Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Gjykimi për të festuarit e ditëlindjes

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=3eP59BNfHOc&list=PL4D872F79B6CD6720

Përtheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Cili është gjykimi për festimin e ditëlindjes? Cila është këshilla e juaj drejtuar njerëzve që organizojnë tubime të tilla?

Përgjigje: Festimi i ditëlindjes është prej bidateve për të cilin kanë folur njerëzit e dijes. Kjo gjë bën pjesë në fjalën e profetit salAllahu alejhi ue selem, të cilën e transmeton
Aisha (radjiAllahu anha):

“Kushdo që shpik në çështjen tonë diçka që s’është prej saj, ajo është e refuzuar.” (Buhariu dhe Muslimi)

Po ashtu, profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Kushdo që bën një vepër që s’është në pajtim me çështjen tonë, ajo është e refuzuar.” (Muslimi)

Në një hutbe të së premtes, profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Fjala më e mirë është Libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit salAllahu alejhi ue selem. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat dhe çdo bidat është lajthitje.” (Muslimi)

Në një transmetim tjetër të këtij hadithi që gjendet tek Suneni i Nesaiut përmes një zinxhiri autentik, shtohet kjo pjesë:

“Dhe çdo lajthitje shpie në zjarr.”

Prandaj, është obligim për muslimanët, meshkuj qofshin apo femra, që të largohen nga të gjitha bidatet. Falënderimi i takon Allahut, ngase gjykimet brenda Islamit janë të mjaftueshme për ne dhe Islami është i përsosur, duke mos pasur nevojë për shtesa. Thotë Allahu (Te ala):

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” 5:3

Allahu e ka përsosur fenë për ne me anë të ligjeve që Ai ka caktuar, me veprat që ka urdhëruar të bëhen dhe ndalesat nga cilat duhet ndaluar. Prandaj, feja nuk ka nevojë për bidate të futura nga njerëzit, të tilla si: festimi i ditëlindjeve, e gjëra të tjera. Të festuarit e ditëlindjes së Profetit salallahu alejhi ue selem apo ditëlindjes së Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit, Aliut, Hasanit, Husejnit, Fatimas, Bedeuiut, Sheikh Abdul Kadër el-Gjejlaniit dhe të dikujt tjetër, nuk kan asnjë bazë të saktë, duke qenë kështu një vepër e urryer dhe e ndaluar. E gjithë kjo bën pjesë në fjalën e profetit (salAllahu alejhi ue selem):

“Se çdo bidat është lajthitje.”

Andaj, nuk lejohet për muslimanët që të bëjnë bidate, pavarësisht se kush i bën ato. Nuk është në dorën e njerëzve të ligjësojnë gjëra për myslimanët (në Islam) dhe nuk mund të jetë askush shëmbëlltyrë për ta, përveç nëse veprimet e tyre janë në përputhshmëri me sheriatin islam.

Të gjitha veprat e njerëzve dhe bindjet e tyre peshohen me peshojën e sheriatit, me Librin e Allahut dhe Sunnetin e profetit salAllahu alejhi ue selem. Ajo që është në përputhshmëri me to, pranohet dhe ajo që është në kundërshtim me to, braktiset. Thotë Allahu (te ala):

“Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të dërguarit.” 4:59

Allahu u dhëntë të gjithë muslimanëve sukses! Allahu i udhëzoftë të gjithë myslimanët në rrugën e drejtë!”

Shpërndaje: