Qëllimi ynë
Faqja “Perlat Muslimane” synon të ruajë pastërtinë e besimit dhe rrugës së vërtetë Islame, larg çdo forme sektarizmi apo fraksioni të devijuar nga udhëzimi i profetit Muhamed ﷺ. Ne distancohemi qartësisht nga çdo grupacion i shpikur dhe nga ideologjitë e huaja që bien ndesh me mësimet e brezave të parë të muslimanëve dhe dijetarëve të mëdhenj edukatorë.
Profeti Muhamed ﷺ ka thënë:
”Njerëzit më të mirë janë brezi imë. Pastaj, ata që vijnë pas tyre. Pastaj, ata që vijnë pas tyre.” Bukhari dhe Muslimi.
Faqja jonë është e ndërtuar plotësisht mbi parimet e Kuranit dhe Sunetit, ashtu siç janë kuptuar dhe zbatuar nga brezat e parë të udhëzuar (Selef-us-Salih). Thirrja jonë fokusohet në disa pika kyçe, të cilat përbëjnë themelin e mesazhit tonë:
Qëllimi ynë i parë është pastrimi i besimit Islam nga çdo ide, mendim, rrymë, sekt, grupacion apo ideologji e huaj që është përhapur te muslimanët duke kthyer fenë në pastërtinë e saj të parë në mënyrë që të gjithë ne të bashkohemi rreth asaj rruge dhe metodologjie që bashkoi brezat e parë të udhëzuar të këtij umeti.
Përpjekjet tona janë të drejtuara në zhdukjen dhe neutralizimin e mëkateve më të mëdha që bëhen ndaj Allahut të Lartësuar, siç janë:
Idhujtaria: Adhurimi i kujtdo tjetër përveç Allahut, pra shirku, që përbën mëkatin më të rëndë në Islam.
Mohimi: Refuzimi i ekzistencës së Allahut dhe i ligjeve të Islamit.
Bidatet: Që janë shpikjet në fenë e Allahut pa asnjë argument fetar, qoftë në besime, fjalë apo vepra
Faqja jonë synon gjithashtu pastrimin nga pasimi i verbër i grupeve dhe individëve të ndryshëm. Për më tepër, kemi për qëllim pastrimin e trupit dhe shpirtit nga mëkatet qofshin ato të mëdha apo të vogla, në mënyrë që të arrijmë qëllimin e krijimit: adhurimin e vetëm të Allahut të Lartmadhëruar dhe largimin nga çdo gjë që kundërshton këtë. Siç ka thënë Allahu i Lartmadhëruar në Kuranin Fisnik:
“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat 51:56
Gjithashtu Allahu i Lartësuar ka thënë:
”Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” Ali Imran 3:103
Qëllimi ynë i dytë është edukimi i muslimanëve përmes këshillimit dhe nxitjes që të pajisen dhe zbukurohen me moralet e larta të Islamit dhe virtytet fisnike të cilat i ka urdhëruar dhe porositur i dërguari i Allahut, profeti Muhamed ﷺ gjatë jetës së tij.
Vetëm duke arritur këto qëllime, muslimanët do të jenë në gjendje – me ndihmën e Allahut – të fitojnë kënaqësinë e Tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Përndryshe ne përkujtojmë dhe këshillojmë vetët tona dhe të gjithë muslimanët me fjalët e Allahut të Lartmadhëruar, i Cili ka thënë në Kuranin Madhështor:
”Dhe kushdo që e kundërshton të dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e xhehenemit; eh, sa vendbanim i keq që është ai!” En-Nisa, 4:115
Besimtarët që përmenden në këtë ajet janë profeti Muhamed ﷺ dhe sahabët -radijAllahu anhum- të cilët siç përmendëm më parë, përbëjnë brezin e parë të Selef-us-Salih. Pikërisht në këtë rrugë ne thërrasim, ftojmë, këshillojmë, nxisim dhe urdhërojmë vetët tona, muslimanët dhe gjithë njerëzit.
Artikujt në faqen tonë përkthehen vazhdimisht nga libra, ligjërata audio dhe intervista me dijetarë. Këto materiale publikohen në faqen tonë pa censurime, ndryshime apo manipulime. Në disa raste mund të shtohen fusnota ose sqarime të ngjashme, por gjithmonë duke e bërë këtë të qartë për lexuesin.