“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

12.Ezani dhe ai që e dëgjon atë

Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Sahihul-Kelimit-Tajjib
Verifikoi dhe korrigjoi: Imam Muhamed Nasirudin el-Albani
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

51 – Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Po ta kishin ditur njerëzit se çfarë shpërblimi ka në thirrjen e ezanit dhe në safin e parë,e pastaj të mos gjenin rrugë tjetër seç se të hidhnin short, do të hidhnin short për to.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

52 – Ai gjithashtu tregoi se profeti ﷺ ka thënë:

“Kur thirret ezani për namaz, shejtani ikën dhe bën zhurmë që të mos e dëgjojë thirrjen e ezanit, kurse kur mbaron thirrja e ezanit, ai kthehet.  Kur bëhet ikameti, ai prapë ikën, kurse kur përfundon ikameti, ai kthehet dhe e ngacmon njeriun duke i thënë: “Kujto këtë dhe kujto këtë!”  Prej gjërave që nuk i kujtonte, saqë njeriu nuk e di më se sa ka falur.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

53 – Ebu Seid -radijAllahu anhu- tregoi se e dëgjoi të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:

“S’ka xhin ose njeri që dëgjon zërin e myezinit, veçse do të dëshmojnë për të në ditën e kiametit.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

54 – Ebu Seid -radijAllahu anhu- tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kur të dëgjoni ezanin, thoni ashtu siç thotë myezini.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

55 – Abdullah bin Amr -radijAllahu anhuma- tregoi se profeti ﷺ ka thënë:

“Kur të dëgjoni myezinin, thoni ashtu siç thotë ai, pastaj dërgoni salavate mbi mua, sepse ai që dërgon salavate mbi mua një herë, Allahu mbi të dërgon dhjetë herë. Pastaj kërkoni nga Allahu për mua Uesilen, e cila është një vend në xhenet, e caktuar vetëm për një rob prej robërve të Allahut, e shpresoj që unë të jem ai, kush kërkon nga Allahu për mua Uesilen, atij do t’i jepet shefati (ndërmjetësimi) im.”

Transmeton Muslimi.

56 – Umer bin el-Khattabi -radijAllahu anh- tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kur myezini thotë: “Allahu Ekber, Allahu Ekber” dhe ndonjëri prej jush thotë: “Allahu Ekber, Allahu Ekber”. Pastaj myezini thotë: “Eshhedu en la ilahe ilAllah”, dhe ai (që e dëgjon) thotë: “Eshhedu en la ilahe ilAllah”. Pastaj myezini thotë: “Eshhedu enne Muhameden-resulullah”, dhe ai (që e dëgjon) thotë: “Eshhedu enne Muhameder-resulullah”. Pastaj myezini thotë: “Hajja a’ales-salah”, dhe ai (që e dëgjon) thotë: “La haule ue la ku’u-uete il-la bil-lah”. Pastaj muezini thotë: “Hajja a’lel-felah”, dhe ai (që e dëgjon) thotë: “La haule ue la ku’u-uete il-la bil-lah”. Pastaj myezini thotë: “Allahu Ekber, Allahu Ekber”, dhe ai (që e dëgjon) thotë: “Allahu Ekber, Allahu Ekber”. Pastaj myezini thotë: “La ilahe il-lAllah”, dhe ai (që e dëgjon) thotë: “La ilahe il-lAllah”, do të hyjë në xhenet.”

Transmeton Muslimi.

57 – Xhabiri -radijAllahu anhu- regoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kushdo që thotë pasi dëgjon ezanin:

اللَّهُمَّ رَبَّ هَذِهِ الدَّعْوَةِ التَّامَّةِ، وَالصَّلَاةِ الْقَائِمَةِ، آتِ مُحَمَّدًا الْوَسِيلَةَ وَالْفَضِيلَةَ، وَابْعَثْهُ مَقَامًا مَحْمُودًا الَّذِي وَعَدْتَهُ

“Allahum-me Rabe hadhihid-da’uetit-tam-meti ues-salatil-kaimeh, ati Muham-medinil-Uasilete uel-fadileh, ue-b’athhu mekamen mahmudenil-ledhi ue’ad-teh.

(O Allah! Zot i kësaj thirrjeje të plotë dhe i këtij namazi për të cilin po thirret! Jepja Muhamedit Uesilën dhe pozitën e lartë. Jepja atij pozitën e lavdëruar të cilën ia ke premtuar atij)!”

Ai do të ketë ndërmjetësimin tim në ditën e gjykimit.”

Transmeton Bukhari.

8 – Abdullah bin Umeri -radijAllahu anhuma- tregoi se dy burra thanë:

“O i dërguari i Allahut! Myezinët janë më me vlerë se sa ne.” Ai tha: “Thoni atë që thonë myezinët. Dhe kur të përfundoi, lutuni dhe lutja do t’iu pranohet.”

Transmeton Ebu Dauid. Zinxhiri i hadithit është i mirë. Sipas Ibn Hibanit ai është autentik.

59 – Enesi -radijAllahu anhu- tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Lutja mes ezanit dhe ikametit nuk refuzohet.”

Transmeton Tirmidhi.

60 – Transmeton Sehl bin Sa’d -radijAllahu anhu- se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Dy lutje nuk refuzohen: lutja pas ezanit dhe lutja në vështirësi, kur të përleshen një grup me tjetrin (në betejë).”

Transmeton Ebu Daudi. Hadithi është i mirë dhe autentik.

Shpërndaje: