se edhe nga mesi i tyre ka pasur të dërguar. Në një ajet kuranor thuhet:

يَا مَعْشَرَ الْجِنِّ وَالإِنسِ أَلَمْ يَأْتِكُمْ رُسُلٌ مِّنكُمْ يَقُصُّونَ عَلَيْكُمْ آيَاتِي وَيُنذِرُونَكُمْ لِقَاء يَوْمِكُمْ هَذَا قَالُواْ شَهِدْنَا عَلَى أَنفُسِنَا وَغَرَّتْهُمُ الْحَيَاةُ الدُّنْيَا وَشَهِدُواْ عَلَى أَنفُسِهِمْ أَنَّهُمْ كَانُواْ كَافِرِينَ

“O ju xhin dhe njerëz, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj, për t’ju treguar shpalljet Tona dhe për t’ju paralajmëruar takimin me këtë ditë?” Ata do të thonë: “Ne dëshmojmë kundër vetes sonë”. Vërtet, jeta e kësaj bote i mashtroi ata, kështu që ata do të dëshmojnë kundër vetes se kanë qenë mohues.” 3

Allahu (azze ue xhel) përmend në Librin e Tij xhinët të cilët dëgjuan Kuranin. Si rezultat i kësaj Ai shpalli një sure të tërë të cilën e emërtoi me emrin e tyre (suretul-Xhin). Ai (subhaneh) ka thënë:

وَإِذْ صَرَفْنَا إِلَيْكَ نَفَرًا مِّنَ الْجِنِّ يَسْتَمِعُونَ الْقُرْآنَ فَلَمَّا حَضَرُوهُ قَالُوا أَنصِتُوا فَلَمَّا قُضِيَ وَلَّوْا إِلَى قَوْمِهِم مُّنذِرِينَ

“Kur Ne dërguam te ty një grup xhinësh për të dëgjuar Kuranin, ata, kur erdhën, i thanë njëri-tjetrit: “Heshtni!” Dhe kur përfundoi (leximi), ata u kthyen te populli i tyre si këshillues.” 4

Shejkhul-Islam Ibn Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Është e obligueshme që ta dimë se Allahu e ka dërguar Muhammedin (salAllahu alejhi ue selem) tek të gjithë njerëzit dhe xhinët. Nuk ka asnjë njeri apo xhin, veçse duhet ta besojë dhe ta pasojë Muhammedin (salAllahu alejhi ue selem).

Çdo njeri e ka për obligim që ta besojë çdo gjë që ai (salAllahu alejhi ue selem) ka informuar dhe të zbatojë urdhëresat me të cilat ai i është dërguar. Atij që i arrin e vërteta me anë të kësaj shpallje ndërsa në anën tjetër refuzon ta besojë atë, ai është jobesimtarë. Nuk ka rëndësi nëse ky është një njeri apo xhin, sepse Muhammedi (salAllahu alejhi ue selem) është dërguar edhe tek njerëzit dhe tek xhinët. Muslimanët kanë konsensus në lidhje me këtë gjë. Dhe dihet se xhinët dëgjuan Kuranin dhe u kthyen tek populli i tyre me mesazhe paralajmëruese nga ai Kuran që ata e dëgjuan.”


1 El-Isra 17:15”

3 En-Aam 6:130

4 El-Ahkaf 46:29

Shpërndaje: