Imam Abdurr-Rrahman bin Xheuzi el-Hanbeli
Burimi: Leftatul-Kebid fi Nasiihatil-Veled, fq.47-48
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Biri im i dashur! Përqendrohu në diturinë –Allahu të dhëntë sukses- sepse njeriu është veçuar nga kafshët përmes intelektit, në mënyrë që të veprojë sipas tij. Mësoji gjërat me argumente, sepse ti je përgjegjës për veprimet që bën, sepse ke obligime për t’i përmbushur, sepse dy engjëjt shkruajnë fjalët dhe shikimet tua. Mos harro se frymëmarrjes së të gjallit po i vjen fundi, koha në këtë jetë është e shkurtër, qëndrimi në varr është i gjatë, ndërsa dënimi për shkak të të nënshtruarit ndaj epsheve, është i ashpër.
Ku është kënaqësia e djeshme? Ajo është zhdukur dhe ka mbetur vetëm ankthi i së kaluarës tënde.
Ku është nxitësi i egos? Sa e sa kokat i ka ulur dhe nënçmuar? Sa njerëz i ka bërë që të devijojnë? Askush nuk është i lumtur përderisa nuk e kundërshton epshin e tij. Askush nuk është i mërzitur përderisa nuk i jep përparësi kësaj bote. Prandaj, përfito nga mbretërit dhe nga ata të devotshmit të cilët kanë jetuar në lashtësi.
Ku është kënaqësia e të parëve? Ku është mundi i të tjerëve?
Për të bindurit mbetet një shpërblim i madh në ahiret dhe një fjalë e mirë në këtë botë. Për mëkatarët mbeten fjalë të këqija në këtë botë dhe një dënim i ashpër në ahiret. Kjo është sikurse i urituri të mos jetë i uritur kurrë dhe sikurse i eturi të mos jetë i etur kurrë.
Përtacia në lidhje me veprimet e mira është miku më i keq. Dashuria për rehatinë sjell pendim në rritje më shumë sesa të gjitha kënaqësitë.
Prandaj, ji i kujdesshëm dhe mundoje veten tënde!