Autor: Imam Ahmed bin Hanbel
Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 384-385
Përktheu: Valdet Gashi
Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:
”Kurani është fjala e Allahut dhe nuk është i krijuar.”
Kështu Allahu e ka shprehur atë. Librat e zbritur janë fjalë të Allahut, të cilat ua ka shpallur robërve të Tij. Ai i foli me fjalë Musait (alejhi-selam). Ai foli me Muhammedin ﷺ gjatë Miraxhit. Në ditën e gjykimit Ai do të thërrasë:
”Ku janë ortakët e Mi?”
Allahu (tebareke ue te ala) ka thënë:
وَإِذْ نَادَى رَبُّكَ مُوسَى أَنِ ائْتِ الْقَوْمَ الظَّالِمِينَ
”Dhe (kujto) kur Zoti yt e thirri Musain: “Shko tek populli Dhalim (mohues, keqbërës)!” 1
Thirrje nuk mund bëhet përveçse me shkronja dhe zë ashtu sikurse i përket Allahut. Ato nuk u ngjajnë zërave, shkronjave ose fjalëve të krijesave. Allahu flet dhe të folurit e Tij është një cilësi e përkryer. Gjërat e ngurta nuk flasin, kafshët, të cilat janë më të ulëta se njeriu që flet, as ato nuk flasin. Allahu e ka nderuar dhe përsosur njeriun.
Përsosmëria më e madhe në njeriun është të folurit me të cilin ai dallohet nga të gjitha krijesat e tjera. Allahu i ka dhënë njerëzve, xhinëve dhe engjëjve aftësinë për të folur. Të folurit është një cilësi e përkryer. Allahu është i përsosur dhe i jep nga përsosmëria e Tij atij që do. Të folurit është siç thashë një cilësi e përsosur. Dituria është gjithashtu një cilësi e përsosur. Ai që mohon të folurit, diturinë dhe aftësinë e Allahut, atëherë e ka nënvlerësuar Atë me nënvlerësimin më të keq. Kur një pagan nga Kurejshët tha:
إِنْ هَذَا إِلَّا قَوْلُ الْبَشَرِ
”Kjo nuk është tjetër, veçse fjala e një njeriu!!” 2
Allahu (te ala) tha:
سَأُصْلِيهِ سَقَرَ
”Unë do ta hedh atë në sekar (zjarr të xhehenemit)!” 3
Të folurit e njeriut është i krijuar. Allahu e kërcënoi atë me këtë kërcënim të rëndë. Të fyesh Kuranin duke thënë se ai është magji apo fjalë e njerëzve, është një shpifje ndaj Kuranit. Kjo është një nënçmim dhe shpifje ndaj Kuranit që është të folurit e Allahut. Ai (subhanehu ue te ala) e shpalli atë për t’i udhëzuar njerëzit. Ai nuk është i krijuar.
Mutezilitë, Xhehmitë, Batinitë, Rafidat, Khauarixhët dhe të gjitha sektet e tjera të devijuara kanë besime (akide) të ndryshme, por janë të bashkuar në atë se Allahu nuk flet. Madje edhe Esharitë janë të ndikuar nga Mutezilitë. Esharitë e më hershëm e kishin zakon të thonin se të folurit është një cilësi që qëndron ne vët qenien e Allahut (subhanehu ue te ala), ndërsa Kurani nuk është fjala e Allahut dhe në vend të kësaj ai është një ritregim i të folurit të Allahut. Ata e kishin për qëllim se të folurit e Tij është një cilësi në qenien e Tij dhe i mungojnë shkronjat dhe zëri. Megjithatë, ata nuk e besonin se Ai ka folur dhe se Kurani nuk është të folurit e Tij. Ndërsa Esharitë e më vonshëm thanë shprehimisht se Kurani është i krijuar.
Kurani është fjala e Allahut dhe nuk është i krijuar. Asgjë prej të folurit të Tij nuk është krijuar. Në fillim, këta njerëz thanë se Allahu e ka krijuar fjalën e Tij dhe se ajo nuk qëndron në ndonjë vend të caktuar. Ata thonë ”Fjala e Allahut” sikurse ”Deveja e Allahut” dhe ”Shtëpia e Allahut”, d.m.th në aspektin se krijesat i përkasin krijimit të Krijuesit. Kjo u përket mashtrimeve dhe gënjeshtrave të tyre.
1 26:10.
2 74:25.
3 74:26.