Imam Abdurr-Rrahman bin el-Xhauzi el-Hanbeli
Burimi: Laftatul-Kebid fi Nasihatil-Veled, fq.52-54
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
(Nga fëmijëria e Ibul-Xheuziut)
Shiko biri im! Ke kujdes se si qëndron ndaj kufijve të fesë. Ruaje veten nga të këqijat sepse kush kujdeset për veten, Allahu e ruan atë e kush nuk kujdeset, lihet ashtu siç është. Ndërsa unë, do të tregoj për veten time në rini, besoj se do të bëj dobi edhe ty. Gjithashtu, lute Allahun që të të ndihmojë e të japë sukses, sepse unë çdo gjë që kam arritur, është për shkak të ndihmës së Allahut.
Më kujtohet se në moshën gjashtë vjeçare isha shumë i përkushtuar dhe shkoja në shkollë për të mësuar Kur´anin. Edhe pse shokët e mi ishin më të vjetër se unë, mua Allahu më kishte dhënë intelekt më të madh sesa atyre. Nuk më kujtohet se kam luajtur ndonjëherë në rrugë me djem ose të kem pasur kohë për të qeshur jashtë shtëpie.
Kur isha afërisht shtatë vjeç, shkoja për të mësuar në xhaminë kryesore. Prezantoja në të gjitha mësimet që jepeshin aty dhe dëgjoja me vëmendje. Shpeshherë kërkoja nga mësuesit që të mi shpjegonin gjërat disa herë dhe kështu mësoja tërë mësimet përmendësh, e kur shkoja në shtëpi, i shkruaja të gjithë këto mësime që i merrja më parë.
Kam pas nderin që më së shumti të mësoj tek Shejkhu im Ebul-Fadl bin Nasir, Allahu e mëshiroftë. Ai ishte i cili më mori mua tek dijetarët dhe më shtyu që në duart e tyre të dëgjoj e mësoj librin “Musned” (të Imam Ahmedit) dhe libra të tjerë të mëdhenj. Atë kohë unë nuk e dija se çfarë kërkohej në realitet nga unë, por Shejkhu im kishte hartuar planin me të gjitha librat dhe mësimet që duhej t’i merrja deri në moshën madhore. E shoqërova atë derisa ai vdiq, Allahu e mëshiroftë. Nga ai kam përfituar më së shumti në lidhje me hadithin dhe transmetimet.
Ndërsa fëmijët zbritnin tek lumi Tigër për të lozur tek ura, unë ulesha larg nga njerëzit në shpatin e luginës dhe merresha me dije.
Më kishte ndihmuar Allahu në çështje të adhurimit. Fillova të agjëroj dhe mjaftohesha me pak ushqim, përqendrohesha në durim sa më të madh dhe qëndroja i zgjuar gjatë netëve. Nuk mjaftohesha me mësimin e një lëmi të vetme, por mësoja fikhun, dëgjoja këshilla të shumta dhe hadithe, shoqërohesha me njerëz që ishin të njohur me devotshmëri dhe vepra adhurimesh.
Pastaj mësoja dhe lexoja shumë në gjuhën arabe, nuk kishte një person i cili tregonte hadithe apo jepte këshilla, madje edhe në qoftë se ishte i huaj, veçse ulesha tek ai dhe merrja të mirat që i tregonte. Kur kam qenë i detyruar që të zgjidhja mes dy çështjeve, zgjidhja atë që ishte më e sakta. Allahu u kujdes mirë për mua.
Ai më udhëzoi në atë që ishte më e mira për mua dhe më mbrojti nga armiqtë, ziliqarët dhe nga të gjithë që ma dëshironin të keqen. Ai mi lehtësoi mua rrugët e kërkimit të dijes, e më vinin libra nga nuk e prisja fare. Allahu më kishte dhënë të kuptuar, nxënie përmendësh të shpejtë e shkrim të mirë (të librave). Nuk isha i kursyer nga ndonjë gjë e kësaj bote, gjithmonë më ka dhënë aq sa kam pasur nevojë, e ndonjëherë edhe më shumë. Ai bëri që të jem i pranuar tek njerëzit përtej kufijve. Në duart e mia pranuan Islamin afër 200 nga jobesimtarët, kurse më shumë se 100.000 mëkatar janë penduar në mexhliset e mia.
Shkoja tek dijetarë të ndryshëm për të dëgjuar hadithin, edhe pse kisha pengesa të shumta që të mos e bëja këtë. Shpeshherë zgjohesha në mëngjes e nuk kisha se çfarë të ha, apo më nxinte mbrëmja dhe unë nuk kisha futur në gojë asgjë, por Allahu asnjëherë nuk më ka përulur përpara asnjë njeriu. Sikur të zgjatja tregimin tim, do të bëhej e tepërt, por unë të këshilloj o biri im me ajetin:
وَاتَّقُوا اللهَ وَيُعَلِّمُكُمُ اللهُ
“…prandaj, keni frikë Allahun! Allahu ju mëson juve…” 2:282