Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

18.Fjala e Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati janë unanim se Allahu flet dhe se fjala Tij është fjalë e vërtetë siç i përket vetëm Atij.

Allahu (subhaneh) flet me shkronja dhe zë. Ai flet ashtu siç dëshiron dhe kur Ai dëshiron. Fjala e Tij është një cilësi qenësore kur ajo përgjithësohet ndërsa është cilësi veprore kur përmendet në mënyrë të përveçme. Kjo është dëshmuar në Kuran dhe në sunnet.

Allahu (te ala) ka thënë në Kuran:

وَلَمَّا جَاء مُوسَى لِمِيقَاتِنَا وَكَلَّمَهُ رَبُّهُ

”Dhe kur erdhi Musai në kohën dhe vendin e përcaktuar prej Nesh dhe atij i foli Zoti i tij.” 7:143

إِنِّي مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِلَيَّ

”Kur Allahu tha: O Isa! Unë do të të marr ty, do të të ngre lart pranë Meje.” 3:55

وَنَادَيْنَاهُ مِن جَانِبِ الطُّورِ الْأَيْمَنِ وَقَرَّبْنَاهُ نَجِيًّا

”Dhe Ne i thirrëm atij nga ana e djathtë e Turi (Sinait) duke e bërë atë të afrohet me Ne për bisedë me të (Musain).” 19:52

Në ajetin e parë pohohet se Ai flet kur dëshiron dhe se këto fjalë ndodhin (vetëm) atëherë (kur dëshiron Ai).

Në ajetin e dytë dëshmohet se ato fjalë janë me shkronja sepse ajo që shprehet me anë të fjalës ka shkronja.

Ajeti i tretë dëshmon se ajo fjalë është me zë sepse nuk mund të paramendohet që një thirrje me fjalë të bëhet pa zë.

Prej dëshmive të sunnetit janë fjalët e profetit ﷺ:

“Allahu do të thotë: “O Adem! “Atëherë, ai përgjigjet: “Unë të përgjigjem Ty dhe kërkoj ndihmë nga Ti.” Pastaj Allahu e thërret me zë dhe i thotë: “Allahu të urdhëron të nxjerrësh një grup nga pasardhësit e tu për në zjarr.” 1

Fjala e Allahut (te ala) përbëhet nga shprehja dhe kuptimi. Ky është besimi i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit në lidhje me fjalën e Allahut. Fjala nuk përbëhet vetëm nga shprehja pa kuptim ose thjesht kuptim pa shprehje.

Sa u përket besimeve të sekteve të tjera, ato përmenden shkurtimisht në “Mukhtasar-us-Saua’ik el-Murseleh”:

1 – Keramitë besojnë si Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati me përjashtim që thonë se ajo (fjala e Allahut) nuk është e pafillim por ndodh pasi të mos ketë qenë më herët. Ata thonë kështu për të shmangur pohimin e gjërave që ndodhin pa fillim.

2 – Kulabitë besojnë se fjala është një kuptim që qëndron në qenien e Tij sikurse është jeta dhe dija prej cilësive qenësore të Tij. Kjo pra nuk lidhet me dëshirën e Tij. Ata besojnë se shkronjat dhe zërat janë tregim i fjalës së Tij që Ai ka krijuar për të treguar atë kuptim që është në qenien e Tij. Kjo përbëhet nga katër kuptime: urdhrat, ndalesat, lajmërimet dhe pyetjet.

3 – Esharitë thonë si Kulabitë, përveç se ata ndryshojnë në dy çështje:

1 – Domethëniet e fjalës. Kulabitë thonë se përbëhet nga 4 kuptime, ndërsa Esharitë thonë se është një kuptim i vetëm. Në këtë mënyrë, lajmërimi, pyetja, urdhrat dhe ndalesat janë në të vërtetë një dhe e njëjta gjë, dhe jo lloje të ndryshme të fjalës. Në fakt, Teurati, Inxhili dhe Kurani janë të gjithë një dhe të njëjtë. Pra, dallimi i vetëm qëndron në shprehjen.

2 – Kulabitë thonë se shkronjat dhe zërat janë tregim i fjalës së Allahut. Esharitë thonë se ato janë shprehje rreth fjalës së Allahut.

3 – Salimijeh besojnë se fjala sikurse jeta dhe dija qëndrojnë në qenien e Tij. Kjo pra nuk është e lidhur me dëshirën Tij. Përveç kësaj fjala e Tij përbëhet nga shkronjat dhe zërat që ndodhin në të njëjtën kohë pa ndonjë gjë që paraprinë tjetrën. Për shembull, shkronjat “Bismilahi”, p.sh. ndodhin në të njëjtën kohë. Këto shkronja kanë ekzistuar gjithmonë dhe do të ekzistojnë gjithmonë.

4 – Xhehmitë dhe Mutezilitë thonë se fjala e Allahut është një krijesë prej krijesave dhe nuk është prej cilësive të Allahut. Për sa i përket Xhehmive, ka prej tyre që e mohojnë fjalën e Allahut dhe ka prej tyre që thonë se ajo është e krijuar.

5 – Filozofët e mëvonshëm që e pasojnë Aristotelin, thonë se fjala është emanimi i mendjes që zhvillohet në shpirtra fisnik dhe të pastër bazuar në prirjen dhe pranueshmërinë e tyre. Kjo sjell imagjinata të ndryshme dhe besime sipas asaj që kanë marrë nga fjala. Këto imagjinata dhe afirmime të imagjinuara janë aq të përforcuara saqë ato imagjinojnë një imagjinatë të ndritshme që u flet atyre me një fjalim që dëgjohet.

6 – Panteistët nënkuptojnë se të gjitha fjalët që ekzistojnë janë fjalë të Allahut. Njëri prej tyre tha:

“Të gjitha fjalët që ekzistojnë janë fjalët e Tij edhe nëse ne i bëjmë ato prozë e poezi”

Të gjitha këto besime janë në kundërshtim me atë që është pohuar nga Kurani, sunneti dhe mendja e shëndoshë. Atij që Allahu i jep dije dhe urtësi do ta kuptojë këtë.


1 Bukhari (7483) dhe Muslimi (222).

Shpërndaje: