“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

29.Detyra e parë e komandantit

Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Menhexh-ul-Anbija fid-Da’uah ila Allah, fq. 66-67
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

3 – Ishte i dërguari i Allahut ﷺ që e përgatiste ushtrinë e tij për të luftuar në xhihad, në rrugë të Allahut që fjala e teuhidit të ishte më e larta:

“Ai që lufton që fjala e Allahut të jetë më e larta, ai është në rrugën e Allahut.” 1

Ai i porosiste komandantët dhe ushtarët që para se të fillonin luftën me armikun, ta thërrisnin armikun në teuhid (që të adhurohej vetëm Allahu). 

Burejdeh bin Husejb -radijAllahu anhu- ka treguar se kur i dërguari i Allahut ﷺ  caktonte një komandant të një ushtrie apo të një batalioni, e porosiste atë dhe ata që ishin me të që ta kenë frikë Allahun, dhe u thoshte:

”Luftoni me emrin e Allahut, në rrugën e Allahut! Luftoni ata që e mohojnë Allahun. Luftoni dhe mos merrni plaçkën e luftës pa leje, mos tradhtoni, mos gjymtoni dhe mos vrisni fëmijë.

Kur të ndesheni me armiqtë idhujtarë, ftojini në tri gjëra. Nëse u përgjigjen njërës prej tyre, pranojeni dhe mos i luftoni:

Së pari, ftojini në Islam; nëse ju përgjigjen, pranojeni prej tyre dhe mos i luftoni. Pastaj ftojini që të shpërngulen nga vendi i tyre drejt vendit të muhaxhirëve (vendit Islam). Tregoju atyre se do të kenë ato të drejta dhe detyrime që kanë edhe muhaxhirët. Nëse nuk duan të largohen prej tij, tregoju se do të trajtohen si beduinët muslimanë, duke u zbatuar mbi ta gjykimi i Allahut, nuk do të kenë pjesë në plaçkën e luftës e as pjesë nga thesari, vetëm nëse luftojnë bashkë me muslimanët. Nëse refuzojnë të pranojnë Islamin, kërkoju të paguajnë xhizjen. Nëse janë dakord të paguajnë xhizjen, pranoje dhe mos i luftoni. Nëse refuzojnë të paguajnë xhizjen, kërkojini ndihmë Allahut dhe luftojini. Nëse i rrethon banorët e një fortese dhe ata kërkojnë prej teje që t’u japësh besën e Allahut dhe të profetit të Tij, mos u jep besën e Allahut dhe besën e profetit të Tij, por jepu besën tënde dhe besën e shokëve tu sepse nëse ju e shkelni besën tuaj dhe të shokëve tuaj kjo është më e lehtë sesa të shkelet besa e Allahut dhe e profetit të Tij. Nëse i rrethon banorët e një fortese dhe ata kërkojnë prej teje që t’i gjykosh me ligjin e Allahut, mos e prano këtë kusht por jepu gjykimin tënd sepse ti nuk e di a gjen për ta gjykimin e duhur të Allahut apo jo.”

Transmeton Muslimi (1731), Ebu Daudi (2612), Tirmidhi (1617) dhe Ibn Maxheh (2858).


1 Bukhari (2810) dhe Muslimi (1904).

Shpërndaje: