Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

117.Ji në këtë jetë sikurse të jesh një i huaj apo në udhëtim

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Allahu -te ala- ka thënë:

Thuaju: “Kënaqësitë e kësaj jete janë të vogla. Jeta tjetër është më e mirë për ata që e kanë frikë Allahun e s’bëjnë gjynahe. Juve nuk do t’ju bëhet asnjë fije padrejtësi.” En-Nisa, 4:77

Kënaqësitë e kësaj jete janë pak dhe dëfrimi yt me to është edhe më i pakët. Shpërblimi në jetën tjetër është më i mirë dhe më parësor për atë që i shmanget mëkateve dhe i bindet Allahut.

Duhet të jetë e qartë se ky kapitull është kapitulli më i dobishëm i këtij libri, nëse t’i mediton rreth tij. Kësaj jete do t’i vijë fundi dhe do të mbarojë. Kjo jetë është vetëm një vend i përkohshëm. Ajo përbëhet nga sprovat dhe kënaqësitë mashtruese. Mos qajë për atë që të ka humbur nga kjo jetë. Mos u gëzo shumë për atë që të është dhënë nga ajo. Mos vajto kur një fëmijë ose një person vdes. Mos u mërzit kur të humbasësh diçka.

Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- rrëfeu: ”I dërguari i Allahut ﷺ vuri dorën tek shpatulla ime dhe më tha: “Ji në dynja si një i huaj ose si një kalimtarë.”

Transmeton Bukhari (6416), Tirmidhi (2333) dhe Ibn Maxheh (4114).

Ibn Umeri thoshte:

“Nëse të zë mbrëmja mos e prit mëngjesin. Nëse të zë mëngjesi mos e prit mbrëmjen. Shfrytëzoje shëndetin tënd për sëmundjen tënde dhe jetën tënde për vdekjen.”

Transmeton Bukhari.

Disa dijetarë e shpjeguan hadithin si në vijim:

“Mos iu mbështetet kësaj jete, mos e merr atë si banesë të përhershme, mos e bind veten se do të jetosh gjatë, mos i kushto rëndësi kësaj jete, mos u mburr me të. Ajo është mashtruese dhe tradhtare. Mos u lidh për të sikurse udhëtari nuk lidhet për ndonjë qytet tjetër përveç vendit të tij, mos u preokupo me të sikurse udhëtari nuk preokupohet përderisa ka për të shkuar në shtëpi tek familja e tij nuk e zë veten e tij me diçka përgjatë rrugës. Dhe lutju Allahut për ndihmë.”

Sehl bin Sad Es-Sa’idi -radijAllahu anhu- rrëfeu se një burrë erdhi tek profeti ﷺ dhe i tha: “O i dërguari i Allahut, ma mëso një vepër që nëse e bëj, Allahu dhe njerëzit do të më duan.”

Profeti ﷺ iu përgjigj: “Hiq dorë nga jeta e kësaj bote, Allahu do të të dojë, dhe hiq dorë nga ajo që posedojnë njerëzit, njerëzit do të të duan.”

Transmeton Ibn Maxheh me një zinxhir të mirë dhe rrugët e autenticitetit janë të qarta, hadithi është i mirë sipas Neueuiut në El-Arba’in En-Neueuijjeh.

Ai njoftoi gjithashtu se profeti ﷺ ka thënë:

“Sikur dynjaja të kishte vlerë tek Allahu sa krahu i një mushkonje, nuk do t’i jepte prej saj kafirit qoftë edhe një gllënjkë ujë.”

Transmeton Tirmidhi (2320) i cili tha se hadithi është autentik.

Kab bin Ijadi rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Vërtet, çdo umet ka një sprovë, dhe sprova e umetit tim është pasuria.”

Transmeton Tirmidhi (2439) i cili tha se hadithi është autentik.

Dije se ai që e do këtë jetë e dëmton jetën e tij të ardhshme, dhe ai që e do jetën e tij të ardhshme e dëmton këtë jetë. Prandaj jepi përparësi asaj që mbetet para asaj që përfundon.

Shpërndaje: