Imam Ebul-Husejn Muhammed bin Ebi Ja’la el-Hanbeli (v. 526)
Burimi: Kitab-ul-I’tikad
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
[10] Është e detyrueshme të besosh në kaderin (caktimin e Allahut), të mirën në të dhe të keqen në të, në ëmbëlsinë e tij dhe në atë të hidhurën në të, të madhen në të dhe të voglën në të, të shfaqurën në të dhe të fshehurën në të, atë që të pëlqen në të dhe atë që e urren, të bukurën në të dhe të shëmtuarën në të.
Fillimi dhe fundi i tij është nga Allahu. Ai ka caktuar caktimin e Tij për robërit e Tij. Askush nuk mund ta tejkalojë dëshirën e Allahut (azze ue xhel) dhe askush nuk mund t’i iki vendimit të Tij. Të gjithë shkojnë në mënyrë të pashmangshme drejt asaj që Ai ka krijuar për ta, të gjithë në mënyrë të pashmangshme bien në atë që Ai ka caktuar për ta. Kjo është drejtësi e pastër nga Zoti ynë (azze ue xhel). Ai dëshiron bindjen, pajtohet me të, e do atë dhe urdhëron në të. Ndërsa, Ai nuk e ka urdhëruar mëkatin dhe Ai as nuk e do atë, e as nuk pajtohet me të. Nga ana tjetër, Ai e ka përcaktuar atë, ka vendosur dhe ka dashur që ai të ndodh. I vrari vdes kur t’i vijë exheli i tij.