“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

Rreth të ashtuquajturës “Fara e mbretit”

Përgatiti: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Jam pyetur për një produkt që po qarkullon në rrjete sociale me emrin “Fara e mbretit (euphorbia)”. Më dërguan edhe një foto ku shkruhej se kjo farë ka këto “veti shëruese”:

* kundër gëlbazës

* forcon shikimin

* pastron zorrën dhe stomakun

* rrit aftësinë për marrëdhënie

* pastron gjakun

* kundër syrit të keq

* kundër magjisë

* kundër shkeljes së xhindit

* kundër depresionit

* kundër stresit

* kundër lodhjes

* kundër gjendjes mendore

Duke parë këto pretendime të shumta, e hulumtova këtë çështje nga aspekti fetar, sepse disa prej këtyre gjërave lidhen me çështje që i atribuohen fesë.

Ekziston një hadith ku përmendet shubrum, një bimë shumë e fuqishmë në veprim që në disa vende quhet edhe “fara e mbretit”.

Hadithi thotë: Esma bint Umejs ka thënë:

Profeti Muhamed ﷺ më pyeti: “Oj Esma, me çfarë e trajton kapsllëkun?”

Unë thashë: “Me shubrum (fara e mbretit/euphorbia).”

Ai ﷺ tha: “Shubrum është i nxehtë dhe shumë i fortë në veprim.”

Pastaj përdora sena.

Ai ﷺ tha: “Nëse do të kishte diçka që shëron nga vdekja, do të ishte senna (senna alexandrina). Senna është ilaç për vdekjen.”

Ky hadith transmetohet në Sunen Ibn Maxheh (3461).

Megjithatë ky hadith është i dobët. Dijetari i hadithit dhe imami fisnik, imam Albani -rahimehullah- e ka klasifikuar atë si të dobët në librin Daif Sunen Ibn Maxheh (3461).

Prandaj ky hadith “nuk mund të përdoret si dëshmi” për të mbështetur pretendimet që përhapen rreth kësaj bime.

Pretendime pa bazë fetare

Në listën e pretendimeve për këtë produkt përmenden edhe gjëra si:

– kundër syrit të keq

– kundër magjisë

– kundër shkeljes së xhindit

Këto pretendime “nuk kanë asnjë bazë në Kuran dhe në hadithet autentike”. Nuk ekziston asnjë tekst i saktë fetar që të tregojë se kjo bimë është ilaç për këto gjëra.

Fatkeqësisht shpeshherë produkte të tilla reklamohen me pretendime të mëdha:

– Ose nga “injoranca”,

– Ose për “përfitime financiare”.

Këshillë

Muslimani duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mos besojë çdo pretendim që qarkullon në rrjete sociale apo në treg.

Duhet të kthehemi te:

– Kurani

– Hadithet autentike të profetit ﷺ

– Shpjegimet e dijetarëve të besueshëm.

dhe të mos mbështetemi në pretendime të pabazuara që u atribuohen fesë.

A përdorej kjo farë në të kaluarën?

Në librat e mjekëve të vjetër, po ashtu përmend Ibnul-Kajimi -rahimehullah- si dhe Ibn Sina se shubrum është bimë me veprim shumë të fuqishëm.

Përdorej për:

• kapsllëk të rëndë (për të pastruar zorrët)

• për të nxjerrë atë që në mjekësinë e vjetër quhej “balgëm” (gëlbazë)

• në disa raste për pastrim të fortë të stomakut dhe zorrëve Por gjithmonë përmendej me kujdes të madh, sepse:

• është shumë irritues për zorrët

• mund të shkakton helmim ose diarre të rrezikshme nëse merret shumë.

Për këtë arsye në mjekësinë e vjetër shpesh përzihej me substanca të tjera për ta zbutur efektin.

A përdoret sot te arabët?

Sot përdoret shumë rrallë.

Arsyeja:

• mjekësia moderne e konsideron shumë irrituese dhe potencialisht toksike

• ka laksativë shumë më të sigurt.

Në vend të saj, në botën arabe përdoren më shpesh:

• Senna alexandrina

• fara liri

• produkte farmaceutike moderne.

Në disa zona tradicionale (sidomos në mjekësinë popullore), mund të gjendet ende, por zakonisht me shumë kujdes dhe në sasi shumë të vogla.

Si përmbledhje:

• në të kaluarën përdorej si laksativ shumë i fortë

• ishte e njohur por edhe e rrezikshme

• sot përdoret shumë rrallë sepse ka alternativa më të sigurta.

Allahu e di më së miri, selamet dhe salavatet tona qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi sahabët e tij.

Shpërndaje: