Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdilah bin Baz (v. 1420)
Sherh El-Akide El-Uasitije
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:
Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
”Përse, kur hyre në kopshtin tënd, nuk the: “Çfarë do Allahu bëhet dhe s’ka fuqi pa ndihmën e Allahut”? El-Kehf, 18:39
“E sikur të dëshironte Allahu ata nuk do të luftonin mes vete, por Allahu vepron çka dëshiron.” El-Bekare, 2:253
”Vërtet, Allahu vendos atë që dëshiron.” El-Maideh, 5:1
”Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngushtë sikur të ngjitej në qiell.” 6:125
Shpjegimi
Dëshira këtu është për qëllim dëshira kosmologjike. Kjo dëshirë zbatohet në mënyrë të pashmangshme dhe nuk mund të parandalohet. Kur Allahu dëshiron që dikush të vdes, të jetojë, të jetë krenar, të jetë i përulur, të humbasë pushtetin e tij, të mbaj pushtetin e tij, të lindë apo jo, e gjitha kjo ndodh sikurse Allahu dëshiron.
Allahu (te ala) ka thënë:
”Ai (Kurani) s’është tjetër pos këshillë për njerëzit! Për atë që dëshiron të gjendet në të vërtetën, e ju nuk mund të dëshironi (të drejtën), përveç atëherë kur dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” 81:27-29
“Sikur të kishte dashur Zoti yt (që të mos e bënin), ata nuk do ta bënin atë.” El-Enam,6:112
Dëshira e Allahut është dy llojesh:
1 – Dëshira kosmologjike universale. E cila zbatohet në mënyrë të pashmangshme dhe nuk mund të shmanget nga asgjë.
Allahu (te ala) ka thënë:
”Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngushtë sikur të ngjitej në qiell.”
”Vërtet, Allahu vendos atë që dëshiron.”
Kjo zbatohet në mënyrë të pashmangshme dhe nuk mund të shmanget nga asgjë.
2 – Dëshira fetare. Ajo që nënkupton dashuri dhe kënaqësi. Ajo mund të ndodh, po edhe mund të mos ndodh. Shembuj të kësaj dëshire janë fjalët e Allahut (te ala):
”Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet e t’ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush (profetët) dhe t’ju pranojë pendimin. Allahu e di më së miri gjendjen e robërve dhe është më i urti. Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë).” 4:26-27
Kjo dëshirë fetare ndoshta ndodh dhe ndoshta jo. Me këtë dëshirë Allahu do që t’i udhëzojë dhe t’i falë të gjithë muslimanët. Megjithatë, kjo nuk zbatohet në shumicën e njerëzve, sepse shumica e njerëzve vdesin si kufarë. Pra sikurse u tha, dëshira fetare nuk është kusht që të zbatohet.
Allahu dëshiron që me dëshirën fetare që njeriu të pranoj të vërtetën, ta pasoj të dërguarin dhe t’i bindet Allahut. Disa e bëjnë këtë, të tjerët nuk e bëjnë. Ai që i bindet Atij i jepet xheneti dhe atij që nuk i binden Atij i jepet xhehenemi.
Allahu (xhela ue ala) ka thënë:
”Këto janë (dispozita) të caktuara prej Allahut. Kush i bindet Allahut, (urdhrave të Tij) dhe të dërguarit të Tij, atë e dërgon në xhenete nën të cilin burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh. Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe i shkel dispozitat e Tij, atë e shtie në zjarr të përjetshëm. E për të është një dënim i rëndë.” 4:13-14
Të gjithë janë të kërcënuar me këtë dënim. Ai që vullnetarisht i bindet Allahut, atij i jepet xheneti. Atij që e kundërshton Allahun atij i jepet xhehenemi. Kjo është dëshira fetare.
Ndërsa nga dëshira universale (kosmologjike) nuk mund të ik askush. Ajo që Allahu dëshiron me dëshirën e Tij universale ajo ndodh. Me këtë dëshirë disa njerëz shkatërrohen ndërsa të tjerë nderohen, disa njerëz vdesin ndërsa të tjerët jetojnë, disa e humbasin pushtetin, ndërsa të tjerët e mbajnë atë. Dëshira universale pra zbatohet në mënyrë të pashmangshme.