Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

22.Drejtimi drejt kiblës

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 75-77

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Kur i dërguari i Allahut ﷺ dëshironte të falte namazin, si namaz të detyrueshëm, si namaz vullnetar, ai qëndronte në drejtim të kiblës1. Ai e urdhëroi këtë veprim dhe i tha njeriut që u fal në mënyrë të gabuar:

”Kur të ngrihesh për tu falur duhet të marrësh abdes si duhet, pastaj duhet të qëndrosh drejt kiblës dhe thua “Allahu Ekber.”2

Gjithashtu në një hadith thuhet:

”Kur ai ﷺ ishte në udhëtim dhe e falte namazin vullnetar mbi shtazën e tij. Ai e falte namazin e vitrit në çfarëdo drejtimi që shkonte kafsha, [pavarësisht se a ishte në drejtim të lindjes apo perëndimit].”3

Kjo është pikërisht ajo për të cilën flasin fjalët e Tij -te ala-:

”Kështu që ngado që të drejtoheni apo të ktheni fytyrat, atje është fytyra e Allahut.”4

Gjithashtu:

”Nëse ai ndonjëherë dëshironte të falë namaz vullnetar mbi devenë e tij, ai drejtohej në drejtim të kiblës dhe bënte tekbir. Pastaj ai falej në çdo drejtim që shkonte kafsha.”5

”Ai bënte ruku dhe sexhde mbi kafshën e tij, duke ulur kokën e tij dhe e bënte sexhden më poshtë se rukunë.”6

”Nëse ai donte të falte namazin e detyrueshëm, ai zbriste nga shtaza dhe drejtohej kah kibla.”7

Kur falte namazin nën frikë të jashtëzakonshme, ai ﷺ ia përshkroi umetit të tij që ta falin namazin [si vijon]:

”Duke ecur apo duke qëndruar në këmbë, në kalërim, të kthyer në drejtim të kiblës ose jo.”8

Përveç kësaj, ai tha:

”Nëse ato (ushtritë) takohen, namazi duhet falur vetëm me tekbir dhe shenjë me kokë.”9

Ai ﷺ e kishte zakon të thoshte:

”Çdo gjë në mes lindjes dhe perëndimit është kible.”10

Xhabiri -radijAllahu anhu- ka thënë:

”Ne ishim me të dërguarin e Allahut ﷺ në një karvan ose në një batalion. Papritur koha u vrenjtë dhe ne u hutuam dhe kishte mendime të ndryshme se nga ishte kibla. Si pasojë secili u fal në drejtimin e tij. Secili prej nesh bëri një vijë para tij për ta ditur pozicionin e tij. Në mëngjes, ne i shikuam ato dhe e pamë se ne nuk ishim falur në drejtim të kiblës. Ne ia treguam këtë profetit ﷺ, [por ai nuk na urdhëroi që ta përsërisim namazin] i cili tha: ”Namazi juaj është shpërblyer.”11

”Ai ﷺ u fal në drejtim të Jerusalemit, [ndërsa qabja ishte para tij] para se të shpallej ky ajet:

”Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të kiblës që ti e do atë.”12

Pasi u shpall ky ajet, ai u kthye në drejtim të kiblës. Ndërsa njerëzit ishin duke e falur namazin e sabahut në Kuba, erdhi një person tek ta dhe u tha: ”Natën e kaluar i është shpallur Kuran të dërguarit të Allahut ﷺ dhe ai u urdhërua që të kthehet në drejtim të kiblës. Prandaj kthehuni kah ajo! ”Ata ishin të kthyer kah Shami kur ata u kthyen [imami u kthye derisa u drejtua së bashku me ta në drejtim të kiblës].13


1 Kjo është diçka për të cilën nuk ka asnjë paqartësi për shkak se ky hadith është transmetuar nga shumë sahabë. Prandaj nuk ka nevojë për të përmendur ku është transmetuar dhe më tej do të dalê në sheh ajo që e sugjeron këtë.

2 Bukhari, Muslimi dhe Es-Siraxh.

3 El-Irua (289) dhe (588).

4 El-Bekare 2:115.

5 Ebu Daudi, Ibn Hibani në ”Eth-Thikat (1/12)” dhe Edh-Dhija në ”El-Mukhtarah” me një zinxhir të mirë transmetimi. Ai është autentik sipas Ibn-us-Sekan, Ibn-ul-Mulakin në ”Khulasah El-Bedr El-Munir (1/22)” dhe para saj nga Abdul-Hak El-Ishbili në ”El-Ahkam (1394)” me verifikimin tim). Këtë mendim e ka edhe Ahmedi, gjë të cilën e transmeton Ibn Hani nga ai në ”El-Mesa’il (1/67)” të tij në edicionin e El-Mekteb El-Islami.

6 Ahmedi dhe Tirmidhi dhe ai e konsideroi atë autentik.

7 Bukhari dhe Ahmedi.

8 Bukhari dhe Muslimi.

9 Bejhaki me dy zinxhir transmetimi të cilët janë autentik.

10 Tirmidhi dhe Hakim, ata e konsideruan hadithin autentik. E kam përmendur këtë në ”Irua’-ul-Ghalil fi Takhrixh Ahadith Manar-is-Sebil (292)” dhe Allahu e ka lehtësuar botimin e këtij libri.

11 Darakutni, Hakimi, Bejhaki, Tirmidhi, Ibn Maxheh dhe Tabarani dhe ceket në ”El-Irua (296)”.

12 El-Bekare 2:144

13 Bukhari, Muslimi, Ahmedi, Es-Siraxh, Tabarani (3/108/2) dhe Ibn Sa’d (1/243) hadithi gjendet poashtu në “El-Irua (290)”.

Shpërndaje: