Autor: Imam Ahmed bin Hanbel
Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 376-377
Përktheu: Valdet Gashi
Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:
”… Besimi në hadithet që kanë ardhur në lidhje me të.”
Do të thotë në lidhje me kaderin. Një nga hadithet është hadithi i Xhibrilit:
”… dhe të besosh në kaderin, në të mirën dhe të keqen në të”
Ky është kaderi i përgjithshëm, burim i të cilit është dija gjithëpërfshirëse dhe e përjetshme e Allahut, dhe të cilin Ai (tebareke ue te ala) e ka shkruar në pllakën e ruajtur. Hadithi i Ibn Mesudit flet në lidhje me kaderin e jetëgjatësisë, do të thotë kaderin e jetëgjatësisë së çdo njeriu. Në hadithin e tij thuhet:
”Me të vërtetë çdo njeri formohet në mitrën e nënës së tij duke qëndruar dyzet ditë si një pikë uji, pastaj, pastaj po për aq ditë shndërrohet në droçkë gjaku, pastaj po për aq kohë shndërrohet në një copë mishi. Pas kësaj Allahu ia dërgon një melek i cili urdhërohet me katër gjëra, i thuhet atij shkruajë; punën e tij, furnizimin, jetëgjatësinë dhe nëse do të jetë fatzi (prej banorëve të xhehenemit) ose i lumtur (prej banorëve të xhenetit). Pastaj atij i fryhet shpirti.” 1 Ky është kaderi i jetëgjatësisë.
Ka edhe diçka që quhet ”kaderi i vitit”. Ai vendoset gjatë Natës së kadrit. Allahu (tebareke ue te ala) ka thënë:
إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةٍ مُّبَارَكَةٍ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ
”Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në një natë të bekuar (Nata e Kadrit). Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë (njerëzimin nga ndëshkimi i Allahut që do t’i kapë mohuesit e njësisë së Allahut). Në këtë (natë) vendoset çdo çështje e vullnetit dhe urdhëresave (për vitin tjetër).” 2
Atë natë, Allahu i shkruan veprat e mira dhe të këqija të njeriut, aksidentet dhe të ngjashme. Kaderi që vendoset atë natë quhet ”kaderi i vitit”.
Ekziston edhe kaderi i ditës dhe kjo është e gjitha ajo që engjëjt shkruajnë nga veprimet e përditshme të njeriut.
Imam Ahmedi ka thënë:
”Pyetjet të tilla si ”Përse?” dhe ”Si?” nuk duhet të bëhen.”
Mos pyet përse Allahu e ka bërë atë dhe ka vendosur këtë, ka lejuar atë dhe ka ndaluara këtë. Qëllimi është që të besosh, të dorëzohesh dhe të nënshtrohesh. Sepse pyetje të tilla mund të jenë për shkak të kundërshtimit të Allahut (tebareke ue te ala), të kaderit të Tij, të Sheriatit të Tij, të urdhërave të Tij dhe të ndalesave të Tij. Ti vetëm se mund të nënshtrohesh dhe veçanërisht kur është fjala për kaderin. Sepse kaderi është fshehtësia e Allahut (tebareke ue te ala). Ti duhet të kënaqesh me atë që ti di lidhur me kaderin, pjesës tjetër duhet t’i nënshtrohesh. Mos thuaj ”Përse?” ose ”Si?”.
Imam Ahmedi ka thënë:
”Qëllimi është që vetëm ta konfirmosh atë dhe të besoshë në të.”
Është detyrë e çdo muslimani dhe kjo kërkohet nga shahdeti; ti duhet t’i nënshtrohesh Allahut dhe urdhrave të Tij, ndalesave, Sheriatit, dhe të mirës dhe të keqes që Ai ka vendosur për ty.
1 Bukhari (3208) dhe Muslimi (2643).
2 44:3-4.