Autor: Imam Ahmed bin Hanbel
Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 373-374
Përktheu: Valdet Gashi
Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:
”Ka sunnet që është aq i detyrueshëm sa që kushdo që lë një aspekt të tij, nuk e pranon atë dhe nuk beson në të, përjashtohet prej pasuesve të sunnetit. Prej këtij sunneti është besimi në kaderin, të mirën dhe të keqen në të dhe besimi i haditheve në lidhje me të. Pyetjet si ”Përse?” dhe ”Si?” nuk duhet të shtrohen. Qëllimi është vetëm që të besosh në të.”
Shpjegimi
Imam Ahmedi ka thënë: ”Ka sunnet që është aq i detyrueshëm sa që kushdo që lë një aspekt të tij, nuk e pranon atë dhe nuk beson në të, përjashtohet prej pasuesve të sunnetit.”
Vini re këtë! Kjo fjali është shumë e rëndësishme. Tani imam Ahmedi do të përmend parime që janë aq të rëndësishme saqë ai që nuk beson në to, nuk i takon Ehl-us-Sunnetit. Kjo do të thotë se ai braktis kornizat e sunnetit dhe iu bashkohet bidateve. Prandaj, vini re kësaj! Ai tha:
”Ka sunnet që është aq i detyrueshëm sa që kushdo që lë një aspekt të tij, nuk e pranon atë dhe nuk beson në të, përjashtohet prej pasuesve të sunnetit.”
Fatkeqësia më e madhe është që të mohosh ato të gjitha ose të paktën shumicën e tyre. Që ai të mos e pranoj atë, do të thotë se ai e refuzon atë.
Ai tha: ”… përjashtohet prej pasuesve të sunnetit.”
Nëse ai nuk i përket Ehl-us-Sunnetit atëherë i përket pasuesve të bidateve dhe të devijimeve. Ju e dini se si bidatet ndahen në të vogla dhe të mëdha, idhujtari, herezi dhe bela të tjera.
Ibnul-Kajimi (Allahu e meshiroftë) ka thënë: ”Bidati rrjedh nga pabesimi dhe shpie në të.”
Bidati është i bazuar në epshe dhe devijime:
أَفَرَأَيْتَ مَنِ اتَّخَذَ إِلَهَهُ هَوَاهُ وَأَضَلَّهُ اللَّهُ عَلَى عِلْمٍ وَخَتَمَ عَلَى سَمْعِهِ وَقَلْبِهِ وَجَعَلَ عَلَى بَصَرِهِ غِشَاوَةً فَمَن يَهْدِيهِ مِن بَعْدِ اللَّهِ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ
”A e ke parë atë i cili merr nefsin e tij për ilah (të adhuruar) dhe Allahu duke e ditur (atë si të tillë) ia humbi rrugën dhe ia vulosi atij të dëgjuarit e zemrën e tij dhe ia mbuloi shikimin? Kush pra do ta udhëzojë? A nuk do të përkujtoni pra?” 1
E lusim Allahun të na mbrojë prej epsheve. Prandaj, Ehlus-Sunneti i quajtën pasuesit e bidateve me emrin ”Ehl-ul-Ahua, njerëzit e epsheve. Sepse ata kundërshtojnë fenë e Allahut dhe pasojnë epshet e tyre. Shembuj të këtyre njerëzve janë Khuarixhët, Rafidat, Mutezilitë, Xhehmitë, Murxhiat, Sufitë, panteistët, adhuruesit e varreve dhe të ngjashëm. Të gjitha këto bidate dhe devijime e kundërshtojnë Kuranin dhe sunnetin, parimet dhe fundamentet e besimit.
Imam Ahmedi ka thënë: ”Prej këtij sunneti është besimi në kaderin…”
Ai që nuk beson në kader nuk i përket Ehl-us-Sunnetit. Ai ka lënë një nga aspektet dhe bazamentet më madhështore të besimit. Besimi në kader është një nga shtyllat e besimit. Kjo dëshmohet në Kuran dhe sunnet. Allahu (tebareke ue te ala) ka thënë:
وَكُلَّ شَيْءٍ أحْصَيْنَاهُ فِي إِمَامٍ مُبِينٍ
”Dhe çdo gjë kemi regjistruar në librin e ruajtur (Lehui Mahfudh).” 2
Allahu është i dijshëm për të gjitha ngjarjet dhe gjërat, dhe Ai i ka shkruar ato në librin e ruajtur. Prej argumenteve të besimit në kader janë:
إِنَّا كُلَّ شَيْءٍ خَلَقْنَاهُ بِقَدَرٍ
”Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar.” 3
Allahu (tebareke ue te ala) e dërgoi Xhibrilin tek Muhammedi ﷺ për të përcaktuar bazat dhe shtyllat e fesë. Xhibrili pyeti: ”Çka është Islami?”
Ai ﷺ u përgjigj: ”Islami është të dëshmosh se askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe ta kryesh haxhin në shtëpinë e shenjtë po pate mundësi.”
Pastaj ai pyeti: ”Çka është imani?”
Ai ﷺ u përgjigj: “Imani është të besosh
Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ditën e ringjalljes dhe të besosh në kaderin (caktimin), qoftë i mirë, qoftë i keq.”
Transmeton Bukhari (50) dhe Muslimi (8).
Pesë shtyllat përveç kaderit janë të përmendura së bashku në Kuran. Besimi në kaderin përmendet në ajete veç e veç. Bazat e besimit përmenden në disa ajete, prej tyre është:
آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِ وَالْمُؤْمِنُونَ كُلٌّ آمَنَ بِاللّهِ وَمَلآئِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِ لاَ نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍ مِّن رُّسُلِهِ وَقَالُواْ سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَإِلَيْكَ الْمَصِيرُ
”I dërguari (Muhammedi beson në çfarë i është zbritur atij nga Zoti i tij dhe po kështu edhe besimtarët. Gjithësecili prej tyre beson në Allahun, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij. (Ata thanë): “Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes njëri-tjetrit prej të dërguarve të Tij” – dhe po kështu thanë: “Ne dëgjuam dhe u bindëm. (Ne kërkojmë faljen Tënde, Zoti ynë dhe tek Ti është kthimi i fundit.” 5
Ndonjëherë përmendet në ajete veç e veç dhe nganjëherë ato përmenden të gjitha së bashku. Të gjitha shtyllat dëshmohen në Kuran dhe sunnet siç është përcaktuar në hadithin e Xhibrilit dhe në hadithet e trasnmetuara nga Ibn Mesudi (radijAllahu anhu).
1 El-Xhathijah 45:23.
2 Ja Sin 36:12.
3 El-Kamer 54:49.
5 El-Bekare 2:285.