Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
23 – Ndalohet përhapja e sekreteve intime
Asnjërit nga bashkëshortët nuk i lejohet që të përhapë sekretet që lidhen me intimitetin. Ka dy hadithe në lidhje me këtë çështje:
1 – Profeti ﷺ ka thënë:
“Prej njerëzve që kanë pozitën më të keqe tek Allahu në Ditën e Gjykimit janë burri që është intim me gruan e tij dhe ajo me të dhe pastaj përhap sekretin e saj.”
2 – Esma bint Jezid tregoi se ajo ishte tek i dërguari i Allahut ﷺ në një shoqëri ku ishin të ulur burra dhe gra. Profeti ﷺ tha:
“Ndoshta burri tregon atë që bën me gruan e tij dhe ndoshta gruaja tregon atë që bën me burrin e saj.” Ata heshtën ndërsa unë thashë: “Betohem në Allahun po, o i dërguari i Allahut! Edhe gratë edhe burrat e bëjnë këtë.” Ai tha: “Mos e bëni këtë. Kjo është sikurse shejtani takon një shejtane femër në rrugë dhe bën marrëdhënie intime me të ndërsa njerëzit i shikojnë.”2
1 Ibn Ebi Shejbeh (1/67/7) dhe nëpërmjet tij Muslimi (4/157), Ahmedi (3/69), Ebu Nu’ajm (10 / 236-237), Ibn-us-Sunni (608) dhe el-Bejhaki (7 / 193-194) nga Ebu Said el-Khudri.
Edhe pse hadithi është transmetuar nga Muslimi e ka një zinxhir të dobët të transmetimit. Sepse në të është Amar bin Hamzah el-Umer dhe ai është i dobët, tha Ibn Haxheri në “et-Takrib”. Edh-Dhehebi ka thënë në “Mizan-ul-I’tidal”:
“I dobët sipas Jahja bin Main dhe en-Nasait. Ahmedi tha se hadithet e tij janë të dobëta dhe kontradiktore.”
Pastaj, Dhehebi e citoi hadithin aktual dhe tha:
“Ky i përket haditheve të dobëta dhe kontradiktor të Umerit.”
Bazuar në thëniet e këtyre imamëve, hadithi është i dobët dhe jo autentik. Ibnul-Katani mori një rrugë të mesme dhe tha:
“‘Umari është i dobët sipas Ibn Mainit dhe sipas Ahmedit ai tregoi hadithe të dobëta dhe kontradiktore. Prandaj, hadithi është i mirë dhe jo autentik.”
Unë nuk e kuptoj se si arriti në këtë përfundim. Ndoshta sepse hadithi ekziston tek Muslimi. Deri në kohën e shkrimit nuk kam arritur të gjej ndonjë gjë që e forcon atë ndryshe nga hadithi i ardhshëm – dhe Allahu e di më mirë.
2 Ahmedi. Ky mbështetet nga hadithi i Ebu Hurejres, i transmetuar nga Ibn Ebi Shejbeh, Ebu Davudi (1/339), Bejhaki dhe Ibn-us-Sunni (609).