Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Shirku dhe origjina e tij

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Tahdhir-us-Saxhid min Ittikhadh-il-Kuburi Masaxhid fq. 135. Kapitulli nr. 5

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Nga ajo që është përcaktuar në Sheriat, është se njerëzit përbënin në një kohë një komunitet të vetëm që ishte i themeluar në Teuhid të vërtetë. Pastaj ndodhi Shirku dhe i kaploi ata gradualisht. Argument për këtë janë fjalët e Allahut (tabarak ue te ala):

“Njerëzit ishin një umet (të fesë së natyrshme islame) e (kur u përçanë) Allahu dërgoi profetët përgëzues dhe qortues.” 2:213

Ibn Abbasi (radijAllahu anhu) ka thënë: ”Në mes Nuhut ﷺ dhe Ademit ﷺ ishin dhjetë breza, dhe ato të gjitha ishin të vendosur në të vërtetën e Sheriatit, derisa ata u përçanë. Pastaj Allahu dërgoi profetët si përgëzues dhe qortues.” (Tefsiri i Ibn Xheriri et-Taberit (4/275) dhe Hakimi (2/546) i cili tha: ”Ky transmetim është autentik sipas kriterit të Bukharit. ”Dhehebiu u pajtua.)

Ibn Urueh el-Hanbeli ka thënë: ”Kjo fjalë refuzon historianët e Ehl-ul-Kitabit (jehudëve dhe të nasarave) të cilët pretendojnë se Kabil dhe bijtë e tij ishin adhurues të zjarrit.” (el-Kauakib-ud-Durari fi Tartib Musnad-ul-Imam Ahmed ala Abuab-il-Bukhari (6/212/1))

Unë them: Këtu ka refuzim edhe ndaj disa filozofëve dhe ateistëve të cilët pretendojnë se prirja e natyrshme e njeriut është shirku, dhe se Teuhidi është i rastit! Ajeti i mëparshëm hedh poshtë këtë pohim, të cilin e bëjnë edhe dy hadithe vijuese:

Hadithi i parë: Fjala e profetit ﷺ se ai ka transmetuar nga Zoti i tij:

”Unë i krijova të gjithë robërit e mi në fenë e vërtetë. Pastaj atyre u erdhën shejtanët dhe i devijuan nga feja e tyre e vërtetë. Ata ua ndaluan njerëzve atë që ua kisha lejuar,i urdhëruan të vënë ndihmëtarë karshi Meje, gjë për të cilën Unë nuk kisha dërguar ndonjë argument.” (Muslimi dhe Ahmedi)

Hadithi i dytë: Deklarata e tij ﷺ:

”Çdo fëmijë është i lindur me Fitreh (në natyrshmërinë e vërtetë, dmth myslimanë), por prindërit e tij e bëjnë atë jehudi, të krishterë apo adhurues të zjarrit.” (Bukhari dhe Muslimi)

Ebu Hurejrah ka thënë: ”Nëse dëshironi lexoni këto fjalë të Allahut:

Feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu.” (30:30) (el-Bukhari)

Pas këtij shpjegimi të qartë, është e rëndësishme për një mysliman që ta dij se si ndodhi Shirku në mesin e besimtarëve, pasi ata kishin qenë Muvahhidun (në teuhid).

Në lidhje me thënien e Allahut për popullin e Nuhut ﷺ:

”Dhe ata (pasanikët) u kurdisën atyre kurthe shumë të mëdha. Dhe u thanë: Dhe u thanë: Mos braktisni të adhuruarit tuaj kurrsesi, mos braktisni Uad, Suua, e as Jaguth, Ja’uk e Nes’ra.” 71:22-23

janë transmetuar disa fjalë nga një grup selefësh, se këta pesë të adhuruar ishin njerëz të devotshëm. Por pasi që ata kishin vdekur, shejtani u pëshpëriti njerëzve të tyre të qëndrojnë duke bërë ibadet pranë varrevë të tyre. Pastaj shejtani u përshpëriti pasardhësve të tyre që ti marrin ata si idhuj, dhe ai ua zbukuroi atyre idenë që ata vazhdimisht të përkujtohen nga ana e tyre dhe në këtë mënyrë të ndjekin veprat e tyre të drejta. Pastaj shejtani i u pëshpëriti gjeneratës së tretë se ata duhet t’i adhurojnë këta idhuj karshi Allahut (te ala) dhe ai u përshpëriti se kështu vepronin paraardhësit e tyre.

Kështuqë Allahu dërgoi Nuhun ﷺ në mënyrë që ti detyrojë ata që të adhurojnë vetëm Allahun. Megjithatë, vetëm disa do ti përgjigjeshin misionit të tij. Të gjitha këto i flet Allahu (azza ue xhel) në suren Nuh.

Ibn Abbasi tha: ”Vërtet, këta janë pesë emra të disa njerëve të devotshëm të popullit të Nuhut ﷺ. Pasi ata vdiqën, shejtani i përshpëriti popullit të tyre që tu ndërtojnë statuja atyre dhe t’i vendosin këto statuja në vendet e tyre të mbledhjes, si një përkujtim ndaj tyre, gjë të cilën ata e bënë.”

Megjithkëtë, askush nuk i adhuronte këto statuja, derisa ata vdiqën dhe qëllimi i vërtetë i statujave ishte harruar. Pastaj filluan ti adhurojnë ato.” (Bukhari)

Transmetime të ngjashme janë transmetuar nga Ibn Xherir et-Taberi dhe të tjerët nga Selefët radijAllahu anhum.

Në ed-Durar-ul-Manthur (6/269) thuhet: ”Abdullah bin Humejd transmetoi nga Ebu Mutahhar, i cili tha: ”Jezid ibn el-Muhallab i përmend Ebu Xhafer el-Bakirit. Ai tha:

”Ai u vra në një vend ku të tjerët pos Allahut u adhuruan për herë të parë.”

Pastaj ai përmendi Uedin dhe tha: ”Ued ishte një mysliman i cili ishte i dashur nga populli i tij.

Kur ai vdiq, njerëzit filluan të mblidhen rreth varrit të tij në tokat e Babilonisë, duke qarë dhe vajtuar. Kështuqë kur Iblisi i pa ata duke qarë dhe vajtuar për të, ai u shndërrua në një njeri dhe erdhi tek ata dhe u tha: ”Unë po shoh që ju po qani dhe po vajtoni për të. Pse nuk bëni një pikturë (ose skulpturë) të tij dhe ta vendosni aty ku mblidheni, kështu që të mund ta kujtoni atë?”

Ata thanë: ”Po.” Dhe e bën një imazh të tij dhe e vënë atë në vendin e tyre të mbledhjes që t’ua përkujtonte atyre. Kur Iblisi pa se sa shumë ata e përkujtonin atë, ai tha: ”Pse nuk e bën çdo njeri nga ju një imazh të ngjashmëm të tij që të mund ta ketë në shtëpinë e tij, kështu që ju mund ta përkujtoni atë?” Ata thanë: ”Po.”

Pra, secila shtëpi e bëri një skulpturë të tij dhe filluan ta përkujtojnë.”

Ebu Xhaferi ka thënë: ”Ata që i përkisnin brezit të më vonshëm e panë se çfarë (brezi i mëparshëm) kishte vepruar duke e cilësuar atë aq shumë, sa që ata e morën atë si një idhull karshi Allahut.”

Pastaj ai tha: ”Ky ishte idhulli i parë që u adhurua në vend të Allahut Te ala, dhe ata e quajtën këtë idhull ”Uad”. (Gjithashtu transmetuar nga Ibn Ebi Hatim dhe në el-Kauakib-ud-Durari nga Ibn Urauh).

Kështu u përmbush urtësia e Allahut Te ala kur Ai dërgoi Muhammedin ﷺ si profetin e fundit dhe e bëri Sheriatin e tij si një përfundim të gjitha ligjeve të përcaktuara, në të cilën ai ndaloi të gjitha mjetet dhe qasjet që mund t’i bëjë njerëzit të bien në shirk – i cili është mëkati më i madh.

Për shkak të kësaj, është e ndaluar për të ndërtuar faltore mbi varre dhe të bëjhen udhëtime të veçanta tek to, të mirren ato si vende ceremoniale dhe të bëhen zotime afër personit të varrosur.

Shpërndaje: