Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

21.Si duhet trajtuar personi që nuk i di rregullat e fesë!

Autori i librit: Hafidh Ibn Haxher el-Askalani
Shpjegues: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Esh-Sherh el-Mukhtasar ala Bulugh-il-Maram
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Hafidh Ibn Haxher el-Askalani -rahimehullah- ka thënë:

14 – Enes bin Maliku -radijAllahu anhu- ka thënë:

“Një beduin hyri në xhami dhe urinoi në një qoshe të xhamisë, andaj njerëzit e qortuan atë, ndërsa profeti ﷺ i ndaloi ata. Kur ai e kreu urinimin, profeti ﷺ urdhëroi të derdhej një kovë me ujë mbi vendin ku ishte urinuar.”

Transmeton Bukhari (219) dhe Muslimi (284).

Shpjegimi

Zakonisht beduinët janë të paditur sepse ata nuk jetojnë në qytete apo në fshatra, kështu që ata nuk i dinë dispozitat e fesë që Allahu i ka shpallur të dërguarit të Tij ﷺ. Pra, ata janë injorantë.

Pra, një beduin hyri në xhaminë e profetit ﷺ, e cila ishte e gjerë. Ai shkoi në një qoshe dhe filloi të urinojë. Për shkak të kësaj njerëzit e qortuan ashpër atë që të ndërpriste urinimin sepse urina është papastërti dhe xhamitë duhet të jenë të pastra nga papastërtitë. Përkundër kësaj profeti ﷺ i ndaloi ata dhe tha:

“Mos e pengoni!” 2

Lëreni të përfundojë urinimin. Pasi që kishte urinuar beduini, profeti ﷺ urdhëroi që një kovë e mbushur me ujë të derdhet mbi urinë. Pastaj ai e thirri beduinin dhe i tha:

“Këto xhami nuk duhet të ndoten me papastërti. Ato janë për namaz, për të madhëruar Allahun, për lexim të Kuranit dhe dhikr.” 3

Si rrjedhojë e kësaj, beduini tha:

“O Allah! Më mëshiro mua dhe Muhamedin dhe asnjë tjetër!” 4

Ai tha kështu sepse sahabët e kishin qortuar, ndërsa Muhamedi ﷺ i foli me qetësi atij dhe ja shpjegoi gjykimin sheriatik në një mënyrë bindëse.


2 Bukhari (5679) dhe Muslimi (284).

3 Muslimi (285).

4 Bukhari (5664).

Shpërndaje: