Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Mohimi (ta’til) i emrave dhe cilësive të Allahut u përhap pas brezave të shkëlqyer – që janë sahabët, tebiinët dhe pasuesit e tyre –, megjithëse baza e këtij besimi ishte hedhur tashmë në fund të periudhës së tebiinëve dhe i pari që mohoi ishte el-Xha’d bin Dirhem. Ai tha:
“Allahu nuk e mori për mik Ibrahimin ﷺ dhe në të vërtetë as nuk i ka folur Musait ﷺ me fjalë.”
Ai u ekzekutua nga Khalid bin Abdil-Lah el-Kasari, të cilin Hisham bin Abdul-Maliku e kishte lejuar të ishte guvernator mbi Irakun dhe Shamin. Në ditën e Bajramit, ai doli në vendin e faljes së namazit ndërsa e kishte lidhur me zinxhir el-Xha’din. Ai u mbajti një hutbe njerëzve dhe tha:
“O njerëz! Therni kurban! Allahu ua pranoftë kurbanet! Unë do të ther el-Xh’ad bin Dirhemin. Ai pohon se Allahu as nuk e ka marrë për mik Ibrahimin ﷺ, e as nuk i ka folur Musait ﷺ me fjalë në të vërtetë – i pastër është Allahu nga ajo që thotë el-Xha’di!”
Pastaj ai zbriti dhe e theri1. Kjo ndodhi në ditën e Kurban Bajramit në vitin 119 hixhri. Në lidhje me këtë, Ibnul-Kajimi (rahimehullah) ka thënë në “en-Nunijjeh”:
Për shkak të kësaj el-Kasri e theri el-Xha’din në ditën e Kurban Bajramit
Sepse ai tha se Ibrahimi ﷺ nuk ishte mik i Allahut
Dhe se Allahu nuk i foli Musait ﷺ me fjalë në të vërtetë
Çdo sunni e falënderon për therjen (që bëri)
Sa therje të mirë bëri vëllai im!
Besimin e Xha’d ibn Dirhemit e trashëgoi një njeri i quajtur Xhehm ibn Safuan, i cili e përhapi këtë besim dhe atij i atribuohet grupi i Xhehmive që janë mohuesit e emrave dhe cilësive të Allahut. Xhehm ibn Safuan u vra nga Selim ibn Ahuaz që ishte shok i Nasr ibn Sajarit. Ekzekutimi i Xhehm ibn Safuanit ndodhi në Khurasan në vitin 128 hixhri.
Gjatë shekullit të dytë sipas hixhretit librat grekë dhe romakë u përkthyen në gjuhën arabe gjë që solli shtimin e belasë dhe keqësimin e situatës pasi besimi i Mua’tileve (besim i cili mohon emrat dhe cilësitë e Allahut) u përhap edhe më shumë.
Në shekullin e tretë, besimi i Xhehmive u përhap për shkak të një burri të quajtur Bishr bin Ghijath el-Merisi dhe pasuesve të tij.Të gjithë imamët e sunnetit unanimisht i kritikuan ata dhe shumica e tyre (imamëve) i gjykuan ata me kufër ose devijim. Uthman bin Sa’id ed-Darimi shkroi një libër në të cilin ai iu kundërpërgjigj Bishr el-Merisit dhe e emërtoi librin “Nakdhu Uthman bin Sa’id alal el-Kafir el-Anid fi ma iftara ala Allah min et-Teuhid (Refuzimi i Uthman ibn Saidit kundër kafirit inatçi në lidhje me atë që ai ka shpifur në Teuhidin e Allahut)”. Kushdo që e lexon këtë libër duke u bazuar në dije dhe drejtësi do të kuptojë se sa argumente të dobëta dhe të pasakta kanë këta mohues. Ai gjithashtu do të kuptojë se interpretimet e gabuara (teuili në emrat dhe cilësitë e Allahut) të shumë prej atyre të mëvonshëmve si er-Rrazi, el-Ghazali dhe Ibn Akili ishin në të vërtetë interpretimet e Bishrit.
Besimi i mohuesve të tillë më saktë buron nga jehudët, idhujtarët, sabiinët dhe filozofët e devijuar. Thuhet se el-Xha’d bin Dirhem e mori besimin e tij nga Eban bin Sam’an, i cili e mori atë nga Taluti dhe ky i fundit e mori nga jehudiu Lubejd bin el-A’sam, i cili i bëri magji profetit ﷺ. Përveç kësaj thuhet se el-Xha’di erdhi nga Harrani, i banuar nga shumë idhujtarë, sabiin dhe filozofë. Ambienti padyshim që ka një ndikim të fortë në besimin dhe karakterin e një personi.
Prej besimit të këtyre mohuesve është se ata nuk besojnë në cilësitë e pohuara të Allahut. Ata besojnë se pohimi i cilësive nënkupton që Allahu t’u ngjajë krijesave të Tij. Ata pohojnë vetëm cilësitë që quhen “Cilësi Selbije” (mohuese – që janë të mohuara nga Allahu) ose “Cilësitë Idafije” (pohuese), ose të përbëra (një kombinim i këtyre të dyjave).
Cilësitë Selbije (mohuese) nënkuptojnë ato cilësi që mohojnë çdo gjë që nuk i përket madhështisë së Allahut dhe që nuk mund të cilësohet Allahu me to. Shembull është pohimi i tyre se Allahu është një. Kjo do të thotë se mohohet çdo cilësi që mund të nënkuptojë ndarje apo copëzim dhe njëkohësisht tregon që nuk ka asnjë tjetër përveç Tij (pra mohohet të paturit ortak me Allahun).
Cilësitë Idafije (të atribuuara apo pohuese) janë ato (cilësi) që megjithëse nuk mund të cilësohet Allahu me to, i atribuohen Atij në aspektin e ndikimit dhe bashkëveprimit të këtyre cilësive ndaj të tjerëve (krijesave). Për shembull, ata thonë se Allahu është Fillimi dhe Shkaku. Ai është Fillimi dhe Shkaku në kuptimin se çdo gjë vjen nga Ai, jo sepse fillimi dhe shkaku janë cilësitë e Tij të pohuara.
Cilësitë e përbëra janë ato (cilësi) që janë të mohuara në një aspekt dhe atribuuese në aspektin tjetër. Për shembull, ata thonë se Allahu është i Pari. Kjo cilësi është e mohuar (selbije) në aspektin se mohon çdo lloj fillimi dhe ngjarje për Allahun, nga ana tjetër ajo është e atribuuar, pohuese (idafije) në aspektin se gjërat janë pas Tij.
Nëse ky është përfundimi (apo rezultati) i atyre që ecin në rrugën e mohuesve (të emrave dhe cilësive të Allahut), si mundet besimtari ose personi i arsyeshëm ta pranojë atë dhe të largohet nga rruga e atyre që Allahu i begatoi me mirësi e që janë profetët, të sinqertët, shehidët dhe të devotshmit.
1 Khalqu Af’al-il-Ibad, fq. 69, nga Bukhari