www.perlatmuslimane.com
Allahu -subhanehu ue te ala- ka thënë:
“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe jini me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” 9:119
Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- rrëfeu: “E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: ‘Ai që ia rrëmben pasurinë një muslimani padrejtësisht duke u betuar (rrejshëm), do ta takojë Allahun të zemëruar me të.’ Abdullahu thotë: “Pastaj i dërguari i Allahut ﷺ na lexoi ajetin nga libri i Allahut, që e miraton këtë:
“Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t’u flasë atyre, nuk do t’i shikojë në ditën e kiametit dhe nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” Ali Imran, 77
Allahu -subhanehu ue te ala- ka thënë:
“Mos e përzieni të vërtetën me të pavërtetën, dhe të vërtetën mos e fshihni me vetëdije.” El-Bekare, 2:42
“O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ata vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju.” En-Nisa, 4:135
“Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), që kur masin për veten, e marrin masën të plotë, ndërsa kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen në një ditë të madhe, ditën kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!” El-Mutaffifin 83:1-3
“Saktësojeni matjen, kur matni dhe peshoni me peshore të rregullt. Kjo është e mira që çon në përfundimin më të bukur.” El-Isra, 17:35
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush beson Allahun dhe ditën e fundit le të flasë mirë ose le të heshtë. Kush beson Allahun dhe ditën e fundit le ta nderojë fqinjin e vet. Kush beson Allahun dhe ditën e fundit le ta nderojë mysafirin e vet.” Transmeton Muslimi (173).
“Shenjat e hipokritit janë tre:
1. Kur flet, gënjen;
2. Kur premton, nuk e mban premtimin;
3. Kur i besohet, tradhton.”
Transmeton Bukhari (33).
“Ai që i ka këto katër tipare është hipokrit i kulluar. Ndërkaq, ai që ka vetëm njërin prej tyre, atëherë ka një prej tipareve të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë. Ato janë:
1. Kur i besohet, tradhton;
2. Kur flet, gënjen;
3. Kur premton, nuk e mban atë;
4. Kur polemizon, bëhet vulgar.”
Transmetojnë Bukhari (34), Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhi, Nesai dhe Ahmedi.
Ebu Dherri -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari ﷺ i Allahut ka thënë:
“Tre kategorive të njerëzve, Allahu nuk u flet në ditën e gjykimit, nuk i shikon e as i pastron, por i pret një dënim i dhembshëm.” Pasi i dërguari i Allahut ﷺ e lexoi tre herë këtë.
Ebu Dherri tha: “Qenkan të dështuar dhe humbës! Cilët janë këta, o i dërguari i Allahut?”
Ai tha:
1. “Personi që lëshon rrobën nën nyjë (të këmbës),
2. Ai që përmend lëmoshën e vet dhe
3. Ai që shet një produkt me betim të rrejshëm.”
Transmeton Muslimi 293.
Abdullah ibn Mesudi radijAllahu anhu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Me të vërtetë thënia e të vërtetës të çon në bërjen e veprave të mira dhe veprat e mira të çojnë në xhenet! Vërtet, njeriu vazhdon të jetë i sinqertë (në fjalë e vepra) derisa shkruhet tek Allahu i sinqertë. Ndërsa me të vërtetë gënjeshtra të çon në shthurje dhe ligësi, dhe shthurja dhe ligësia të çojnë në zjarr! Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa shkruhet tek Allahu gënjeshtar.”
Transmeton Bukhari (6094) dhe Muslimi (2607).
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Tre kategorive të njerëzve Allahu nuk u flet në ditën e gjykimit, nuk i pastron.” Ebu Muauia -radijAllahu anhu- transmetoi me shtojcën: “madje as nuk i shikon, – por i pret një dënim i dhembshëm:
1. Plakun zinaqar,
2. Mbretin gënjeshtërmadh dhe
3. Të varfrin mendjemadh.”
Transmeton Muslimi (296).
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos ndërhyni në shitblerjen e tjetrit. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton, nuk e gënjen e as nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu, – këtë e tha tre herë, duke bërë me shenjë në gjoksin e tij – I mjafton si e keqe njeriut ta përulë vëllain e tij musliman. Kundrejt muslimanit, muslimani në tërësi është i paprekshëm: gjaku, pasuria dhe nderi i tij.”
Transmeton Bukhari (6064) dhe Muslimi (2564).
Imam Muhamed bin Hiban El-Busti -rahimehullah- ka thënë në Raudatul-Ukala ue Nuz’hetul-Fudala:
Allahu -xhela ue ala- ka nderuar gjuhën mbi të gjitha gjymtyrët e tjera të trupit. E ka ngritur atë në shkallën më të lartë, dhe e ka sqaruar këtë ndershmëri ngase i ka dhënë asaj mundësinë që të flasë dhe të shprehë teuhidin ndryshe nga gjymtyrët e tjera të trupit. Prandaj i mençuri nuk duhet që këtë gjymtyrë që është krijuar për teuhid ta përdorë në gënjeshtër.
Përkundrazi ai është i detyruar të sigurohet që ajo të thotë gjithmonë të vërtetën dhe të thotë atë që i sjell dobi në të dyja jetët sepse gjuha vepron sipas asaj me të cilën është mësuar. Në qoftë se është edukuar me të vërtetën, ajo do ta flasë të vërtetën, e në qoftë se është mësuar me gënjeshtrën, ajo vetëm do të gënjejë.
Ismail bin Ubejdilah ka thënë: “Abdul-Melik bin Meruani më tha: “Mësoja bijve të mi sinqeritetin ashtu siç ia mëson Kuranin. Mbaj larg gënjeshtrës edhe nëse u rrezikohet jeta.”
Ali El-Behdelij ka thënë: “Kam qenë me Ibn Umerin -radijAllahu anhu- kur një irakian i tha atij: “Ti bir i hipokriti!”
Ibn Umeri -radijAllahu anhu- i tha: “Mjerë për ty! Hipokriti kur flet, gënjen, kur premton, e thyen premtimin, kur i besohet, tradhton.”
Fudejl bin Ijad ka thënë: “Nuk ka asnjë pjesë mishi të që e do Allahu më shumë sesa gjuhën e sinqertë, dhe nuk ka asnjë pjesë mishi që Allahu e urren më shumë sesa gjuhën gënjeshtare.”
Çdo gjë me të cilën zbukurohesh është e lehtë ta gjesh dhe ta huazosh përveç gjuhës e cila nuk thotë përveç asaj me të cilën është mësuar. Sinqeriteti e shpëton njeriun, ndërsa gënjeshtra e shkatërron atë. Ai që kontrollon gjuhën do të zgjidhet udhëheqës i popullit të tij. Ndërsa ai që gënjen shumë nuk të le hapësirë që t’i besosh për asgjë. Nuk ka mundësi të gënjejë njeriu derisa mos ta konsiderojë gënjeshtrën si diçka normale.
Muhamed bin Ka’b El-Kuradhi ka thënë: “Gënjeshtari gënjen sepse e sheh veten e tij të pa vlerë.”
Nëse dëmi i vetëm i gënjeshtrës do të ishte se nuk konsiderohesh i sinqertë, kjo do të mjaftonte që të folurit e së vërtetës të jetë obligim. Një nga pasojat e gënjeshtrës është se gënjeshtari harron atë thotë. Dhe pasi që është kështu, gënjeshtari i shëmbëllen atij i cili në vazhdimësi thërret në poshtërimin e vetvetes.
Nasr bin Ali El-Xhehdemij ka thënë: “Allahu na ka ndihmuar neve kundër gënjeshtarëve duke bërë që ata të harrojnë atë që thonë.”
Ez-Zuhri ka thënë: “Sikur ta kishe parë Tausin, menjëherë do ta kishe kuptuar se ai nuk gënjen kurrë.”
Gjuha është kafshë grabitqare. Nëse e frenon, ajo shpëton, e nëse e lë të lirë, ajo e kafshon madje edhe pronarin e saj. Gënjeshtari zbulohet përmes gjuhës së tij. I mençuri nuk futet në diçka për të cilën nuk ka dije, por akuzohet për dijen që e ka. Prijësi i mëkateve është gënjeshtra. Gënjeshtra shfaq anët e këqija dhe fsheh anët e mira të njeriut. Nuk lejohet të përhapësh diçka sapo e dëgjon atë ngase ai që përhap gjithçka që dëgjon ia ul vlerën mendimeve të tij dhe shkatërron besimin që njerëzit e kanë ndaj tij.
Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë: “Është e mjaftueshme që besimtari të bjerë në gënjeshtër nëse flet gjithçka që dëgjon.”
Isa bin Merjem ﷺ ka thënë:
“E përgëzoj me xhenet atë që e ruan gjuhën e tij, e zgjeron shtëpinë e tij dhe qan për gabimet e veta.”
Sinqeriteti e ngrit njeriun në të dy botët, ndërsa gënjeshtra e ulë atë në të dy botët. Nëse sinqeriteti nuk do të ishte tipar lavdërueshëm përveçse kur njeriu të njihet me këtë tipar (sinqeritetin) do të pranohej edhe gënjeshtra e tij dhe do të konsiderohej e vërtetë, do të ishte e detyrueshme për të mençurin që ta mësojë gjuhën e tij të flasë vetëm të vërtetën dhe t’i shmanget gënjeshtrës. Ndonjëherë heshtja është më e mirë sesa të folurit sepse çdo herë që gabon kur të flasësh, në këtë rast ishte më mirë që të heshtësh.
Umer bin Khatabi -radijAllahu anhu- ka thënë: “Nuk do ta shijojë robi besimin e vërtetë përderisa nuk i braktis grindjet edhe pse ka të drejt dhe përderisa nuk braktis gënjeshtrën kur ai bën shaka edhe nëse është i sigurt se do t’i bëjë njerëzit të qeshin.”
Abdullah bin Amr -radijAllahu anhu- ka thënë: “Braktise atë që nuk të përket, mos flit për atë që nuk ka të bëjë me ty dhe ruaje gjuhën tënde ashtu siç i ruan parat tua.”
Njeriut të mençuri nuk i lejohet të jetë i tolerueshëm me gjuhën e tij. Ai që flet shumë, bën gabime të shumta. Ndërsa, gabimet tuaja mund të reflektojnë edhe tek të tjerët. Në këtë mënyrë bën veprime të cilat sjellin rezultate të pariparueshme. Plaga e gjuhës nuk shërohet dhe ajo që gjuha pret, nuk kthehet në vendin e saj. Kur fjala e lëndon zemrën, nuk mund të shërohet për një kohë të gjatë dhe shërohet vetëm pas një trajtimi vërtet intensiv.
Plagët që shkakton gjuha nuk sherohen lehtë. Fjalët, kur lëndojnë, nuk kthehen dot pas. Ato prekin zemrën dhe lënë dhimbje që vetëm koha dhe trajtimi intensiv mund t’i shërojnë.”
Ka njerëz të cilët nderohen vetëm për shkak të kujdesit që kanë në të folur dhe ka të tillë që poshtërohen vetëm për shkak të moskujdesit në të folur. Ndërsa, i mençuri nuk mund të jetë me të poshtëruarit.
Ibn Sirin ka thënë: “Fjalët e tepërta peshojnë më rënd sesa gënjeshtra e komikut.”