Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

19.Kurani është fjala e Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati besojnë se Kurani është fjala e zbritur prej Allahut dhe nuk është i krijuar. Nga Ai filloi dhe tek Ai do të kthehet. Të folurit e Allahut me Kuran është i vërtetë. Allahu ia transmetoi atë Xhibrilit, i cili e zbriti në zemrën e Muhammedit ﷺ. Kjo dëshmohet në Kuran dhe sunnet. Allahu (te ala) ka thënë në Kuran:

وَإِنْ أَحَدٌ مِنَ الْمُشْرِكِينَ اسْتَجَارَكَ فَأَجِرْهُ حَتَّىٰ يَسْمَعَ كَلَامَ اللَّهِ ثُمَّ أَبْلِغْهُ مَأْمَنَهُ ۚ ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ قَوْمٌ لَا يَعْلَمُونَ

“Dhe në qoftë se ndonjë prej idhujtarëve kërkon mbrojtjen tënde, atëherë siguroji atij strehim me qëllim që ai të dëgjojë fjalën e Allahut dhe pastaj përcille në vend të sigurt sepse ata janë njerëz që nuk dinë.” 9:6

حَتَّىٰ يَسْمَعَ كَلَامَ اللَّهِ

“Me qëllim që ai të dëgjojë fjalën e Allahut.”

do të thotë Kuranin.

Allahu (te ala) gjithashtu tha:

كِتَابٌ أَنزَلْنَاهُ إِلَيْكَ مُبَارَكٌ لِّيَدَّبَّرُوا آيَاتِهِ وَلِيَتَذَكَّرَ أُوْلُوا الْأَلْبَابِ

“Ky (Kuran) është një libër i bekuar që Ne ta kemi zbritur ty (Muhammed) për të medituar mbi vargjet e tij dhe për t’u përkujtuar të zotët e mendjes.” 38:29

وَإِنَّهُ لَتَنْزِيلُ رَبِّ الْعَالَمِينَ نَزَلَ بِهِ الرُّوحُ الْأَمِينُ عَلَىٰ قَلْبِكَ لِتَكُونَ مِنَ الْمُنْذِرِينَ بِلِسَانٍ عَرَبِيٍّ مُبِينٍ

“Dhe sigurisht që ky (Kurani) është shpallje nga Zoti i aleminit (i gjithësisë, Zoti i njerëzve dhe i xhinëve). Të cilin Ruhu (meleku Xhibril) i besueshëm e ka zbritur  në zemrën tënde (O Muhammed) që të jesh paralajmërues në gjuhën e qartë arabe.” 26:192-195

Sa i përket sunnetit, profeti ﷺ ka thënë:

“A ka ndonjë burrë që mund të më çojë te populli i tij që të mund të përcjell fjalët e Zotit tim? Kurejshët më kanë ndaluar që të transmetoj fjalët e Zotit tim (azze ue xhel).” 1

Profeti ﷺ i tha el-Bera bin Azibit:

“Kur të shkosh në shtrat për të fjetur, thuaj:

“O Allah! Unë e kam dorëzuar shpirtin tim te Ti. E kam kthyer fytyrën time drejt Teje. Unë po ta dorëzoj çështjen time Ty. Unë strehoj shpinën time te Ti. Unë e bëj këtë nga shpresa dhe frika që kam prej Teje. Nuk ka mbrojtje dhe siguri veçse te Ti! Unë besoj në librin Tënd që Ti e ke zbritur (Kuranin) dhe në profetin Tënd të cilin Ti e ke dërguar.” 2

Amr bin Dinar ka thënë:

“Gjatë këtyre 70-të viteve kam takuar shokët e profetit ﷺ dhe pasuesit e tyre. Ata thoshin: “Allahu është Krijuesi dhe gjithçka tjetër është e krijuar përveç Kuranit sepse Kurani është fjala e Allahut dhe nuk është i krijuar. Filloi nga Ai (Allahu) dhe tek Ai do të kthehet.” 3

Kuptimi i fjalës: “Kurani filloi nga Ai’’ do të thotë se Allahu është i pari që foli me të (me Kuran). Këtu refuzohen Xhehmitë që thonë se Allahu e krijoi fjalën në diçka tjetër.

Ndërsa për sa i përket fjalës së tyre: “dhe tek Ai do të kthehet’’ mund të përfshijë dy kuptime:

1 – Cilësia e të folurit me Kuran kthehet tek Ai (Allahu), që do të thotë se askush tjetër përveç Tij nuk mund të cilësohet me këtë cilësi duke qenë se Ai foli i pari me të (Kuran) dhe fjala është cilësi që i përket folësit.

2 – Kurani do të ngrihet tek Allahu (te ala) sikurse ka ardhur në disa ethere (transmetime), se Kurani do të largohet nga Mus’hafet (librat) dhe nga zemrat (nga memoria) e njerëzve. Kjo do të ndodhë, – dhe Allahu e di më së miri se kur do ta braktisin njerëzit tërësisht të vepruarit sipas Kuranit. Për këtë arsye Allahu në formë respekti dhe nderimi do ta ngrejë atë. Allahut i kërkojmë ndihmë.


1 Ebu Daudi (4734), Tirmidhi (2925), Nesai në ”el-Kubra’” (7727), Ibn Maxheh (201), Ahmedi (3/390) dhe Hakim (2/669) i cili e konsideroi hadithin autentik. El-Hejthemi ka thënë: ”Transmetuesit e hadithit janë të besueshëm.” (Mexhma-uz-Zaua’id (6/35))

2 Bukhari (247) dhe Muslimi (2710).

3 Shih: ”es-Sunnen el-Kubra” (10/43) nga Bejhaki dhe ”et-Temhid” (24/186) nga Ibn Abdil-Berr.

Shpërndaje: